EKSKLUZIVE/ Esat Mala: Na pret betejë e fortë me rrogozhinasit, por Vllaznia nuk ndalet (E PLOTË)
Esat Mala vijon të jetë një ndër lojtarët më të dalluar jo vetëm te Vllaznia, por edhe në të gjithë Superioren.Edhe në fitoren e fundit kundër Skënderbeut, prizrenasi ishte protagonist me penallti të fituar dhe një gol të shënuar, duke spikatur me performancën e tij ndaj Skënderbeut. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai ka folur pikërisht për suksesin e fundit në Korçë. Gjithashtu, mesfushori është ndalur edhe te performanca personale e këtij sezoni. Ai ndan edhe një koment për ndeshjen e radhës kundër Egnatias.
Mala, fitore me shumë peshë në Korçë, apo jo?
Është një fitore që na jep qetësinë e duhur dhe na bën të jemi më të “relaksuar” për të përgatitur ndeshjen e radhës. Dihet që transfertat në kampionatin shqiptar janë gjithmonë të forta, sidomos ato në Korçë. Prandaj them se kjo fitore kishte një vlerë shumë të madhe për ne.
Pritej një duel më “i vështirë”, ishte Vllaznia mirë që ndeshja nuk u komplikua kurrë?
Them se e kemi përgatitur në çdo detaj ndeshjen gjatë javës. Nuk kemi nënvlerësuar asgjë dhe kemi interpretuar siç duhet çdo detaj. Prandaj edhe u shpërblyem me fitoren në Korçë.
Sa delikate janë këto duele kundër ekipeve që luftojnë për mbijetesë?
Ajo kuptohet për nga vetë situata ku ndodhet kundërshtari, që kërkon pikë me çdo kusht. Por çdo ndeshje është e fortë, pasi çdo ekip po kërkon pikë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për të përballuar gjithçka.
Mund të themi se Vllaznia e ka “blinduar” tashmë “Final 4”?
Mendoj se ka ende shumë ndeshje përpara dhe asgjë nuk është siguruar matematikisht. Nuk duhet ulur aspak përqendrimi dhe duhet të vazhdojmë në mënyrën sesi e kemi nisur vitin.
Po zhvilloni një sezon spektakolar me 5 gola dhe 8 asiste deri më tani. Ndonjë sekret?
Nuk e tregoj sekretin (qesh). Mendoj se performanca shkon paralel me ekipin, sepse të gjithë janë paraqitur mirë. Unë kam zhvilluar një sezon të mirë në aspektin personal dhe shpresoj të vazhdoj në këtë mënyrë që të ndihmoj sa më shumë skuadrën.
Keni ndonjë dedikim për golin e fundit?
Dedikimi i përket familjes sime, sepse në çdo moment, si pozitiv apo jo, ata më kanë mbështetur gjithmonë dhe vazhdojnë ta bëjnë. Janë një forcë shtesë për mua.
Në fundjavë prisni Egnatian në një duel direkt. Si shkon Vllaznia në këtë përballje?
Fillimisht do të rikuperojmë energjitë nga ndeshja e fundit dhe normalisht kemi javën para për t’u përgatitur me Egnatian. E dimë që do të jetë një lojë e luftuar dhe e fortë, por shpresoj që në fund të shpërblehemi me fitore.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"