EKSKLUZIVE/ Deklaratë e bujshme nga ikona vlonjate: Flamurtari vuan nga xhelozia dhe papërgjegjësia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2026 | 20:50

EKSKLUZIVE/ Deklaratë e bujshme nga ikona vlonjate: Flamurtari vuan nga xhelozia dhe papërgjegjësia

Legjenda e futbollit vlonjat, Latif Gjondeda, flet rrallë, por kur e bën, është njëkohësisht kritik dhe realist, sepse i dhimbset Flamurtari që bëri histori. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gjondeda e cilëson pozitiv barazimin me Dinamon, por thekson se ndaj Partizanit duhet patjetër fitorja dhe parashikon një ndeshje spektakolare. Sipas tij, skuadra ka cilësi, por stafi teknik duhet të marrë përgjegjësi.

Screenshot 2026-02-20 204948

Ai nënvizon gjithashtu se Vlora vuan nga xhelozia dhe se në ekip duhet të kishte 5-6 lojtarë vendës. Një mesazh i veçantë shkon edhe për presidentët Duka dhe Idrizi lidhur me mbështetjen e të rinjve, duke bërë që kampionatet e moshave të jenë më serioze. Ndërsa për Lushajn shprehet se është talent, por pa mbështetje rrezikon të “digjet”.

Gjondeda, mendoni se barazimi me Dinamon ishte një pikë për klasifikimin apo për vazhdimësinë? Unë mendoj se është një pikë që na rrit disi dhe na jep shpresë për të vazhduar betejën. Kemi disa ndeshje direkte që duhet t’i zgjidhim. Për ne tani të gjitha ndeshjet janë finale. Edhe kur kemi luajtur jashtë kemi hyrë për rezultat, sepse gjithçka varet nga besimi, përqendrimi dhe lufta në fushë. Loja është ajo që të nxjerr përpara, por kjo pikë na jep shpresë.

Mendoni se kjo skuadër prodhon futboll cilësor? Futbolli është më shumë lojë psikologjike sesa lojë fushe. Kur ana psikologjike është e rënduar, ndikon shumë. Problemi është që skuadra jonë ka nevojë për më shumë mbështetje nga publiku. Tifozët duhet të jenë kërkues, por jo të ushtrojnë presion që i bllokon futbollistët. Skuadra ka rrëshqitur në këtë situatë. Vlora vuan më shumë nga xhelozia sesa nga mungesa e respektit, sepse trajnerë të mirë ka. Por edhe 5-6 lojtarë në ekip duhet të ishin vlonjatë. Kjo nuk ka ndodhur sepse nuk është punuar si duhet. Skuadra ka nevojë për orientim të qartë. Trajnerin nuk e njoh personalisht, por ka qenë futbollist shumë i mirë; tani duhet të tregojë vlerat te skuadra.

Ju bind kjo skuadër dhe ky trajner? Nuk mund ta paragjykoj trajnerin dhe ekipin, por për momentin skuadra nuk ka ecuri të mirë. Trajneri mban përgjegjësinë kryesore, sepse ai e njeh dhe e përgatit ekipin. Si qytet na duhet më shumë mobilizim dhe bashkim forcash.

Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin? Do të jetë një ndeshje e bukur, një përballje emrash të mëdhenj të futbollit. Vetë zemra të shtyn të shkosh në stadium për Flamurtari–Partizani. Duhet mobilizim total. Nëse e kalojmë këtë ndeshje, bëjmë një hap shumë të mirë. Na duhet patjetër fitorja. Stafi duhet ta përgatisë skuadrën vetëm për tri pikët. Kjo ndeshje është një shpresë për ne dhe e luajmë në fushën tonë.

Rikthimi i tifozëve është lajm pozitiv? Në ndeshjen me Elbasanin, kur u kthyen tifozët, isha në stadium. Nuk është në rregull kur publiku reagon negativisht. Edhe ne kemi luajtur futboll, herë mirë, herë keq, sepse futbolli i ka të gjitha. Duhet të jemi me “këmbë në tokë”. Tifozët nuk duhet ta dëmtojnë skuadrën në ecurinë e saj.

Mendoni se skuadra ka futbollistë cilësorë? Unë mendoj se ka lojtarë luftarakë.

Pse nuk bind plotësisht loja e Flamurtarit? Në Vlorë shoh që ka shkëputje mes reparteve dhe për këtë arsye kanë munguar rezultatet. Ne kemi humbur ndeshje në fushën tonë. Me djemtë vlonjatë që janë në staf kam folur dhe u kam thënë t’u kujtojnë lojtarëve se çfarë përfaqëson Flamurtari dhe fusha e Vlorës.

Nga se vuan ky Flamurtar? Ka shumë probleme që e kanë çuar skuadrën deri këtu… edhe nga gjykimi në disa raste. Mua më pëlqen qetësia e Sinan Idrizit edhe kur skuadra humbet, ka një qetësi fantastike dhe bën sakrifica financiare. Por duhet parë më shumë puna me akademinë dhe prodhimin e talenteve. Presidenti Armand Duka atë që bëri me Kombëtaren duhet ta bëjë edhe me moshat, një kampionat serioz për të rinjtë. Qytetet e mëdha kanë potencial dhe duhet të vlerësohen. Ka të rinj që punojnë dhe sakrifikojnë. Ne kemi edhe Geri Çipin aty. I uroj të bëhet përfaqësues i denjë dhe t’i ngjajë xhaxhait të tij, që ishte kapiten i mirë. Duhet të ngrejë zërin edhe ai. Këtë e kam edhe për presidentin Idrizi. E përgëzoj për mbështetjen financiare, por duhet mobilizim më i madh i të gjithë faktorëve dhe të rinjve. Sot ka rënë dëshira dhe shpresa. Po i mbushim ekipet me lojtarë të ardhur. Pse të na mungojë talenti? Nuk mungon.

Ka talente Vlora? Lushaj për mua është talent. Por nëse nuk ka grup, trajner dhe mbështetje të duhur, edhe ai rrezikon të digjet. Dhe kjo është ajo që më dhemb më shumë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL