EKSKLUZIVE/ E ardhmja e Orges Shehit, mësoni çfarë po ndodh te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2026 | 23:28

EKSKLUZIVE/ E ardhmja e Orges Shehit, mësoni çfarë po ndodh te Tirana

Tirana dhe Orges Shehi do të vazhdojnë të jenë bashkë, ndërsa deri në fund të majit do të bëhet zyrtare edhe kontrata e re. Palët kanë rënë dakord, ndërsa ka mbetur vetëm firma për vazhdimin e bashkëpunimit mes teknikut durrsak dhe bardhebluve. Kujtojmë që Shehi u kthye në janar pas vitesh ndarje.

orges shehi

Nga ana tjetër, Tirana dhe portieri Anxhelo Tafas kanë vendosur të mbyllin përfundimisht bashkëpunimin pas përfundimit të këtij sezoni, duke i dhënë fund një aventure që nisi me pritshmëri të larta. Lajmi, i konfirmuar nga “Panorama Sport”, vjen si një zhvillim i papritur duke marrë parasysh rolin që 25-vjeçari kishte në një pjesë të mirë të kampionatit. Tafas ishte një nga figurat më të rëndësishme të Tiranës në fazën e parë të sezonit, duke u shndërruar shpesh në një pikë referimi për repartin defensiv.

Performancat e tij solide bënë që ai të fitonte besimin e stafit teknik dhe madje të mbante edhe shiritin e kapitenit deri në javën e 23-të të Superiores, një detaj që tregon peshën që kishte në grup në atë periudhë. Megjithatë, situata ndryshoi ndjeshëm në pjesën e dytë të sezonit, pas ardhjes dhe aktivizimit të Visar Bekaj, i cili mori gradualisht vendin e titullarit në portë. Ky ndryshim solli edhe uljen e minutazhit për Tafas, i cili kaloi nga një rol kyç në formacion në një rol më të kufizuar nga stoli, duke ndikuar edhe në vazhdimësinë e tij në fushë.

Gjatë gjithë qëndrimit të tij te klubi kryeqytetas, portieri regjistroi 24 ndeshje zyrtare me fanellën bardheblu. Në këto paraqitje, ai arriti të mbajë portën e paprekur në 6 takime, ndërsa në total pësoi 35 gola. Në aspektin e minutazhit, Tafas grumbulloi 2190 minuta, duke qenë një nga lojtarët që pati më shumë ngarkesë në fazën e parë të sezonit. Vendimi për ndarjen e rrugëve shënon fundin e një kapitulli për të dy palët. Për Tiranën, kjo lëvizje hap diskutime të reja për të ardhmen e repartit të portës dhe strategjinë afatgjatë në këtë pozicion kyç. Ndërkohë, për Tafas, largimi mund të nënkuptojë një mundësi të re për të rikthyer statusin e titullarit në një tjetër skuadër të kampionatit ose jashtë tij, duke synuar të rifitojë vazhdimësinë që i mungoi në pjesën e dytë të sezonit.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL