EKSKLUZIVE/ I hapi punë Partizanit, Ernest: Derbin nuk e harroj kurrë, Tirana do të mbetet shtëpia ime (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2025 | 22:56

EKSKLUZIVE/ I hapi punë Partizanit, Ernest: Derbin nuk e harroj kurrë, Tirana do të mbetet shtëpia ime (E PLOTË)

Ish-lojtari i Tiranës, Emanuel Ernest, i cili u largua këtë verë, foli ekskluzivisht për derbin mes bardhebluve dhe Partizanit. Për “Panorama Sport” ai preku përvojën e tij në Shqipëri. Sulmuesi është tani pjesë e USM Alger, ndërsa në kampionatin tonë qëndroi vetëm gjashtë luaj.

ernest tirana

TRANSFERIMI – Përshtatja me vendin e ri dhe kampionatin algjerian, sipas libianit është në rrugën e duhur.

“Po shkon mirë. Po përshtatem ngadalë me vendin dhe me kampionatin”, thotë Ernest, duke treguar se edhe pse fillimisht ka qenë një sfidë, ai po gjen ritmin e tij dhe po mëson të përshtatet me stilin e lojës dhe ambientin e ri.

BARDHEBLUTË – Roli i tij te Tirana dhe periudha e vështirë ishte një tjetër temë e intervistës. “Ishte një periudhë e vështirë, por sipas mendimit tim mund të kishte qenë edhe më mirë. Unë u bashkova me skuadrën kur po luftonte për mbijetesë, dhe qëllimi im kryesor ishte që Tirana të mos bie nga kategoria. Dhashë gjithçka për këtë”, shprehet lojtari, duke kujtuar se ka dhënë maksimumin për të ndihmuar skuadrën në momentet më kritike.

ALGJERIA – Zgjedhja për të ardhur te Tirana ishte e vështirë, por kalimi në Algjeri, ishte bingo për sulmuesin dhe këtë fakt e nënvizon vetë Ernesti. “Transferimi këtu ishte opsioni më i mirë për karrierën time, si nga ana sportive, ashtu edhe financiare. Gjithashtu, kjo solli të ardhura për Tiranën, kështu që ishte një zgjidhje perfekte,” shton ai, duke treguar se vendimi i tij ishte një fitore si për të, ashtu edhe për klubin.

PARTIZANI – Derbi dhe atmosfera në stadium ka lënë shenjë te Emanuel Ernesti. “Atmosfera në derbi ishte e mrekullueshme, dhe ndihem i nderuar që isha pjesë e saj”, thotë Ernest. Ai tregon se përjetimi i një derbi ka një intensitet të veçantë, dhe se emocionet që krijon stadiumi janë të pazëvendësueshme. Sulmuesi ka besim te skuadra dhe e ardhmja e Tiranës. “Skuadra do të përmirësohet, i duhet vetëm kohë. Djemtë kanë nevojë për një periudhë që të përshtaten dhe të bashkohen mirë së bashku”, shprehet ai, duke treguar se ka besim te potenciali i lojtarëve dhe se vetëm koha mund të bëjë diferencën në performancën e tyre.

QYTETI – Dashuria për qytetin dhe klubin është një shenjë që nuk harrohet lehtë. “E dua Tiranën dhe Shqipërinë si vend. Qyteti dhe njerëzit më mirëpritën me krahë hapur, dhe gjithmonë do të ndiej që është shtëpia ime”, përfundon Ernest, duke theksuar lidhjen e tij të fortë me klubin dhe tifozët, pavarësisht largimit. Emanuel Ernest mbetet një figurë e dashur për Tiranën dhe për tifozët e saj. Përvoja e tij te bardheblutë, sidomos përjetimi i derbit, do të mbetet gjithmonë pjesë e karrierës dhe zemrës së tij.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL