EKSKLUZIVE/ Dinamo lëviz në merkato dhe forcon krahët, pritet ish-mbrojtësi i Shpresave (E PLOTË)
Merkatoja ende nuk ka nisur, por lëvizjet e klubeve në prapaskenë po. Dinamo duket se ka qëllime ambicioze në Europë dhe po mendon menjëherë për përforcimin e skuadrës.
“Panorama Sport” mëson se kryeqytetasit kanë heshtur “grepin” më në periferi, te Vora. Shqiptari nga Manastiri, Ysni Ismaili, i cili iu bashkua Vorës në sezonin 2023-2024, ka marrë një ofertë konkrete nga Dinamo. Mbrojtësit të talentuar i është ofruar një kontratë trevjeçare me “blutë” e kryeqytetit, që në këtë sezon fituan Kupën e Shqipërisë dhe u kualifikuan edhe në Ligën e Konferencës, që është një reklamë më vete për secilin futbollist që është pjesë.
MBROJTËSI
Ismaili e pa klubin e Vorës si një trampolinë për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës dhe koha vërtetoi se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Përveç paraqitjeve të mira me Vorën, ai u thirr edhe në ekipin kombëtar U-21, ku tregoi vlera të konsiderueshme në mbrojtje, por edhe si kontribuues në sulm. Këtë edicion me Vorën ai shënoi dy gola, një në kampionat dhe një në Kupë. Performanca e tij e lartë ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të disa klubeve, por oferta më e konkretizuar dhe bindëse ka ardhur nga Dinamo e Ilir Dajës. Kështu, gjasat më të mëdha janë që 23-vjeçari të kalojë nga fanella blu e Vorës tek ajo e Dinamos.
PRAPASKENAT
Klubi i Vorës është përballur me një vendim të vështirë për ta liruar Ismailin, i cili është konsideruar si “motori” i skuadrës. Megjithatë, marrëveshja është pothuajse finalizuar dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi nga ana e klubit kryeqytetas. Në vijim do të shihen edhe detajet e marrëveshjes, nëse kemi të bëjmë me shitje apo transferim si lojtar i lirë. Duket se Vora do ta nisë në dalje këtë merkato vere, teksa mbrojtësi i djathtë i Shpresave bën një hap më të rëndësishëm në karrierë.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













