EKSKLUZIVE/ “Arbitrat kanë ndikuar”, Çobani analizon ekipin dhe zbulon problematikat: Unë besoj ende te Dinamo, por rrezikon “Final 4” (E PLOTË)
Dinamo po kalon një moment të vështirë në kampionat, megjithatë Artur Çobani është i bindur se skuadra do ta kalojë këtë situatë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Çobani u shpreh se Dinamo ka një skuadër të mirë dhe se dëmtimet kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës. Sa i përket atmosferës brenda skuadrës, ai shton se duhet rikthyer entuziazmi dhe se ekipi duhet të jetë më i bashkuar.
z.Çobani, keni qenë ndër ato të cilët keni besuar shumë te kjo Dinamo, por rezultatet e fundit e kanë bërë të humbasë terren. Si e ke parë skuadrën?
Është e vërtetë, dhe faktikisht jo se nuk besoj te Dinamo, te Dinamo patjetër që i besoj, pavarësisht se këto rezultatet ishin shumë të këqija sa i përket lojës, sepse Dinamo në këto tre ndeshje do të thosha, se ishin tre ndeshje me tre skuadra që mbyllin tabelën e klasifikimit, Bylisi, Tirana dhe Flamurtari. Dinamo humbi gjashtë pikë.
Kështu do ta konsideroja këtë gjë dhe për të thënë të drejtën, nuk e parashikoja që do të ishte në këtë situatë, siç ndodhi me këto tre skuadra, por gjithsesi ndodhi, sepse edhe në fazën e parë i ka ndodhur që me Ballshin ka lënë pikë. Dhe për sa i përket dy ndeshjeve të fundit me Tiranën edhe me Flamurtarin, nuk duhet të ndodhin këto gjëra. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që Dinamo të kalojë në pesimizëm dhe të dalë të thotë tani kemi hequr dorë nga lufta për titull, ose të shikojmë kupën. Dinamo skuadrën e ka.
Çfarë nuk po shkon që Dinamo është në këtë gjendje?
Në këto javë ka pasur mungesa dhe disa dëmtime nga faktorët tjerë të jashtëm, siç është gjykimi, se edhe në rastin me Tiranën, ku u ndëshkua shumë shpejt dhe mbeti me dhjetë lojtarë, por edhe ka marrë shumë penallti, ka marrë shumë kartonë, ka pasur shumë dëmtime dhe kjo gjë e ka futur Dinamon tani në një krizë. Natyrisht me kthimin e kontigjentit të plotë në javët në vazhdim, të bëjë kthesën e duhur në drejtim të pikëve.
Kohë ka, nuk është se s’ka kohë, sepse është në një fazë edhe tre ndeshje, përveç fazës së katërt, janë edhe tre ndeshjet e kësaj faze. Dhe të mos harrojmë se në fund të fazës së dytë, Vllaznia ishte gati dhjetë pikë mbrapa Egnatias dhe sot kryeson me diferencë nga Egnatia. Domethënë, pse ndodhi kjo? Sepse Vllaznia, duke filluar që nga java e fundit e fazës së dytë dhe deri sot, ka bërë tetë fitore, vetëm fitore rresht.
S’ka arsye të mos ndodhi me Dinamon kjo situatë, apo qoftë edhe me Egnatian apo edhe me Elbasanin, sepse të katër këto skuadra, duke futur edhe Partizanin, të rikthyer për mua në një formë shumë të mirë, them se do të vazhdojnë konkurrimin deri në fund të fazës së katërt. Duke qenë se edhe formula për llogaritjen e pikëve është një avantazh më shumë.
Çdo rikuperim që mund të bëhet në ndeshjet e ardhshme është gjithmonë në favor të ngushtimit të pikëve. Se nëse do të flasim sot dhe do të jemi në kuotë, në fazë, në “Final 4” në këto situata, unë do të thosha që Vllaznia ka njëzet e katër pikë, Dinamo ka tetëmbëdhjetë, gjashtë pikë më pak.
Gjashtë pikë rikuperohen, por, duke marrë për konsideratë përgjysmimin e pikëve. Prandaj them kështu, që Dinamo kontigjentin e ka. Unë akoma besoj te Dinamo. Do të rregullojë ato problemet e brendshme që ka pasur në drejtim të dëmtimeve apo edhe disa arsye të tjera me faktorë të jashtëm që kanë ndodhur dhe them se do të jetë konkurrente deri në fund. Dhe nuk mund të themi që Dinamo doli jashtë loje, sepse edhe ndeshjet që ka zhvilluar i ka dominuar, qoftë me Tiranën, ku luajti dhe me dhjetë lojtarë, apo edhe në këto ndeshjet e tjera.
Deri në janar, Dinamo kishte skuadrën me më shumë gola por në 6 sfidat e fundit ka shënuar 2. Afrimet e reja ende nuk e kanë dhënë atë impaktin e vet. Si e komenton?
Ashtu është, ata detyrimisht do të gjejnë kohën e tyre për t’u sinkronizuar me pjesën tjetër të skuadrës, pavarësisht se ata në këtë kampionat kanë qenë, por nuk do të thotë se është një lloj që të ndërrosh skuadrën dhe pastaj të përshtatesh me të njëjtën situatë dhe kjo skuadra tjetër. Por kryesorja është që Dinamo nuk i ka këto mungesa që i kishte deri në fund të fazës së parë dhe siç e thatë edhe ju, ishte skuadra që kishte shënuar më shumë nga të gjitha skuadrat e tjera. Është një ngërç që ka ndodhur te Dinamo dhe që duhet të lirohet.
Duhet të lirohet patjetër, qoftë Mustafa apo qoftë edhe Guindo, apo edhe të flasim, jo Bregu, që me hope ka qenë, në oshilacione ka qenë edhe Bregu në këto ndeshje. Pavarësisht se ka qenë më pozitiv se pjesa tjetër e skuadrës, ka pasur më shumë rendiment, por mungesa, thashë edhe Qefalija, që është ai që bën pasimin e fundit, ka sjellë këto ndoshta ngërç në gola për Dinamon. Është e vërtetë dhe unë jam me këtë, madje do të thosha që ndoshta nuk mund të shënojnë kaq shumë sa kanë shënuar, por defekti tjetër i Dinamos nuk është vetëm kjo.
Defekti i Dinamos tani është që ka pësuar gola. Meqenëse Dinamo kishte shënuar më shumë se të gjitha skuadrat e tjera në fund të dy fazave, ishte edhe skuadra që ka pësuar më pak gola. Dinamo vetëm në këto gjashtë javë të fazës së tretë është skuadra që ka pësuar më shumë gola. Ka pësuar më shumë gola, në çdo ndeshje ka pësuar gol.
Me Tiranën pësoi gol e para, me Vlorën pësoi gol e para, me Vllazninë, me Elbasanin pësoi që në pesë, dhjetë minutat e para nga 2 gola në secilën. Domethënë, ka mungesa, Aliji ka ndikuar, Dita që ka qenë i dëmtuar apo edhe Meksi në krahun e djathtë. Kanë qenë disa mungesa që Dinamos i kanë bërë që ta fillojë lojën në disavantazh dhe nuk është kollaj të përmbysësh ndeshjen kur e fillon në disavantazh. Dhe them se korrigjimi kryesor i Dinamos duhet të fillojë nga mospranimi i golit dhe pastaj të mendojë për të shënuar.
Mbas ndeshjes me Tiranën, Berisha ka shfaqur edhe shenja nervozizmi për mos aktivizimin e tij. Mungesa e rezultateve pozitive, a mendon se mund ta shtojë këtë tensionin në skuadër?
