EKSKLUZIVE/ Bitri zbulon prapaskenat me Tiranën, ish-kapiteni i Partizanit: Derbin e vendos Skuka-Kontreras (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2025 | 12:40

EKSKLUZIVE/ Bitri zbulon prapaskenat me Tiranën, ish-kapiteni i Partizanit: Derbin e vendos Skuka-Kontreras (E PLOTË)

Eneo Bitri është ishkapiten i Partizanit, që e ka provuar 12 herë ndeshjen derbi me Tiranën. Po ashtu në këtë përballje ka mbajtur edhe shiritin. 29- vjeçari luan aktualisht me Nyiregyhazën në Hungari ku ka fituar së fundmi edhe vendin e titullarit.

bitri-e1657563079297-2

“Panorama Sport” siguroi së fundmi një intervistë në prag të derbit Tirana-Partizani, takim që do të luhet më 7 dhjetor prej orës 18:00 në stadiumin “Air Albania”. Bitri kthehet pas duke kujtuar derbin ku debutoi. Bëhet fjalë për një ndeshje të javës së gjashtë në stadiumin “Selman Stërmasi”, që të kuqtë e fitonin në edicionin 2019/20 me rezultatin 1-2. Bitri provohej si titullar në atë edicion, që nisi mirë dhe gjithçka u prish në vitin 2020. Mbrojtësi ka lënë hapur mundësinë për t’u kthyer te Partizani, duke e konsideruar zgjedhje të parë ndërsa tregon edhe interesimin e Tiranës për të.

Çfarë ju sjell ndërmend kjo ndeshje dhe që e bën kaq të veçantë?

Të 12-të paraqitjet në derbi i kam shijuar. Sido të ketë qenë, humbje apo fitore. Derbi është derbi. Atmosfera që krijohet është mjaft e bukur, është elektrizuese në stadium. Emocionet që të jep derbi nuk besoj të jep një ndeshje tjetër në Shqipëri. Kjo e bën të veçantë. Edhe pse numri i tifozëve ka rënë dhe nuk është si më parë, por prapë derbi është i veçantë.

Ku mendoni se Partizani mund të fitojë avantazh ndaj Tiranës?

Partizani mendoj se ka mundësi për të mbajtur ritmin që sapo ka nisur në fazën e dytë. Po bën mjaft mirë me trajnerin e ri Kërnaja. Duhet të mbajë këtë agresivitet dhe mënyre loje që po bën. Mendoj se po bëjnë ndeshje shumë të mira, me pak fat mund të kishin më shumë pikë sot. Futbolli ky është, në një ndeshje ndoshta nuk merr atë që meriton, por në fund shpërblehesh. Partizani duhet të shfrytëzojë pikat e dobëta të Tiranës. Dihet se nuk është në momentin e saj më të mirë. Partizani ka mundësinë për t’i shfryzojë, që të bëjë revansh në këtë derbi.

Cili është derbi që nuk e harroni dhe pse?

Dua të them që derbi i parë është në vitin 2019, kam debutuar dhe kemi fituar 1 me 2. Nuk harroj asnjë pjesë. Ruaj edhe një video me festimet e bëra pas ndeshjes. E luanim ndeshjen në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ishte pritëse Tirana, tifozët tanë ishin nga krahu i tribunës. Unë dhe sot e kësaj dite kur e shoh, kam shumë mall për atë ndjesi.

Çfarë këshille do t’u jepnit lojtarëve që mund të debutojnë në derbi?

Këshilla ime e vetme është që të fokusohen te ndeshja dhe të japin 100% e tyre. Në derbi nuk të vjen gjithmonë mundësia që të luash. Sado pak, apo kush është 90 minuta në fushë, duhet ta shijojë dhe të marrë maksimumin.

Si ju duket niveli i derbit sot krahasuar me kohën kur luanit ju?

Nuk është i njëjti nivel që ka qenë përpara. Mendoj se nuk janë të njëjtët lojtarët. Shpresoj që derbi të mbetet një panoramë për futbollin shqiptar, pavarësisht lojtarëve. Klubet nuk shuhen, por lojtarët ndërrohen. Di të them që të dy klubet kanë ndryshuar shumë lojtarë, nuk janë të njëjtë dhe shpresoj që ta shijojnë këtë derbi.

Në verë pati kontakte me Partizanin. A i konsideroni të kuqtë një opsion real, nëse ktheheni në Shqipëri?

Kam pasur kontakt me Partizanin dhe dihet, pasi e konsideroj Partizanin si shtëpinë time të dytë. Kam pasur interesim edhe nga Tirana gjithashtu. Kam preferuar të flas fillimisht me Partizanin, që të di se ku jam, pastaj vendosa që të vazhdoj karrierën time jashtë Shqipërisë. Mundësi reale normalisht që do të ishte Partizani, nëse do të kthehesha në Shqipëri. Duhet t’ja lë kohës këtë gjë dhe të mos flas para kohe. Partizani do të ishte zgjedhja ime e parë, nëse do të kthehesha në Shqipëri. Do të diskutoja me drejtuesit e Partizanit, pastaj të vendosja për të ardhmen.

Cili është parashikimi dhe kush mund ta vendosë derbin?

Mendoj se Skuka dhe Kontreras që po bën shumë mirë, janë dy lojtarët që mund t’i japin fitoren Partizanit. Mendoj se Partizani do fitojë 3 me 1.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL