EKSKLUZIVE/ Ish-kapiteni Beqiri analizon sfidën e radhës: Vllaznia t’i japë me “gazin në fund” (E PLOTË)
Ish-kapiteni i Vllaznisë, Elvin Beqiri, ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” ecurinë e kuqebluve në periudhën e fundit.
Nga Kanadaja në intervistën e dhënë për gazetën, ishmbrojtësi edhe i kombëtares shqiptare shprehet se humbja e fundit ndaj Bylisit mund të ndikojë jo vetëm nga ana sportive, por edhe nga ajo psikologjike te skuadra. Ndërsa ende besoj se shkodranët janë të aftë për të fituar trofe në fund të sezonit, pavarësisht luhatjeve.
Si e gjykoni këtë humbje të fundit të Vllaznisë ndaj Bylis?
Është një humbje, që për mua lë një shijë shumë të “hidhur” dhe nuk duhej të ndodhte në këto momente. Sepse kampionati është në javët finale dhe unë e shikoj se mund të ndikojë shumë edhe te futbollistët dhe klubi në aspektin psikologjik. Dhe jo vetëm në atë sportiv ku tashmë bëhet edhe më e vështirë renditja në dy vendet e para në klasifikim.
Duket se skuadra vuan me të voglat apo jo?
Nuk është çështje se vuan me të voglat, sepse Bylisi nuk është një ekip i “vogël”. Kjo shto këtu faktin se diferencat në kampionatin shqiptar janë minimale ose nuk ekzistojnë fare. E këtu fare mirë çdo ekip mund të pretendojë fitoren ndaj çdo kundërshtari. Vllaznia gaboi në menaxhimin e ndeshjes në këtë duel dhe them se ky ishte problemi i kësaj disfate.
U duk se dëshira dhe grinta mungonte te kuqeblutë apo jo?
Ndoshta edhe kjo mund të jetë diçka që ndikon në humbje, por unë them se nuk i mungoi dëshira ekipit. Për të fituar një ndeshje, duhet të dish ta menaxhosh fillimisht. Duhet të jesh më i zgjuar dhe i përgatitur se kundërshtari në çdo situatë të lojës. Faktorë, të cilët Vllaznia fatkeqësisht ka disa ndeshje që nuk i tregon.
Sa mund të ndikojë një humbje në llogaritë përfundimtare?
Çdo humbje në këto momente për çdo skuadër nuk është aspak pozitive. Sepse ke shumë pak kohë dhe javë për të rikuperuar, ku tashmë çdo 90-minutësh është një “betejë”. Mundësia e vetme për të rikuperuar për Vllazninë është ndeshja e radhës me Dinamon, ku për kuqeblutë vlen vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër.
Çfarë duhet të ndryshojë ekipi në këto javë?
Vendosmëria dhe besimi te fitorja janë elementët kryesorë që Vllaznia duhet t’i shfaqë në ndeshjet e ngelura. Kjo, në qoftë se duan të realizojnë objektivat që kanë këtë sezon. Ndryshe e shoh të vështirë nëse në fushë nuk shfaqet mentaliteti i duhur për të arritur suksesin.
Duket se skuadra nuk ka plan B, kur Balaj nuk është në formë…
Kuptohet që Balaj është një pikë referimi për skuadrën dhe e kemi parë disa herë që Vllaznia e ka të vështirë pa të. Dhe është shumë e vështirë të shënohet kur Balaj nuk është në ditën e tij. Ajo që më bën përshtypje është se skuadra ka kualitet në opinionin tim dhe nuk mundohet ta dominojë kundërshtarin nëpërmjet qarkullimit të topit.
Duhet të ketë një qarkullim topi më të dendur në mesfushë dhe jo vetëm të kërkohet Balaj në pafundësi me topat e gjatë. Në këtë mënyrë besoj se Vllaznia do të krijonte shumë më shumë raste shënimi brenda një ndeshjeje.
Besoni se kjo skuadër mund të arrijë titullin në fund?
Patjetër që kam besim te skuadra, pavarësisht lëkundjeve është brenda objektivave. Vllaznia ka treguar që ka forcë për të reaguar dhe uroj ta shfaqë këtë reagim që nga ndeshja e kësaj jave kundër Dinamos.
Do jenë përcaktuese për sezonin duelet me Dinamon në kampionat dhe kupë?
Mendoj se po, sidomos ajo e kampionatit, sepse Vllaznia duhet medoemos të synojë vendin e dytë për vetë avantazhin që të jep ai pozicion në fund. Skuadra është në garë për të dy trofetë dhe kanë ngelur edhe pak ndeshje deri në fund, prandaj ekipi t’i japë me “gazin në fund”, pasi gjithçka është e mundur dhe çdo kundërshtar i kalueshëm.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