Rezultati të fut në presion, kuptohet. Jo vetëm nga ndeshja në ndeshje, por edhe brenda ndeshjes, sepse nëse ti gjatë një ndeshjeje ke vështirësi në shënimin e golit, e dominon atë, prodhon lojë dhe nuk shënon, me ikjen e minutave të shtohet presioni. Për sa i përket rastit, Berisha është lojtar me eksperiencë dhe nëse pati një revoltë brenda, ai ndoshta gjestin nuk e justifikoj, por dua të them që nëse ka revoltë për të kërkuar për t’u aktivizuar, nuk është ndonjë gjë e keqe, sepse në fund të fundit kjo është një ego që çdo lojtar duhet ta ketë dhe unë them që Dinamo duhet ta ketë brenda vetes, sepse Dinamo ka shumë lojtarë. Nuk është vetëm Berisha që nuk është aktivizuar, ka lojtarë të tjerë që nuk janë aktivizuar, Lorrani që sa kohë, Meksi, Farruku.
Të gjithë ndoshta nuk mund të luajnë, por të drejtë kanë që të gjithë për të kërkuar për të luajtur dhe mënyra më e mirë për ta kërkuar është që në momentin që hyn në fushë, të japësh maksimumin dhe të bindësh, sepse nuk tregohet bindja duke u revoltuar jashtë fushës. Revoltën më mirë e tregon paraqitja në fushë. Aty tregohet që “ja, shiko, unë vlej, mua po më hahet haku dhe i thotë drejtuesve të skuadrës, shiko, po gaboni dhe ju që po më lini jashtë.
Të gjitha këto Dinamo duhet t’i sheshojë, nuk është se i ka, por ju bëtë mirë që e prekët këtë gjë. Është e domosdoshme që brenda skuadrës të rritet akoma më shumë ajo ndjenja që ka qenë edhe në fillim të kampionatit, ajo ndjenja e bashkësisë, ajo ndjenja e solidaritetit dhe të largohet nga këto. Sigurisht, duhet patjetër të jetë pak më shumë me të qenit skuadër dhe për këtë përgjegjësia bie mbi të gjithë. Nuk është vetëm e futbollistëve, por duke filluar nga drejtuesit, stafi dhe i gjithë stafi që është te Dinamo. Dhe them që më shumë duhet punuar në këtë pikë, sesa në gjëra të vogla siç janë këto të tjera për të cilat ne diskutuam deri tani.
Partizani është vetëm 3 pikë larg. A rrezikohet “Final 4”?
Rreziku është patjetër. Për të qenë realist, rreziku është sepse Partizani ka ardhur shumë pranë, tre pikë dhe ka ardhur me rezultate bindëse. Jo vetëm kaq, por edhe fitorja në kupë e Partizanit tregoi që Partizani po afrohet shumë. Ka edhe një gjë tjetër, nëse Partizani e eliminon Elbasanin, pastaj është në pikëpyetje jo vetëm “Final Four”, por shkon në pikëpyetje edhe Kupa e Europës, sepse formula e tillë, katër skuadrat e “Final Fourit” të jenë në gjysmëfinale të Kupës, i favorizon skuadrat, duke u krijuar secilës nga një vend për pjesëmarrje në Kupën e Europës. Ndërsa kualifikimi i Partizanit dhe futja e Dinamos në “Final Four”, nëse nuk fiton kupën, ndoshta të nxjerrë jashtë Kupave të Europës.
A jeni i kënaqur nëse Dinamo fiton vetëm Kupën duke parë situatën?
Shiko, marrja e një trofeu dhe dalja në Kupën e Europës sigurisht që është sukses për një skuadër, pasi e shikojmë konkurrencën tjetër. Por synimi i Dinamos dhe me investimet që ka bërë është titulli kampion dhe do të jetë keqardhje nëse Dinamo nuk do të rivalizojë për titull. Prandaj them që është një përmbushje e objektivit marrja e kupës, sepse tash të dalësh në Kupën e Europës është objektiv në vete, por është keqardhje me këtë ekip, me këto investime, me këto plotësim kërkesash që presidenti ka bërë ndaj këtij klubi, me këtë trajner që është nga më të mirët në treg, është për të ardhur keq që të mos dalësh kampion.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













