EKSKLUZIVE/ “Daja largohet vetëm po e la mendja”, presidenti Bardhi para Egnatias: Dinamo nuk toleron askënd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2026 | 8:51

EKSKLUZIVE/ “Daja largohet vetëm po e la mendja”, presidenti Bardhi para Egnatias: Dinamo nuk toleron askënd

Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione të shumta dhe duket larg në garën për titullin kampion. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi pranon se është gabuar këtë sezon, megjithatë ai është besimplotë se projekti do të vazhdojë. Bardhi foli për infrastrukturën e Dinamos, duke u shprehur se ka një tjetër projekt madhor me fusha, teksa u ndal edhe te merkatoja.

bardhi daja

President, po i afrohemi fundit të kampionatit. Në një analizë të përgjithshme, si e ke parë sezonin e Dinamos?

Nga pikëpamja ime, sezoni i Dinamos ka qenë një sezon me ato ulje-ngritjet e veta. Po në përfundim të sezonit mund të bëhet dhe ajo analiza e përgjithshme si me thënë, se çfarë është bërë mirë dhe cfarë jo. Nuk është një sezon i mirë sepse pritshmëritë e Dinamos ishin shumë të larta pas asaj që ne kaluam sezonin e kaluar dhe fundin e kampionatit, ecurinë në Europë, ku bëmë ndeshje shumë të bukura. Rekrutuam lojtarë, u afruan lojtarë të rinj te Dinamo dhe u larguan edhe disa lojtarë që mbanin ato peshat kryesore të ekipit. Po në përgjithësi, ky sezon nuk ka dhënë atë përshtypjen e duhur, ose e thënë më saktë, diku ne gabuam. Se faza e tretë e kampionatit ishte ajo që ne kemi grumbulluar shumë pak pikë. Shtatë pikë në të gjithë fazën janë pak dhe nuk e di çfarë ndodhi. Ndoshta edhe dëmtimet, ndoshta edhe lodhja, nuk e kam shumë të qartë këtë pjesë. Po tani jemi brenda objektivave. Objektivat i quajmë Europën tani, se objektivi primar që ishte titulli, dëshira e madhe e klubit ishte Dinamo të luajë gjithmonë për të fituar, të jetë në garë për të fituar këtë kampionat. Po në futboll nuk është se ajo që mendojmë ose ajo që investojmë më shumë kthehet në realitet. Nuk e di ku e bëmë gabimin. Ndoshta, siç thashë, dëmtimet, ndoshta gabuam disa ndeshje që duhet të ishim më cinikë. Po që ne vazhdojmë akoma të bëjmë merkato të mirë, vazhdojmë prapë të afrojmë lojtarë të mirë, lojtarë talente të rinj.

A keni filluar të piketoni emra për merkaton dhe a do ketë goditje të bujshme nga Dinamo apo më shumë të rinj?

Gjithmonë kjo do të jetë një gërshetim, si talenti ashtu edhe lojtarë me eksperiencë. Futbollistë me eksperiencë do të kemi gjithmonë, por boshtin e skuadrës ne do ta ruajmë patjetër. Janë po të njëjtët lojtarë që janë në rinovime kontratash. Por që do të ketë edhe afrime të tjera patjetër që do të ketë. Ne po shikojmë me insistim lojtarë që të kenë atë pjekurinë e duhur. Po shohim dy-tre ndërhyrje pikante, mund t’i quajmë. Sepse lojtarë talente ne i kemi, kemi brenda grupit shumë lojtarë që po presim të japin efektin e vet. Për shembull, ai djali Malomo që u mor kësaj radhe, pa dyshim është një talent shumë i rëndësishëm. Tani Qefalija është brenda. Mustafa Koma, 18 vjeç që shënoi edhe kundër Flamurtarit është një talent. Kemi dhënë në huazim Berishën te Dukagjini, që po bën mirë edhe atje. Domethënë ekipi është i strukturuar, mbrojtja dhe të dy fashat janë shumë mirë, me mosha të reja që kanë kontrata afatgjata. Mesfusha është e mirë, Qefalija është lojtar i ri me perspektivë të madhe dhe është me kontratë deri në 2028-2029. Domethënë, me dy-tre ndërhyrje me cilësi, mund të pretendojmë. Se atë ëndrrën e kampionatit duam ta kthejmë. Dinamo në historikun e vet çdo një-dy vjet merrte kampionatin, është edhe 18 herë kampion. Këtë historinë që Dinamo ka pasur, ne do ta kthejmë.

Veç merkatos, ka pasur edhe shumë ndërhyrje në infrastrukturë…

Ndërtimi im këto vite janë vite zhvillimi për Dinamon, të tranzicionit, të bërjes së fushave të futbollit, infrastrukturës që është shumë e rëndësishme sot. Ne kemi nisur fushat e reja me bar, dy fusha futbolli. Domethënë Dinamo, të paktën këto katër, pesë vjet që, që unë drejtoj Dinamon, ka bërë një revolucion. Unë e quaj një revolucion të vogël, po është aq i madh brenda familjes së Dinamos është diçka e madhe për ne. Po bëjmë kompleksin tonë, një kompleks shumë të rëndësishëm për klubin. Do bëhet një kompleks prej 35 mijë metrash katror, që do t’i japë komoditet lojtarëve. Sepse sot fushat me bar janë shumë të rralla në Shqipëri. Duhet të ndërtojmë edhe administratën, të afrojmë njerëz të rinj që duan të punojnë për klubin. Akademia e Dinamos ka qenë për shumë vite në zhdukje dhe këto gjëra nuk bëhen kollaj. Edhe vetë Dinamo dukej si një klub në zhdukje dhe për një klub në zhdukje, në këto 4-5 vite kemi bërë një revolucion, një Kupë Republike, Superkupë, pjesëmarrje në Europë. Kemi bërë diçka të mirë dhe do të vazhdojmë çdo ditë të bëjmë mirë.

Sa ndikon mungesa e tifozëve dhe çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar?

Tifozët janë forca më e madhe. Dinamo nuk ka qenë ndonjëherë me tifozeri të çmendur, ka pasur gjithmonë njerëz të qetë, “me kollare”, që e shikojnë sportin me gjykim. Problemi është që Dinamo ka qenë gjithmonë pa shtëpi, gjithmonë me çadër në dorë, hap çadrën e mbyll çadrën, njëherë në Elbasan, njëherë në Durrës e një heër tjetër ku di unë ku. Tani me kontratën në “Air Albania” dhe me rezultatet që shpresojmë, tifozët do afrohen gradualisht. Mjafton t’i japim sport të bukur dhe derbi të forta, të kthehen ato derbit që ka pasur dikur. Dua të kthej tifozët siç kthehen sepse në çdo familje në Tiranë, ka një tifoz me Partizanin, një me Tiranën dhe një me Dinamon.

Sa i përket trajnerit Daja, keni thënë që ka një kontratë të përjetshme me Dinamon. Si është situata pas këtij sezoni?

Shiko, profesor Daja është një njeri që ka egon e fituesit. Është një njeri që lufton shumë për të arritur ato majat e futbollit, ose si e shikon ai, si e koncepton Daja futbollin. Patjetër edhe me gabimet e veta, se çdo njeri ka gabimet e veta, po ne shikojmë një bashkëpunim shumë afatgjatë bashkë me Dajën, që ne e kemi fatin më të madh që kemi trajnerin më të… nuk dua të them më të suksesshëm, po njeriun që e përshtatëm për klubin tonë. Është njeriu që u përshtat për klubin tonë. Unë e shikoj si diçka shumë të mirë. Tani kjo flitet nga ana ime, pastaj nga profesori nuk e di, se mund t’i ikë nga mendja edhe profesorit, ça të them unë? Dëshira e klubit është për po, ta vazhdojmë projektin edhe për shumë vite të tjera bashkë. Të paktën ai në kontratë është në vazhdimësi të gjatë me klubin. Tani edhe deklaratat e mia janë që do të jetë i përjetshëm në klub. E kam ekzagjeruar pak që kam thënë këto tridhjetë vjet, ku di unë sa e kam thënë, por… Po të bëja dhjetë vjet, ai është gjashtëdhjetë, edhe dhjetë të tjerë, shtatëdhjetë. Shtatëdhjetë nuk do ta duronte çuni i vet aty te shtëpia, jo ta duroja unë më (qesh). Pastaj, ai ka rritur Glenin. Familja e Dajës është aty brenda. Ne jemi aty të gjithë bashkë. Dhe ideja është kjo, të bëjmë më të mirën për Dinamon. Të gjejmë ato defekte që janë krijuar edhe nëpërmjet nesh. Pra, do të thotë të rritemi nëpërmjet njëri-tjetrit. Qëllimi është që ne kemi dëshirë shumë të madhe Dinamon ta kthejmë aty ku ishte, aty ku ajo Dinamo në çdo dy vjet fitonte një kampionat, ose mos them që çdo vit e fitonte dhe ishte e frikshme. Dinamo është markë, për sportin shqiptar… nuk e di çfarë të them. Përfaqëson shumë gjëra Dinamo.

President, shpesh herë ka pasur ankesa për gjykimin. Ju vetë, sa mendoni se ju ka ndikuar gjykimi këtë sezon?

Unë nuk dua të merrem me gjykimin, për arsye se… nuk merrem dot me gjyqtarët, me gjykimin. Unë e shikoj gjithmonë që ekipi duhet të luajë në fushë nëntëdhjetë minuta dhe nuk duhet të mbështetet as te gjykimi, as te një pjesë tjetër. Por edhe me një gjykim të keq ndoshta, një skuadër e fortë moralisht, sportivisht, me karakter, fiton edhe me gjykim, edhe me pak gjykim të shtrembëruar, e quaj unë, e shikoj unë.

Figurat e Dinamos kanë shprehur pakënaqësi për sa i përket emrit Dinamo City. Do të vazhdojë me “City” apo do të jetë me “Tirana”?

Dinamo do të jetë Dinamo Tirana City. “City” është një pjesë e një rinovimi, ta quajmë, për interes të sportit, për të zhvilluar sportin, siç u pa edhe herën e kaluar me këtë projektin e madh që ne donim ta realizonim, një klub i madh siç është Dinamo, me një projekt shumë të madh për të zhvilluar sportin. Prandaj ky është një qëllim. Dinamo është e vitit 1950. Dinamo është tetëmbëdhjetë herë kampion i Shqipërisë, e ka yllin sipër. Këto ndryshime i kanë të gjithë në botë. “City” është për të mirën e sportit, që familja e Dinamos të jetë për diçka të mirë, të shërbejë mirë, të ketë fushat e veta, të ketë stadiumin dhe kjo mundësi të mos na ndodhë edhe neve, siç ka ndodhur në shumë klube të botës. Ku është qëllimi? “City” është qytet. Dinamo Tirana City. Ja si e konceptoj unë. Nuk ka të bëjë kjo “City”, që u bë si një sëmundje, ai është me yllin e vet. Ka stemën e vitit 1950, është Dinamo Tirana City. Qyteti i Tiranës, Dinamo. Ktheje si të duash. Unë me atë anglishten time jo shumë të mirë, kështu e konceptoj. Ky është një rinovim. Thashë edhe njëherë tjetër që na u dha kjo mundësi që, shpresoj, po e çojmë deri në fund këtë projekt, se gjatë rrugës këto projektet e mëdha ndonjëherë mbeten përgjysmë. Nuk është e rëndësishme nëse shkruhet “City” te Dinamo Tirana. Nuk e ndryshon fare historikun e klubit. Dinamo është Dinamo e Tiranës. “City” është diçka që fillon një revolucion të ri, diçka e re për të mirën e klubit, për të mirën e gjithë gjërave, kështu e shikoj unë. Por ndoshta, në qoftë se këta dinamovitët e vjetër që e duan kaq shumë Dinamon e kanë problem, patjetër mund t’ua plotësojmë edhe atyre dëshirën dhe mund ta heqim por nuk besoj se është problem madhor.

Kanë mbetur edhe pak javë nga “Final 4” dhe finalja e Kupës…

Po, nëse arrihet njëra, do të arrihet edhe tjetra. Unë them që do t’i luajë qoftë të dyja. Nuk toleroj në asnjë lloj mënyre. Duhet, duhet të jemi aty, duhet të jemi prezent në ndeshje. Dinamo duhet të jetë gjithmonë, në çdo lloj kampionati, prezent deri në fund të të gjitha garave. Është klubi më i titulluar nga fillimi i krijimit deri sot. Është klubi më i titulluar në Shqipëri. Është tetëmbëdhjetë herë kampion i Shqipërisë, nga vitet ’50 deri në 2010 është më i titulluari, po ta shikosh. Tani unë jam edhe pronar i klubit dhe president i klubit. Do t’i bëj më të mirën Dinamos që ta shikojmë atë Dinamon e bukur, si më pëlqen edhe mua, se unë jam edhe pak pinjoll te këto gjëra, më pëlqen. Më pëlqen të bëjmë gjëra të bukura, por gjëra të bukura për sportin, jo në mënyra të tjera, vetëm për sportin. Të ketë futboll, që të rrjedhin të rinjtë e Dinamos, të vijnë si Dinamo e Zagrebit. Të krijohet një skuadër siç e ka vendin.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL