EKSKLUZIVE/ Idrizi “zbulon” drekën me turqit dhe letrën për FSHF-në: Në stadium duket sikur jemi në burgun e Spaçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2025 | 22:26

EKSKLUZIVE/ Idrizi “zbulon” drekën me turqit dhe letrën për FSHF-në: Në stadium duket sikur jemi në burgun e Spaçit

Sinan Idrizi rrëfen takimin në Vlorë me presidentin e klubit të mirënjohur turk Beshiktashi. Dje, në ditën e lindjes, 57 vjeç, administratori i Flamurtarit foli për projektet madhore të turqve në qytetin bregdetar dhe për interesimin e tyre në shumë fusha, përfshirë edhe futbolli. Për “Panorama Sport”, Idrizi tregon se presidenti i Beshiktashit ishte kurioz për projektin “Vlora Sport”.sinan idrizi“Ishte kënaqësi që të kishim mysafir presidentin e Beshiktashit. Ai ishte bashkë me një grup përfaqësuesish të tjerë të klubit dhe biznesmenë të njohur. Kjo ishte një vizitë private. Nuk shkuam në stadium, por drekuam së bashku në një restorant buzë detit, bëmë edhe një shëtitje në Lungomare. Presidenti i Beshiktashit dhe grupi i tij ishin shumë kurioz për projektin ‘Vlora Sport’. U shpjegova në detaje çdo gjë dhe e pëlqyen si projekt. Kishin shumë interes për Vlorën dhe për funksionimin e sportit. Ata duan të bëjnë gjëra të bukura këtu. Kanë projekte ambicioze”, shprehet fillimisht Idrizi.

BATUTA PËR MUÇIN – Sinan Idrizi ka ngacmuar drejtuesit e klubit turk për talentin shqiptar Ernest Muçi. Këtë gjë e ka konfirmuar për gazetën vetë administratori i vlonjatëve. Idrizi nuk e fsheh pëlqimin për talentin vlonjat. “Ju thashë që jam tifoz i Muçit dhe nuk duhet ta largoni atë djalë. Madje, t’i japin mundësinë të luajë në çdo ndeshje, se e meriton”, tha Idrizi.

LETËR FSHF – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, flet edhe për një letër që i ka dërguar FSHF-së. Duke qenë se stadiumi është në rikonstruksion, klubi kërkon të hiqen “gardhet”.

“I kam bërë një letër FSHF-së që të na japin leje të heqim gardhet rrethuese nga 2 metër e 10 centimetër të gjatë. Na duket sikur jemi në burgun e Spaçit dhe të mbyllur si në kafaz. Për çfarë na duhen më këto mure, që të presim tifozët të mos kalojnë gardhin? Tifozi shqiptar në kafaz është i papërmbajtur. Të forcojnë ligjet, kushdo që hyn, të dënohet”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL