EKSKLUZIVE/ Hoti: Vllaznisë i mungon ADN-ja! Titullin e shoh shumë të vështirë, shkodranët ia kanë bërë rrugën vetes malore (E PLOTË)
Erjon Hoti, ish-mbrojtës i Vllaznisë në fillimvitet 2000 dhe ish-kampion i vendit me kuqeblutë, ka analizuar për “Panorama Sport” disfatën e fundit të ekipit ndaj Skënderbeut.
Sipas shkodranit, kjo humbje mund t’i kushtojë shumë skuadrës dhe se llogaritë nuk ishin bërë siç duhet në këtë duel. Ndër të tjera, ai thekson se Vllaznisë po i mungon ADN-ja që e karakterizon. Po ashtu, Hoti, si një shkodran dhe ish-futbollist i Vllaznisë, ka shpresa për titullin kampion, por e shikon shumë të vështirë, duke parë edhe paraqitjet e kuqebluve.
Hoti, larg Shkodrës, por me Vllazninë gjithmonë në zemër. Si i keni parë kuqeblutë këtë periudhë?
Vërtet larg Shkodrës, por siç e the edhe vetë, Vllazninë gjithmonë në zemër dhe interesi për të nuk humbet kurrë. Megjithëse ndonjëherë mërzitemi duke e parë para ekranit, ku këtë sezon e kam parë skuadrën të paqëndrueshme. Me ekipet e forta ka bindur në lojë e ndërsa ka lënë pikë dhe ka zhvilluar paraqitje nën nivel me ekipet që mund të konsiderohen të lehta në letër.
Mund të ndikojë humbja e fundit ndaj Skënderbeut në bilancet e sezonit?
Humbja e fundit besoj që do të jetë ajo që do t’i kushtojë shumë Vllaznisë këtë sezon, sepse dihet që dy vendet e para në kampionat kanë një avantazh në “Final 4”. Tani, me këtë disfatë, në mendimin tim Vllaznia do ta ketë shumë të vështirë të kapë dy vendet e para në përfundim të kampionatit.
Duhej ta interpretonte ndryshe ekipi këtë duel?
Besoj se u bënë dy gabime në këtë ndeshje të fundit. E para që drejtuesit nuk i kishin bërë llogaritë që po luanin ndaj një kundërshtari që vinte në Shkodër dhe nuk kishte çfarë humbiste dhe vinte për fitore. Dhe e dyta në qoftë se është ashtu siç flitet që kishte një tolerim apo dashamirësi ndaj Skënderbeut, të paktën të kishin aktivizuar futbollistët e rinj, që po “digjen” në stol nga kapriçot e njërit apo tjetrit aty në staf.
Çfarë po i mungon Vllaznisë?
Vllaznisë po i mungon baza, po i mungon qarkullimi i topit që është në ADN të këtij ekipi. Dhe është ky trajner që ka bërë futbollin më të bukur në Shqipëri para 4-5 vitesh, nuk e kuptoj çfarë ka ndryshuar në mentalitetin e tij. Po i mungon grinta dhe presingu që më parë bëhej me Brdariç e tani jo.
Mbrojtja është vënë shpesh nën akuzë, i qëndroni këtij opinioni?
Po, i qëndroj kësaj linje që mbrojtja është reparti më problematik te Vllaznia. Nuk e kuptoj pse nuk po i jepet mundësia më shumë Pusit apo Becit apo edhe ndonjë djali të ri. Nxjerrja jashtë planeve të Juriç nuk shkoi tamam, sepse nuk u zëvendësua siç duhet nga të tjerët. Duhet parë me detaje ky repart, sepse, si Stojanoviç apo edhe Bajrami, nuk po kalojnë një formë të mirë.
Do jetë pozitiv ky pushim i kampionatit?
Normalisht që çdo pushim iu bën mirë ekipeve që po kalojnë një moment të vështirë ose vijnë nga rezultatet negative. Kjo për të rregulluar gabimet dhe bërë diçka ndryshe në ndeshjet e radhës. Ndoshta edhe për të parë ndonjë ndryshim në formacion e për t’iu dhënë mundësinë të gjithëve
Besoni se Vllaznia mund të mbyllë si kampione?
E dëshiroj me shpirt që Vllaznia ta mbyllë si kampione në fund, por me gabimet që po bën është duke ia bërë rrugën vetes malore. Sepse nuk është e lehtë të luash kundër Egnatias apo Dinamos, ku të duhet vetëm fitorja, sepse barazimi favorizon kundërshtarin. Dhe Vllaznia nuk po ia bën “hyzmetin”, siç thuhet, dhe titullin e shoh shumë të vështirë.
Dueli tjetër është mesjavën që vjen kundër Egnatias. Si e parashikon?
Me Egnatian është si një ndeshje finale, ku shërben edhe për të matur forcat me kundërshtarin. Që në opinionin tim është pretendenti kryesor për fitimin e titullit. Vllaznia me rival të fortë ka ditur të shprehet, por rrogozhinasit i shoh një hap para nga përbërja që kanë. Shpresoj dhe uroj që Vllaznia të marrë një rezultat pozitiv.
ENDRI ÇINARI–PANORAMASPORT.AL













