EKSKLUZIVE/ Canaj analizon dy skuadrat dhe sfidën e së shtunës: Dinamo ka goditje, Vllaznia për kampion (E PLOTË)
Të shtunën do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme në garën për “Final 4”, ku Vllaznia do të presë në Shkodër skuadrën e Dinamos, në kuadër të javës së 29-të të Superiores.
Në prag të këtij takimi, për “Panorama Sport” ka folur ish-trajneri që ka drejtuar të dyja skuadrat, Agim Canaj i cili shprehet se kjo sfidë mund të vendosë shumë për objektivat e dy ekipeve. Ai ka analizuar formën e dobët të Dinamos, e njëkohësisht u ndal edhe te Vllaznia të cilën e konsideron favorite për të fituar titullin.
Profesor Canaj, nisi faza e katërt e kampionatit dhe e fundit. Si të është dukur deri në këtë moment kampionat?
Po të them të drejtën, kampionati është bërë mjaft interesant për shkak të pozicionimeve që janë krijuar si në fillim, në mes, ashtu edhe në fund të renditjes. Do të thosha që ndoshta edhe formula e re i ka dhënë më shumë seriozitet ndeshjeve. Gjithmonë skuadrat e kreut synojnë të shkëputen sa më shumë për të përfituar në “Final Four”. Ndërsa në pjesën e fundit, normalisht, katër skuadrat e fundit po luftojnë fuqishëm për të mbijetuar dhe për të mos rënë direkt nga kategoria, duke filluar nga Vora, Bylisi, Tirana dhe Flamurtari.
Nga kjo katërshe e fundit, cila është më e rrezikuar?
Normalisht është e vështirë të përcaktohet, megjithatë faza e katërt është edhe faza më e nxehtë e kampionatit. Në dy-tre ndeshjet e para, skuadrat përballen drejtpërdrejt me njëratjetrën dhe kjo e bën situatën edhe më delikate. Çdo fitore ndaj një kundërshtari direkt të jep një avantazh të madh, ndërsa humbja ndikon edhe psikologjikisht. Kështu që do të thosha se do të jenë ndeshje shumë të luftuara për mbijetesë dhe kjo është normale. Këto javë janë shumë vendimtare për fundin e renditjes dhe përcaktimin e skuadrave.
Ndërkohë, Dinamo largohet nga “Final Four”-i, të paktën për momentin, dhe ndodhet katër pikë larg. A mendon se mund të rikthehet sërish?
Normalisht, faza e tretë, siç fitore është diskutuar edhe më parë, ka lënë shumë për të dëshiruar për Dinamon, si në lojë ashtu edhe në rezultate. Kur nuk merr rezultatet, krijohet kjo situatë që po shohim. Partizani nga një diferencë prej dymbëdhjetë pikësh arriti ta kalojë dhe tani është katër pikë përpara. Edhe Teuta iu afrua me dy pikë, madje duke e mundur në një ndeshje direkte. Pra, situata është alarmante. Nëse e analizojmë, Dinamo ka qenë një nga skuadrat më të investuara për të fituar kampionatin. Prej dy-tre vitesh është ndërtuar me këtë objektiv. Por në këto momente ka një tension të madh brenda ekipit, për shkak të situatës që e ka krijuar vetë në fazën e tretë. Tani çdo ndeshje është vendimtare. Ndeshja e radhës është shumë e fortë, pasi përballet me Vllazninë. Kjo do të jetë një sfidë që ndan objektivat, nëse humbet, goditja do të jetë shumë e madhe dhe nëse fiton, gjërat mund të marrin një drejtim tjetër. Gjithashtu, duhet parë edhe përballja mes Partizanit dhe Teutës, si dhe ndeshjet e tjera direkte, si Elbasani me Egnatian. Pra, skuadrat e vendeve të para përballen me njëra-tjetrën dhe gjithçka mbetet e hapur.
Nga eksperienca juaj dhe duke e njohur mirë kampionatin shqiptar, cili mendoni se është problemi kryesor i Dinamos?
E kam thënë edhe më parë në intervista dhe në televizion se ajo që shoh te Dinamo në këto momente është një goditje e fortë psikologjike nga rezultatet negative. Skuadra nuk ishte mësuar të humbte disa ndeshje radhazi, siç ndodhi në fazën e tretë. Cilësia e lojtarëve është ende aty, por aktualisht skuadra ka nevojë të ndryshojë ritmin dhe të përdorë strategji të tjera, sepse kundërshtarët tashmë e kanë studiuar dhe dinë si ta bllokojnë. Një faktor i rëndësishëm është edhe forma jo optimale e një lojtari kyç si Bregu, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm në fazën sulmuese. Problemet nisin që nga ndërtimi i aksionit deri te përfundimi i tij. Dinamo nuk ka qenë e duruar në lojë, ndërsa humbjet e topit dhe tranzicionet e dobëta kanë bërë që skuadra të jetë e paorganizuar në fazën mbrojtëse. Kjo ka sjellë edhe pësimin e shumë golave. Në veçanti, skuadra ka probleme në lojën në krahë, ku shpesh është goditur në situata një kundër një ose në diagonale të kundërt. Pikërisht në këto hapësira kundërshtarët kanë gjetur terren dhe kanë shënuar. Ky është një nga defektet kryesore që Dinamo nuk ka arritur ta korrigjojë gjatë fazës së tretë.
Ndërkohë, një nga skuadrat që dua të ndalem është edhe Vllaznia, e cila duket se ka ndryshuar fytyrë. E sheh si favorite kryesore për titullin kampion?
Do të thosha që këto skuadra kanë bërë investime shumë të mëdha në dy-tre vitet e fundit dhe Vllaznia është padyshim një nga ekipet më të investuara. Ka një cilësi shumë të mirë lojtarësh. Unë personalisht e kam drejtuar këtë skuadër tre herë dhe e njoh mirë edhe mentalitetin e saj. Në Shkodër ekziston ajo shprehja e famshme që futbolli është fe, prandaj presioni është gjithmonë shumë i madh. Çdo shkodran është i lidhur ngushtë me ekipin dhe pret me çdo kusht që Vllaznia të shpallet kampione. Deri në këto momente, skuadra po ecën shumë mirë. Megjithatë, kampionati ka fazat e veta dhe ndeshjet bëhen gjithnjë e më të vështira. Një nga përballjet kryesore është ajo me Dinamon. Do ta quaja një ndeshje që ka prodhuar edhe një tension të panevojshëm. Unë i kam drejtuar të dyja skuadrat dhe i njoh mirë. Kam luajtur edhe me Dinamon e viteve ’81- ’91 dhe nuk ka pasur kurrë konflikte, fitonim ne, fitonin ata, por marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë shumë të mira. Prandaj mendoj që në plan të parë duhet të jetë futbolli, jo agresiviteti. Janë dy skuadra që luajnë ndër futbollin më cilësor në Shqipëri dhe kjo duhet të reflektohet në fushë.
Si pyetje të fundit, si mendon se mund të përfundojë kjo ndeshje?
Unë pres një përballje shumë të fortë, sepse çdo rezultat i Vllaznisë ndikon drejtpërdrejt në garën për vendin e parë, ndërsa çdo humbje e Dinamos do të ishte një goditje e madhe për objektivat e saj të sezonit. Nga ana psikologjike, Vllaznia është në gjendje më të mirë se Dinamo, pasi ka marrë një fitore 2- 0 në Tiranë. Pra, momenti është në favor të saj. Megjithatë, kjo është një ndeshje shumë e veçantë dhe me presion të madh për të dy skuadrat. Vllaznia ka edhe disa mungesa të rëndësishme, si ajo e Kastratit apo ndonjë lojtari tjetër të dëmtuar, por edhe Dinamo ka problemet e saj. Do të dëshiroja që të shihnim një ndeshje të bukur dhe të fitojë skuadra që e meriton. Është e vështirë të japësh një parashikim të saktë, sepse historikisht Dinamo ka fituar shpesh në Shkodër, ashtu si edhe Vllaznia ka fituar në Tiranë. Por ky është një moment shumë vendimtar për të dy ekipet. Do të jetë një ndeshje me presion të lartë sportiv dhe shpresoj që kjo të mos kalojë në situata të tjera jashtë frymës së lojës.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













