EKSKLUZIVE/ “Askush nuk mendonte se ekipi im do t’ia dilte”, Shehi tregon sekretin e kthesës: Tirana, sfida më e vështirë e karrierës! (E PLOTË)
Pas sigurimit të mbijetesës direkte të Tiranës, trajneri Orges Shehi foli për periudhën e vështirë që kaloi skuadra bardheblu. presionin e madh të muajve të fundit dhe sfidën që pranoi në momentin më delikat të sezonit.

Në një rrëfim të gjatë dhe të sinqertë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Shehi tregoi se shumë pak njerëz besonin te shpëtimi i Tiranës, por ai vendosi të marrë përsipër riskun dhe në fund ia doli të çojë skuadrën drejt mbijetesës. Trajneri bardheblu analizoi momentet më të vështira të aventurës së tij, ecurinë pozitive në javët e fundit, meritën e grupit dhe gjithashtu foli edhe për të ardhmen e tij në klub.
Urime njëherë për shpëtimin direkt. Kanë qenë tre ose katër muaj shumë të vështirë, me presion të madh për një Tiranë që duhej patjetër të shpëtonte dhe në fund ia doli…
Në fund ia dolëm. Është e vërtetë që kemi kaluar presion shumë të madh për shkak të pozicionit ku ndodheshim, edhe pse kërkoj që të mos gëzohemi shumë për situatën, sepse nuk është një objektiv i madh për një klub si Tirana. Gjithmonë duhet respekt për historinë dhe emrin e klubit, por pozicioni ku ishte skuadra na e shtoi shumë trysninë. Më vjen mirë që të gjithë bashkë ia dolëm që të paktën të mos e lëmë Tiranën në baltë.
Gjithsesi, ti ishe besimplotë që kur e more skuadrën. Ishe i bindur se kjo skuadër do të shpëtonte…
Ka pasur situata që, me thënë të drejtën, shumë pak njerëz, madje edhe nga miqtë e mi më të afërt, më kanë thënë që “bëre mirë” që e more këtë skuadër në atë moment. Shumica ishin kundër, por ishte një vendim që e mora me ndërgjegje të plotë, duke e ditur vështirësinë e situatës. Më vjen mirë që ia dolëm, sepse po ta shikosh mirë, nëse dikush rrezikonte diçka nga karriera në atë moment, rreziku ishte shumë i madh dhe askush nuk e mendonte se çfarë mund të ndodhte në fund
Risku ishte i madh. Ishte pothuajse një lojë shumë e rrezikshme, sepse tre trajnerë përpara teje nuk kishin mundur ta nxirrnin skuadrën nga ajo situatë…
Me thënë të drejtën, jam njeri që më pëlqejnë sfidat dhe punës nuk i trembem. Edhe gjatë karrierës sime si futbollist, por edhe si trajner, kam marrë vendime të vështira. Më pëlqejnë sfidat që janë të vështira dhe ku shumë pak njerëz besojnë se mund t’ia dalësh.
Në fakt, galopimi që bëri Tirana ishte si ai i një skuadre kampione. Në një fazë morët më shumë se 20 pikë…
Po, nga 27 pikë të mundshme mund të kemi marrë 23 pikë, pra shtatë fitore dhe dy barazime. Kjo erdhi gradualisht, sepse një skuadre i duhet pak kohë që trajneri të implementojë mentalitetin dhe mënyrën që kërkon. Koha ishte shumë e shkurtër dhe ne u munduam të fiksonim gjërat bazë. Pastaj gradualisht, me ecurinë pozitive të dy ose tre javëve të para, rritet besimi i skuadrës dhe besimi në vetvete. Kur vijnë rezultatet, skuadra fillon të besojë se gjithçka është e mundur. Edhe pse mendoj se kemi marrë shumë pikë, prapë ishim në rrezikun e “playout”-it deri në ndeshjen e fundit.
Cila ishte pika më e vështirë gjatë këtyre 11 javëve?
Me thënë të drejtën, pika më e vështirë ka qenë fillimi, sepse ne luajtëm tre ndeshje shumë shpejt, dy në kampionat dhe një në Kupë. Aty morëm tre humbje, edhe pse në Kupë reagimi pas rezultatit 2-0 ishte shumë i mirë. Por mënyra si po luanim dhe mënyra si po pësonim gola na bënte të mendonim se situata ishte shumë e vështirë. Pastaj gradualisht gjithçka erdhi në ngritje. Edhe pauza e kampionatit u munduam ta shfrytëzonim maksimalisht. Nëse nuk gaboj, ishte pas ndeshjes me Vorën. Kishim shumë lodhje dhe shumë presion në ato ndeshje të para, sidomos kundër rivalëve direkt për mbijetesën. Siç e thashë edhe më parë, fillimi ka qenë periudha më e vështirë.
Besoj se merita është si e Shehit, ashtu edhe e djemve, sepse e dimë që nuk do t’ua mohosh asnjëherë kontributin futbollistëve…
Jo, nuk duhet ndarë askush. Një klub funksionon në të gjitha hallkat, që nga drejtuesit dhe deri te punonjësi i fundit. Nuk më pëlqen të marr meritat, sepse nuk kemi bërë diçka të madhe. Edhe pse, duke parë pozicionin ku ishte skuadra, mund të konsiderohet një arritje e rëndësishme, përsëri nuk më pëlqen të marr merita personale. Nëse do të ndaheshin meritat, unë do ta lija veten pa merita.
Tiranën sezonin e ardhshëm do ta shohim me Orges Shehin në stol? Dhe nëse po, cili është projekti?
Shiko, aktualisht situata është që me letra jemi deri më 31 maj. Kontrata ime me Tiranën ka qenë edhe për shkak të marrëveshjes që kam pasur me Ballkanin. Patjetër që kemi pasur diskutime për të vazhduar dhe për të mbetur po ky konfigurim. Shumë lojtarë janë nën kontratë, disa kanë qenë në huazim dhe disa të tjerëve u mbaron kontrata. Besoj se do të kemi kohën e mjaftueshme për të diskutuar gjithçka. Tani skuadra do të dalë në stërvitje të paktën deri në fund të majit dhe gjatë asaj kohe do të kemi shumë kohë për të folur rreth projektit dhe të ardhmes.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













