EKSKLUZIVE/ Drejtor te kuqeblutë, Shtubina: Vllaznia një hap para, fiton me Egnatian (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2025 | 20:48

EKSKLUZIVE/ Drejtor te kuqeblutë, Shtubina: Vllaznia një hap para, fiton me Egnatian (E PLOTË)

Vllaznia është një nga skuadrat e momentit në Superiore, e ka nisur 2025-ën me 2 fitore në kampionat përballë Tiranës dhe Skënderbeut, si dhe ka kaluar në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Ndriçim Shtubina, ish-sulmues i kuqebluve dhe drejtor i akademisë së Vllaznisë, ka folur në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

shtubina

Ai ka analizuar fitoren e fundit ndaj Skënderbeut, duke evidentuar dominimin e ekipit të Brdariç. Shtubina ka dhënë një opinion edhe për sfidën e fundjavës me Egnatian kampione në fuqi, ku ai është aktivizuar gjithashtu.

Shtubina, një fitore e thellë e Vllaznisë përballë Skënderbeut në Korçë, ku skuadra shkodrane dominoi totalisht, apo jo?

Vllaznia besoj se bëri një lojë shumë të mirë në Korçë ndaj Skënderbeut. Ia bëri gjithçka më të lehtë vetes në një ndeshje, që patjetër mund të kishte “siklet”, sepse korçarëve u duheshin pikët për mbijetesë. Por Vllaznia u përgjigj jashtëzakonisht mirë në fushë dhe meritoi gjithçka. Dominoi në çdo gjë.

Zakonisht Vllaznia ka hasur vështirësi në sfida të tilla, kundër ekipeve që luftojnë për mbijetesë?

Skuadrat që luftojnë për mbijetesë janë gjithmonë të “rrezikshme”. Ato e shohin çdo ndeshje si finale dhe besoj se diferenca bëhet pikërisht në këto duele. Çdo ekip i kreut që ekipet e mbijetesës, do të bëjë diferencën, pasi ndeshjet direkt besoj se do shkojnë të barabarta deri në fund.

Më e rëndësishme loja, apo pikët në këto momente?

Mendoj se pikët merren duke luajtur futboll të mirë. Por nuk mund të luash gjatë gjithë 90 minutave mirë dhe në fund të fundit, çdo ndeshje luhet për pikët.

Çfarë mund të përmirësojë kjo skuadër në javët në vijim, ku gara vështirësohet më shumë?

Them se skuadra është në rrugën e duhur. Këshillat do të ishin “të tepërta”, duke qenë se skuadra po merr vetëm fitore këtë vit. Uroj të ecë në këtë ritëm edhe në vijimësi.

Vllaznia duket e sigurt tashmë në katërshen e parë, që në fund do të diskutojë titullin?

Mendoj që Vllaznia e ka siguruar “Final 4” jo vetëm nga pikët, por edhe nga cilësia që ka. Është një ekip që garanton, por nuk duhet nënvlerësuar asnjë ndeshje, në mënyrë që ritmi të mos ulet dhe përqendrimi të jetë i njëjtë deri në fund.

Mund ta ngrenë nivelin e skuadrës afrimet e janarit? Konkretisht Mensah, një lojtar i repartit sulmues?

Mensah është një futbollist që ka rritur besoj konkurrencën në sulm. Por ai do kohën e tij dhe duhet të rivalizojë një Balaj në super formë, që në ndeshjen e fundit shënoi 3 gola, duke u konfirmuar lojtari më i mirë në Superiore.

Dodaj është konfirmuar këtë sezon. Në syrin tuaj, a ka ndonjë futbollist tjetër që mund të fitohet këtë edicion?

Dodaj tashmë është një lojtar i rëndësishëm për ekipin. Është një djalë me dëshirë për të punuar dhe prandaj ka kapur dhe formacionin. Kam shumë besim edhe te Delaj. Thjesht i them të punojë shumë fort, sepse nuk i mungon asgjë për të luajtur futboll cilësor.

Në fundjavë Vllaznia luan një përballje rivalësh me Egnatian. Si një “ish” i dy ekipeve, si e parashikon Shtubina këtë sfidë?

Është një ndeshje që duhet shijuar, pasi përballë vihen dy nga skuadrat më të mira të kampionatit. Megjithatë, këtë edicion unë e shoh Vllazninë një hap më përpara dhe besoj se do ta kalojë me sukses Egnatian, duke marrë një fitore të rëndësishme në “Loro Boriçi”.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"