EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni i Partizanit, Daiu: Duhet një trajner shqiptar, shkallët bosh se ka humbur besimi! Ja çfarë i mungoi ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2026 | 10:43

EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni i Partizanit, Daiu: Duhet një trajner shqiptar, shkallët bosh se ka humbur besimi! Ja çfarë i mungoi ekipit

Partizani e mbylli kampionatin në vendin e pestë dhe, sipas ish-trajnerit Përparim Daiu, të kuqtë në fund morën atë që meritonin, edhe pse shanset ishin për më tepër. Sipas Daiut, “Demave të Kuq” iu mungoi lojtari lider që merr përsipër ekipin gjatë një sezoni, ndërsa shtoi se trajneri i ri duhet të jetë shqiptar, madje të jetë një figurë e cila të ketë pasur lidhje me skuadrën gjatë së kaluarës dhe që në këtë formë ta njohë mirë ambientin, por edhe historinë e asaj që kërkon një klub si kryeqytetasit.

perparim daiu

Ndër të tjera, Daiu komentoi edhe garën në “Final Four”, duke u shprehur se rezultatet e javës së parë kanë hapur plotësisht llogaritë për titullin, ndërsa tha se shpreson që në fund të fitojë futbolli e në stadium të ketë më shumë tifozë, që sipas tij janë pakësuar për shkak se ka humbur besimi mbi atë që prodhon fusha.

Si do ta komentoni sezonin e Partizanit, a morën aq sa meritonin apo ekipi mund të ishte edhe më lart? Mendoj që i shkojnë përshtat të dy opsionet që ju përmendët, pra edhe kanë marrë atë që kanë merituar me paraqitjen në fushë, por i kishin edhe mundësitë për më shumë. Por, nëse nuk do të kishin ato oshilacione me rezultatet në fund, kishin mundësinë të ishin pjesë e “Final Four”.

Përse Partizani pati aq shumë luhatje përgjatë sezonit, sidomos pas fazës së tretë, ku rezultatet ishin shumë zhgënjyese dhe ekipi humbi vendin e katërt? Unë mendoj që Partizanit, përveç organikës së fryrë, i mungoi lideri apo ata futbollistë që marrin përgjegjësi e bëhen lokomotivë për ekipin. Arsyeja tjetër janë hyrje-daljet në të gjitha repartet, që ndikojnë në stabilitetin e lojës dhe të rezultatit.

Drejtuesit vendosën të shkarkonin trajnerin Kërnaja tre javë para fundit të kampionatit, a ishte vendimi i duhur apo u nxituan? Normalisht, trajneri ka riskun më të madh të shkarkimit kur rezultatet mungojnë, por kur mungonte alternativa e drejtimit, për mua më mirë ta përfundonte Kërnaja dhe pastaj të vendosej apo të merrej vendimi për vazhdimin apo shkarkimin.

Cili do të ishte një profil ideal i një trajneri për Partizanin në sezonin e ardhshëm? Profili i trajnerit për Partizanin, opsioni i parë që më vjen në mendje, është që ta ketë veshur bluzën e Partizanit, që ia ka ndjerë peshën dhe aromën, plus e di mirë se çfarë tifozerie e mbështet. E dyta, padiskutim, të ketë formim e karrierë dhe e treta duhet të jetë shqiptar, sepse nuk ka nevojën e ambientimit dhe e njeh shumë mirë mentalitetin dhe mënyrën si funksionojnë gjërat në Superligën tonë.

Çfarë duhet të bëjnë ndryshe drejtuesit për sezonin e ardhshëm në mënyrë që ekipi të rikthehet sërish konkurrues? Duhet bërë një merkato verore me elementë cilësorë dhe jo sasiore siç ishte verën e kaluar. Duhet ndërhyrje në të gjithë repartet, t’i jepet përparësi edhe elementit të ri që ka të ardhme dhe del nga akademia, sepse ka dy efekte të dobishme, si në anën morale, ku të rinjtë e talentuar kanë energjinë dhe talentin, por edhe në anën financiare, pasi në të ardhmen bëhen lojtarë që mbushin arkën e klubit. Të zgjidhen apo lojtarëve të padobishëm t’u zgjidhet kontrata apo të mos u rinovohet, sepse janë barrë e dyfishtë.

Si ju është dukur java e parë e “Final Four”? Egnatia mposhti Elbasanin dhe tashmë është plotësisht në garë për titullin, ndërsa Vllaznia pretendente humbi me Dinamon… Kë shihni triumfues në fund? Fillimi i “Final Four” më është dukur mjaft interesant me rezultatet e para dhe ka hapur garën për të katër ekipet. Për mendimin tim, opsionin për fitimin e titullit e kanë të katërta dhe nuk shoh diferenca. Uroj të triumfojë futbolli, sepse fitojmë të gjithë dhe tifozët mbushin shkallët e stadiumit, që fatkeqësisht duken gati bosh, sepse ka humbur besimi në “fair play”.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL