EKSKLUZIVE/ “Dikur hidhnin portokaj, tani ka ardhur radha e bidonave”! Drejtori i Dinamos: Ne jemi kampionët e fundit në “Loro Boriçi”
Ndeshja mes Vllaznisë dhe Dinamos, e zhvilluar këtë fundjavë u shoqërua me tension dhe polemika të shumta para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Drejtori i Dinamos, ka folur për “Panorama Sport”, aty ku ka shprehur zhgënjim për ndeshjen në Shkodër, duke shtuar se dikush duhet të kërkojë falje. Barushi u ndal edhe te merkatoja, duke zbuluar se në janar pritet të ketë lëvizje në kampin blu.
Ermal, një humbje në Shkodër që ju largon nga vendi i parë. Si e patë ndeshjen?
Kishim përgatitur mirë ndeshjen, reflektimi i së cilës u pa deri në minutën e 90+7, djemtë mezi prisnin për të hyrë në fushë me karakterin e përhershëm, atë të fituesit, me një futboll që karakterizon historinë e këtij klubi dhe nën frymën e fair play. Megjithatë, përtej dëshirës, jo gjithmonë kush mbizotëron del fitues, në thelb bëmë çdo gjë pozitive përveç golit.
A mendon se kjo humbje mund të ndikojë në atmosferën dhe vazhdimësinë e skuadrës?
Kampionati ka specifika të tjera; rëndësi ka të jemi në katërshe dhe gjithmonë me sinjalin e parakalimit ndezur, nuk kemi pse mërzitemi. Stafi dhe futbollistët kanë bërë një punë të shkëlqyer, mbështetja e presidentit Adrian Bardhi është shumë e madhe, duke qenë bashkë jemi të fortë, pastaj fitoret do të vijnë, pasi sapo u mbyll fazën e parë.
Përtej rezultatit, sfida u shoqërua nga polemika para dhe gjatë ndeshjes si nga stafet e nga tifozët. Sa ndikuan?
Nëse diskutojmë për ndeshjen, 15 minutat e para nuk ishin të mira; pamë një Vllazni agresive, mbase edhe nga atmosfera e krijuar para ndeshjes, gjë që opinioni sportiv e di tashmë. Pastaj, për 75 minutat e tjera nuk ka fjalë: bëmë një stadium të heshtur dhe njëkohësisht të nervozuar, ku statistikat e ndeshjes flasin vetë: 56% kontrolli i topit, 14 gjuajtje me 3 të Vllaznisë, 7 me 2 goditje këndi dhe me një fair play për 97 minuta me një karton të verdhë.
Si e komentoni festimin e trajnerit të Vllaznisë?
Siç e ceka pak më sipër, atmosfera është e mirë, punohet fort dhe me përulësi; nuk ka shqetësim. Mos e harrojmë dhe i gjithë opinioni: Dinamo është kampionia në fuqi në “Loro Boriçi”, fituesja e fundit që ngriti trofeun e kampionatit në vitin 2002 në atë stadium. Të them të drejtën, nuk duhet të nxisim dhe anatemojmë situata të tilla të pakuptimta. Futbolli luhet në fushë dhe për publikun, edhe fusha është ajo që përcakton fituesin.
Ndërkohë, situatë e tensionuar ishte edhe në tribuna…
Jam pak i zhgënjyer nga ajo mikpritje; dikur sportdashësit shkodran hidhnin portokalle, por mesa duket në këtë ndeshje ishte radha e bidonave. Jemi munduar të mos frymëzojmë situatën dhe të shmangim polemikat në fushë dhe në komentet publike. Le të flasin më mirë futbollistët, dhe ajo që ne japim në fushë pastaj gjykimin e bën opinioni.
Unë kam studiuar dhe punuar në Shkodër dhe e njoh atë ambient; ai popull është i dashuruar me futbollin, prandaj mirë është që të mbështesim dhe të prodhojmë vetëm futboll cilësor jashtë mesazheve që përcillen para apo pas lojës, në konferenca apo mes një stadiumi, qofshin edhe me gjeste antisportive. Përgëzoj trajnerin Ilir Daja për maturinë dhe profesionalizmin e treguar, dhe më duhet të sqaroj që komentet ishin vetëm në kuadrin e fushës, pa ndërhyrje dhe protagonizëm, pa mësuar fëmijët e vegjël të vonojnë lojën ose të hedhin topa në fushë. Në fund, ky futboll, përtej se është komercial, është edhe për atë brez.
Përtej postit të drejtorit, çfarë pret nga Disiplina si një ish-arbitër dhe që i njeh rregulloret?
Presioni i rezultatit është arsye e humbur; mendoj që emocionet e nxorën nga vetja, dhe jam i bindur që pas 24 orësh ai është bërë pishman. Nuk më intereson disiplina, më intereson nderi dhe krenaria e klubit tonë, siç përcjellim respekt dhe mikpritje në ndeshjet që organizojmë, ashtu duhet të sillen dhe konkurrentët. Dikush nga ai ekip duhet të kërkojë ndjesë.
Ne nuk jemi klub që bëjmë polemika; vetë ky lloj ambienti ndër vite dhe politika e presidentit Bardhi nuk e pranon dhe e nxjerr vetë jashtë sistemi. Mos harrojmë që historikisht ky klub ka prodhuar futboll, ka nxjerrë futbollistë të shkëlqyer ndër vite dhe ka më shumë mjeshtra sporti se çdo klub tjetër.
Është klubi i dytë më i titulluar në Shqipëri: e ka emrin Dinamo. Meqë po afron edhe merkatoja, a do të ketë surpriza? Merkato patjetër; janë stafet teknike që përcaktojnë ndërhyrjen. Besoj se jemi në kohë nëse do të jetë e nevojshme. Presidenti Adrian Bardhi është i angazhuar për të bërë një skuadër solide, kampione dhe krenari për gjithë opinionin, jo vetëm në Tiranë, por kudo në Shqipëri.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













