EKSKLUZIVE/ “Goli ynë ishte i rregullt, nuk ka më shaka për ne”! Moriero: Humbëm me dinjitet, tani nis Flamurtari i vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2025 | 22:48

EKSKLUZIVE/ “Goli ynë ishte i rregullt, nuk ka më shaka për ne”! Moriero: Humbëm me dinjitet, tani nis Flamurtari i vërtetë

Françesko Moriero e nisi me humbje debutimin te Flamurtari. Italiani shpreh keqardhjen, pasi lojtarët vendosën dëshirën dhe përkushtimin maksimal në fushë. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Moriero thekson se skuadra ishte e pafat edhe për sa i përket vendimeve të gjyqtarëve.morieroAi mendon se goli i parë i Flamurtarit ishte i rregullt. Trajneri thekson se skuadra duhet të tregojë më shumë personalitet, ndërsa kërkon që futbollsitët të jenë të qetë dhe të relaksuar. Megjithatë, italiani e sheh të ardhmen me optimizëm, por paralajmëron se “tani nuk ka më shaka” dhe puna duhet të flasë në fushë.

Moriero, e nisët me humbje debutimin te Flamurtari në ndeshjen me Partizanin. Ju vjen keq për këtë?
Më vjen keq për rezultatin, pasi djemtë luajtën me dëshirë në fushë.

Çfarë nuk shkoi në këtë takim?
Futbollistët u përpoqën me të gjitha mënyrat për ta kthyer ndeshjen. Në pjesën e dytë ranë pak fizikisht. Unë u përpoqa të fusja energji të reja në dispozicion të skuadrës, por dua të theksoj se ishim të pafat edhe me vendimet e arbitrit. Nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet t’u bashkëngjitemi vendimeve të gjyqtarëve. Tani duhet të shikojmë përpara.

Sa ndikuan vendimet e arbitrave në rezultatin e ndeshjes?
Nuk dua të flas për vendimet e arbitrit apo arbitrave. Goli i parë, sipas meje, ishte i vlefshëm. Ndeshja do të kishte marrë tjetër rrjedhë. Djemtë ishin në momentin më të mirë për të shënuar. Nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të respektojmë vendimet e futbollit dhe të VAR-it.

Flamurtari gjendet në fund, me dy pikë në klasifikim. Si e shikoni të ardhmen e kësaj skuadre?
Unë jam pozitiv. Nëse kam ardhur këtu, duhet ta dini se besoj tek e ardhmja. E dija që ishte një moment i vështirë për Flamurtarin. Shpresoja me gjithë zemër që ta fitoja këtë ndeshje me Partizanin. E dinim që do të punonim dhe do të punojmë. Tani nuk ka më shaka.

Mendoni se ekipi u përgjigj siç donit ju në këtë ndeshje?
Për mendimin tim, në fazën mbrojtëse ekipi u përgjigj mirë. Duhet të kemi më shumë personalitet. Gabojmë në shumë pasime dhe në momentin që ndërton sulmin e humbet topin, rrezikon kundërsulmin. E kuptoj situatën e djemve, sepse përjetojnë një lloj presioni.

Çfarë këshille keni për skuadrën në këto momente të vështira?
Duhet të qëndrojmë të qetë dhe të relaksuar. Skuadra duhet të punojë më shumë. Jo vetëm skuadra, por të gjithë ne si staf duhet të japim maksimumin për të kaluar këtë situatë. Kjo është puna ime në këto momente.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL