EKSKLUZIVE/ “Drejtori nuk duhet të jetë edhe trajner”, analiza e Shpëtim Duros: Partizani në lojë, me Veselinoviç u vonuan! Kote është si xhevahir (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2025 | 23:54

EKSKLUZIVE/ “Drejtori nuk duhet të jetë edhe trajner”, analiza e Shpëtim Duros: Partizani në lojë, me Veselinoviç u vonuan! Kote është si xhevahir (E PLOTË)

Superiorja ka hyrë në kulmin e vet, kur ka mbetur edhe faza e fundit e sezonit të rregullt.duroTrajneri i njohur, Shpëtim Duro, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka analizuar gjithçka çka ndodh në elitën e futbollit tonë. Ai e vë theksin te paraqitjet e Partizanit, që sipas tij janë nën pritshmëri. Sipas tij, trajneri Veselinoviç duhej shkarkuar më shpejt, por nuk është dakord që drejtori të bëjë trajnerin, siç po e bën Abilaliaj. Duro ka elozhe për Gjergji Koten.

Aktualisht trajneri tiranas është i lirë, pas fundit të aventurës me Suharekën, që e la në vendet e para, por tashmë renditet e parafundit në Kosovë. E ngjashme edhe situata me Strugën, të cilën Duro e la si kampione, por tani renditet në mesin e tabelës, larg Europës.

Profesor, Egnatia e shkëputur dhe Vllaznia e Dinamo në ndjekje, Partizani i katërti. Ju duket sikur katërshja i ka mbyllur llogaritë?

Po, katërshja është caktuar tashmë, përfundimisht. E kam thënë edhe para një muaji se kjo është e keqja e kampionatit, sepse katër skuadrat e “Final 4” janë përcaktuar shumë para kohe. Ishte pak e dyshimtë në dy javët e fundit pas afrimit të Elbasanit prej gabimeve të Partizanit, por verdheblutë nuk e shfrytëzuan situatën, pasi barazuan me dy skuadra që renditen në fund të klasifikimit. Mund të them se tani katërshja e “Final 4” është e caktuar.

Mendoni se me atë që ka treguar Egnatia mbetet skuadra për t’u mundur?

Patjetër, Egnatia është një skuadër me mjaft personalitet, me një organikë shumë të pasur, kampione në fuqi. Është skuadra që ka parametrat më të mira mes të gjithëve. Por mund të them se nuk i shoh shumë larg Dinamos, që është e fortë dhe Vllaznisë. Nga ana tjetër, Partizani ka qenë shumë me oscilacione. Mendoj se duhet të ishte shumë më lart

Partizani kaloi një krizë të gjatë. Çfarë po ndodh këtë vit te “Demat”? Çfarë nuk funksionon?

Nuk di të jap një përgjigje ekzakte se çfarë nuk funksionon te Partizani, por unë shoh që gjatë gjithë sezonit ka pasur justifikime. Rezultatet e Partizanit këtë sezon e dimë të gjithë se nuk kanë qenë fort pozitive. Të bësh 12-13 barazime për një skuadër si Partizani është e papranueshme. Kontingjenti u justifikua me largimin e lojtarëve cilësorë, por edhe para kësaj rezultatet nuk kanë qenë pozitive. Fitorja e fundit shpresoj që mund të kthejë diçka në situatën e skuadrës, sepse mund të them se Partizani ka në organikë futbollistë shumë cilësorë në të gjitha repartet.

Mund të shtoj edhe diçka. Ka një xhevahir në përbërje. Siç ka qenë Rrapaj në sezonet e fundit, një nga më të mirët e Superiores, kam shumë besim se në këto nivele do të jetë Gjergji Kote. Futbollist jashtëzakonisht i talentuar. Unë e kam ndjekur që në moshën 17-vjeçare tek Internacionali dhe mund të them se ai është e ardhmja jo vetëm e Partizanit, por edhe e Kombëtares.

Largim i trajnerit në kulmin e sezonit dhe drejtori Abilaliaj në krye të ekipit. Mendoni se u morën vendimet e duhura?

Duke pasur parasysh rezultatet që ka pasur Partizani gjatë gjithë sezonit, mendoj se trajnerin duhej ta kishte larguar më parë. Sa i përket vazhdimësisë, është mirë apo keq, do të shihet në fund të edicionit. Ajo që mund të them është se Partizani çdo gjë e ka në dorën e vet, sepse është në gjysmëfinale të Kupës dhe në “Final 4”. Ky është momenti më deciziv, si për Partizanin, ashtu edhe për skuadrat e tjera.

Tregoi janari një heqje dorë të Partizanit? Mendoni se në klub e dinin se pas largimeve do të kishin probleme?

Nuk mendoj se kjo ecuri justifikohet me largimin e lojtarëve që u shitën në Ukrainë. Patjetër që largimet kanë qenë cilësore, por Cara dhe Rrapaj pritej që të largoheshin që në verën e vitit të shkuar. Prandaj duheshin marrë masa dhe të afroheshin lojtarë cilësorë. Këtë gjë po e bën jashtëzakonisht mirë Egnatia, që ka zëvendësuar si duhet largimet. Por Partizani e ka “brumin” dhe kontingjentin për të garuar në të dyja frontet.

Kemi parë shumë gabime të rënda në mbrojtje në javët e fundit. Çfarë mendoni se ndikon?

Kam mendimin që Partizanin, po ta shikosh në strukturë, ka në organikë mbrojtësit më të mirë në Shqipëri. Ka shumë rivalitet në organikë, por mënyra e interpretimit në fushë ka sjellë në shumë momente gabime individuale, që kanë ndikuar në ndëshkimet me gol. Duhet rregulluar diçka sa i përket interpretimit të lojës në fazën difensive.

Shohim drejtorin Abilaliaj që e lë dhe e merr ekipin në tri raste. Janë korrekte këto lëvizje për të tilla nivele?

Për Abilaliajn unë kam shumë konsideratë, sepse është i ri dhe e kam pasur edhe si futbollist. Unë e kam me fenomenin. Nuk është hera e parë që te Partizani drejtuesit rrinë tre muaj si trajnerë e më pas si drejtorë sportivë. Ky nuk më pëlqen si fenomen. Unë që po flas jam prej afro tri dekadash si trajner, kam punuar kudo, por asnjëherë nuk kam pranuar që të bëhem drejtor. Kur të bëhem drejtor, nuk do të kem më punë me trajningun. Ajo që dua të them është se duhet të ndahen disa gjëra. Vetëm në Shqipëri ndodh kjo, që drejtorët të bëhen një herë trajnerë, një herë drejtorë.

Kjo nuk më pëlqen. Njerëzit duhet të profilizohen, ose do të jenë trajnerë, ose drejtorë apo menaxherë. Nuk ndodhin në asnjë vend të botës të tilla fenomene, vetëm në Shqipëri i shohim. Aktualisht te Partizani, edhe pse i qëndroj mendimit se trajneri (Veselinoviç) duhej larguar më parë, duhet të mbajnë përgjegjësi të gjitha strukturat për ndërtimin e skuadrës. Jo të jetë përgjegjësi e vetëm një personi sa i përket merkatos, cilësisë së lojtarëve, afrimeve dhe largimeve. Përgjegjësia duhet të jetë më e gjerë se e vetëm trajnerit.

Mendoni se fitorja në Korçë i dha garanci Partizanit për katërshen?

Tani situata është qetësuar. Fati i madh i Partizanit është se nuk ka konkurrentë. E vetmja që mund të rrezikonte ishte Elbasani, por kjo skuadër po më çudit me këto rezultate negative. Është një ekip i investuar shumë, me një stadium modern, me një tifozëri të jashtëzakonshme. Duhej të bënte më shumë në të dyja kompeticionet për të arritur objektivat, pasi është e qartë se ata kanë pasur objektiva, duke iu referuar ndërtimit të ekipit dhe afrimit të shumë lojtarëve cilësorë. Them se për ta ky sezon është i dështuar.

Si e prisni duelin mes Partizanit dhe Egnatias në gjysmëfinalet e Kupës?

Si ky duel, ashtu edhe ai mes Vllaznisë dhe Dinamos, do të jenë shumë interesante, sepse përballen katër skuadrat më të forta të kampionatit. Do të jenë përballje të zjarrta. Duelet janë të hapura dhe i shoh me shumë rivalitet.

Ku e shihni Tiranën në sezonin e ri, në Superiore apo në të Parën?

Do të dëshiroja shumë që Tirana të mbijetonte, sepse është një ekip, që i jep bukuri kampionatit. Ka cilësi në organikë, ka diferenca me rivalët e tjerë për mbijetesë, por ka pasur probleme të mëdha përgjatë gjithë kampionatit. Është në situatë të vështirë dhe do të jetë një luftë shumë ashpër mbijetesën në javët e fundit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL