EKSKLUZIVE/ “Asnjë skuadër nuk na ka vendosur në vështirësi”, Beqja: Dinamo për titull, ekipi po luan mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2025 | 20:53

EKSKLUZIVE/ “Asnjë skuadër nuk na ka vendosur në vështirësi”, Beqja: Dinamo për titull, ekipi po luan mirë

Ledio Beqja u bashkua këtë sezon me Dinamon dhe ka qenë një lojtar i rëndësishëm për trajnerin Ilir Daja.

beqja

Në një intervistë për “Panorama Sport, Beqja foli për sezonin me blutë dhe ambientimin në skuadrën e re, teksa u ndal edhe te objektivi që Dinamo ka këtë sezon.

Është sezoni yt i parë me Dinamon. Sa je ambientuar me skuadrën?
Është sezoni im i parë dhe sinqerisht jam ambientuar shumë mirë që në fillim. Të gjithë, nga presidenti te stafi teknik dhe deri tek lojtarët, më kanë mirëpritur në mënyrë fantastike. Kam gjetur një ambient të ngrohtë, profesional dhe shumë pozitiv, që të motivon çdo ditë për të dhënë më të mirën. Kur ndihesh i vlerësuar dhe i mbështetur, përshtatja bëhet shumë më e lehtë.

Këtë sezon ke provuar disa pozicione te Dinamo. Cili është pozicioni yt i preferuar?
Kam luajtur në disa pozicione dhe kjo për mua nuk është problem fare, sepse jam i gatshëm të ndihmoj ekipin aty ku ka nevojë. Më pëlqen të jem fleksibël dhe t’i përgjigjem çdo kërkese të trajnerit. Megjithatë, në aspektin personal, pozicioni ku ndihem më komod dhe ku kam mundësi të jap më shumë është në mesfushë. Aty e ndiej veten më të lirë për të ndërtuar lojën dhe për të ndihmuar në të dyja fazat.

Dinamo ka pasur paraqitje të mira dhe ndeshje më pak të mira. Çfarë mendon se nuk po funksionon?
Në përgjithësi kemi bërë ndeshje të mira dhe kemi qenë superiorë ndaj shumë kundërshtarëve. Problemi kryesor, sipas mendimit tim, ka qenë finalizimi. Krijojmë raste, zhvillojmë lojë të bukur, por ndonjëherë na mungon ai momenti i fundit para portës. Janë disa ndeshje ku kemi humbur mundësi të pastra, dhe kjo na ka kushtuar. Nëse përmirësojmë saktësinë në zonë, besoj se rezultatet do të pasqyrojnë më mirë atë që japim në fushë.

A ka një ndeshje që të ka mbetur peng këtë sezon?
Për mua nuk ka asnjë ndeshje që mund të quhet peng. Jam i bindur se në çdo përballje kemi luftuar deri në fund dhe kemi dhënë maksimumin tonë. Edhe kur nuk kemi marrë rezultatin që donim, kemi qenë ne që kemi dominuar lojën dhe kemi treguar nivel. Kështu që nuk shoh arsye të kem pengje, shoh vetëm vendosmërinë për t’u përmirësuar.

A kanë ndikuar rezultatet e fundit në atmosferën e grupit?
Jo, aspak. Atmosfera ka mbetur shumë e mirë dhe e qëndrueshme. Ne jemi një grup i fortë, i bashkuar dhe e përjetojmë çdo situatë si një ekip. Nuk lejojmë që rezultatet jo të mira të ndikojnë në marrëdhëniet mes nesh. Përkundrazi, na bëjnë më të motivuar për të punuar më shumë. Kemi besim te njëritjetri dhe kjo është një nga pikat më të forta.

Çfarë ekipi ke gjetur te Dinamo dhe a mendon se jeni gati për titull?
Kam gjetur një ekip me shumë cilësi, me lojtarë të talentuar dhe profesionistë të vërtetë. Stafi është shumë i përgatitur dhe kërkues, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në rritjen e secilit prej nesh. Sa i përket luftës për titull, mendoj se kemi potencialin dhe grupin për të qenë lart. Duhet të jemi të qëndrueshëm dhe të vazhdojmë me të njëjtin ritëm pune. Nëse i qëndrojmë parimeve tona, mund të arrijmë shumë.

Cili kundërshtar ju ka vënë më shumë në vështirësi?
Nuk mendoj se ka një ekip që na ka vënë vërtet në vështirësi. Në çdo ndeshje kemi qenë ne që kemi marrë iniciativën dhe kemi diktuar lojën. Mund të them se respekt për të gjithë kundërshtarët, por nuk kemi pasur përballje ku të ndiheshim nën presion të madh. Kjo tregon forcën dhe identitetin që ka krijuar Dinamo këtë sezon.

Përveç Dinamos, kë sheh si rival për titull?
Kampionati është i balancuar dhe disa ekipe po luftojnë fort në krye. Mendoj se gara për titull do të jetë mes katër ekipeve të para në renditje. Të gjitha kanë kualitet dhe mund të marrin rezultate. Ne duhet të fokusohemi te vetja, sepse me lojën dhe ritmin që kemi, jemi plotësisht në garë.

Ndeshja e radhës është ndaj Bylisit. Çfarë prisni nga kjo sfidë?
Bylisi është gjithmonë i vështirë, sidomos në shtëpinë e tij. Ka një ekip të organizuar dhe që lufton deri në fund. Për ne është e rëndësishme të futemi në fushë me qetësi dhe të bëjmë detyrën tonë. Objektivi është i qartë: të marrim tre pikët. Do të jetë një sfidë që kërkon përqendrim maksimal.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe Dinamo në pjesën e mbetur të sezonit?
Mendoj se duhet të jemi më cinikë para portës. Krijojmë shumë raste në çdo ndeshje, dhe nëse i shfrytëzojmë më mirë, do të kemi më shumë fitore. Përveç kësaj, duhet të ruajmë ritmin e lojës dhe mentalitetin agresiv që kemi treguar. Nëse vazhdojmë të punojmë kështu, jam i bindur se do të kemi një fazë të dytë shumë më të fortë.

 

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL