EKSKLUZIVE/ Ish-kandidati për president të Federatës, Hala flet për zgjedhjet: Askush s’ka guxim të dalë kundër Dukës (E PLOTË)
Zgjedhjet e këtij viti për Federatën Shqiptare të Futbollit zhvillohen në një klimë pa garë, me vetëm një kandidat për postin e presidentit. Armand Duka synon mandatin e 7-të radhazi në krye të FSHF-së, në një proces që ka ngjallur diskutime mbi mungesën e alternativave dhe konkurrencës në drejtimin e futbollit shqiptar.
Në këtë kontekst, Shpëtim Hala, me profesion jurist dhe ishgjyqtar futbolli në Itali, shpreh bindjen se fakti që këtë vit nuk ka asnjë kandidat tjetër në garë nuk lidhet me pamundësi formale apo pengesa institucionale, por me realitetin se nuk ka njeri që të ketë “guximin” të dalë përballë Armand Dukës, për shkak të arritjeve të konsiderueshme që ai ka shënuar gjatë viteve në krye të federatës, si në planin sportiv ashtu edhe në atë institucional.
Hala ishte kandidat para tetë vitesh, në një garë ku përballë tij ishin kreu aktual i FSHF-së, Armand Duka, si edhe ish-deputeti i ndjerë Bashkim Fino, një proces që atëherë u konsiderua ndër më rivalizuesit dhe më përfaqësuesit në historinë e federatës. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai shpjegon pse këtë vit ka zgjedhur të mos kandidojë, analizon mandatet e gjata në krye të FSHF-së dhe vlerëson se mandati i 7-të i Dukës është kryesisht pasojë e rezultateve dhe zhvillimeve pozitive të futbollit shqiptar.
Z. Hala, si e vlerësoni faktin që në zgjedhjet e këtij viti për FSHF ka vetëm një kandidat për president?
Realisht, do të duhej të kishte më shumë se një kandidat, sepse gara e bën procesin më interesant, më transparent dhe më përfaqësues. Kjo ka ndodhur edhe në vitet e kaluara, ku figura të rëndësishme të futbollit shqiptar, që i kanë dhënë shumë këtij sporti ndër vite, kanë hyrë në garë me ide dhe programe të qarta për drejtimin e federatës. Konkurrenca është gjithmonë e shëndetshme për çdo institucion.
Pse nuk i doli njeri përballë Dukës?
Në fakt, arritjet që janë bërë në futbollin shqiptar gjatë këtyre viteve kanë bërë që askush të mos ketë “guxim” t’i dalë z. Duka përballë. Kur rezultatet janë të prekshme dhe puna shihet në terren, është e vështirë të ndërtosh një alternativë bindëse që ta sfidojë realisht një drejtues të tillë.
Armand Duka synon mandatin e 7-të radhazi. A mendoni se mandatet e gjata janë të shëndetshme për një institucion si FSHF?
Koha ka treguar se jetëgjatësia e z. Duka në krye të FSHF-së ka sjellë produktivitet dhe stabilitet. Nuk është pa qëllim që sot futbolli shqiptar ndodhet aty ku nuk ka qenë asnjëherë më parë: dy pjesëmarrje në Kampionatin Europian dhe një “play-off” për Kupën e Botës. Këto rezultate i japin të drejtë punës së bërë gjatë këtyre viteve. Për herë të parë Shqipëria ka një përfaqësues në një post kaq të lartë si zv/president i UEFA-s. Kjo e bën vendin tonë faktor në vendimmarrjen europiane dhe është një zhvillim shumë pozitiv për futbollin shqiptar. Ky përfaqësim ka sjellë edhe përfitime konkrete, veçanërisht në fonde për rehabilitimin dhe ndërtimin e shumë fushave të reja në çdo cep të Shqipërisë, si dhe një rritje të ndjeshme të ekipeve dhe aktiviteteve sportive.
Cilat reforma do t’i konsideronit urgjente për FSHF-në në vitet e ardhshme?
Një reformë e rëndësishme mbetet struktura e kampionatit. Duhet rishikuar dhe, pse jo, Superliga të kalojë me 12 apo 14 ekipe për ta bërë më interesante, më konkurruese dhe më gjithëpërfshirëse. Po ashtu, duhet t’i kushtohet shumë më tepër vëmendje futbollit të moshave, sepse aty ndërtohet e ardhmja. Është e nevojshme të rishikohet edhe mundësia që akademitë të mos kenë barrë financiare për fëmijët, në mënyrë që talenti të mos pengohet nga kushtet ekonomike dhe futbolli të jetë i aksesueshëm për të gjithë.
Ju keni qenë kandidat për president të FSHF-së më parë. Pse këtë vit keni zgjedhur të mos hyni sërish në garë?
Detyrën time për të kandiduar e kam përmbushur para tetë vitesh, ku përcolla një mesazh të qartë: njerëzit e futbollit mund dhe duhet të kandidojnë për president të federatës. Ajo ishte një përvojë e rëndësishme dhe kontribuese për debatin mbi drejtimin e futbollit shqiptar.
A është kjo zgjedhje personale apo rezultat i kushteve që e bëjnë garën të pabarabartë?
Është zgjedhje personale, pasi aktualisht jam i fokusuar në profesionin tim si jurist. Madje, edhe nëse do të isha kandidat këtë vit, realisht do të bëja thirrje që të votohej z. Duka, duke parë punën dhe rezultatet e arritura.
A është mandati i 7-të i Armand Dukës pasojë e rezultateve sportive apo e një strukture që e mban pushtetin të mbyllur?
Është rezultat i pasojave pozitive që drejtimi i tij ka sjellë në FSHF. Rezultatet sportive, përfaqësimi ndërkombëtar dhe investimet në infrastrukturë flasin vetë. Ata që votojnë janë njerëzit e futbollit dhe, për aq kohë sa ndihen të kënaqur me punën e bërë, kjo do të thotë se z. Duka e ka bërë mirë detyrën e tij edhe në raport me klubet shqiptare.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













