EKSKLUZIVE/ Analiza e Djarmatit: 2 ekipe për titull, Dinamo gaboi në merkato! Po bie cilësia e Superiores… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2026 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Analiza e Djarmatit: 2 ekipe për titull, Dinamo gaboi në merkato! Po bie cilësia e Superiores… (E PLOTË)

Kampionati shqiptar i futbollit ka hyrë në fazën vendimtare dhe gara për titullin, Europën dhe mbijetesën mbetet më e fortë se kurrë.

djarmati

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Matko Djarmati jep këndvështrimin e tij mbi zhvillimet e këtij sezoni, skuadrat që kanë spikatur apo zhgënjyer, si dhe pritshmëritë për “Final 4” dhe të ardhmen e Superiores. Ai foli edhe për kampionatin në përgjithësi, duke shtuar se cilësia e futbollit në vend ka rënë dhe se nuk ka më lojtarë të cilët kanë peshë si në kohët e mëparshme, kur në Shqipëri kishte lojtarë si Pejic, Olainka apo Radas e të tjerë.

Matko, kampionati shqiptar ka hyrë në fazën e fundit. Si e ke parë këtë sezon në një analizë të përgjithshme?

Për mua është një nga kampionatet më interesante në 10 vitet e fundit. Lufta për kampion do të jetë deri në javën e fundit të “Final 4” dhe lufta për Europë është shumë e fortë, ashtu si edhe ajo për mbijetesë, ku gjysma e skuadrave mund të bien nga liga. Ka shumë kohë që nuk kam parë një kampionat kaq interesant. Këtu nuk flas për cilësinë e futbollit, por vetëm për kampionatin, sepse cilësia në vetvete është në rënie dhe kjo është diçka që duhet ndryshuar.

Cilat skuadra të kanë bindur më shumë dhe cilat të kanë zhgënjyer?

Patjetër që skuadra që më ka impresionuar më shumë është Elbasani. Jo se nuk kisha pritshmëri për Elbasanin që do të jetë në vendet e para apo në “Final 4”, sepse për këtë isha i sigurt, pasi ka bërë investime kolosale në vitet e fundit. Kanë treguar se do të jenë faktor shumë i fortë në këtë kampionat. Ekipi që më ka zhgënjyer, patjetër që është Flamurtari. Me investimet që ka bërë, është e pabesueshme se si ka përfunduar në situatën që është sot dhe padyshim, Flamurtari për mua është skuadra që ka zhgënjyer më shumë.

Dinamo e nisi me objektiv titullin por rrezikon “Final 4”. Si e ke parë sezonin e Dinamos? Çfarë është bërë gabim?

Dinamo nuk mendoj se ka bërë merkato cilësore në hyrje. Nuk kanë gjetur zëvendësuesit e Itodos dhe Zabërgjës, pasi këta lojtarë kanë bërë diferencë dhe më vjen keq për Dinamon sepse mendova do të jetë sigurisht një nga skuadrat kryesore për titullin kampion. Por, nuk duhet të harrojmë që janë në finalen e Kupës dhe janë ende në luftë për “Final 4”, kështu që edhe këtë vit e konsideroj se janë brenda objektivave që kanë pasur në fillim të sezonit.

Vllaznia, në tjetër ishskuadra juaj është një nga pretendentet për titull. A mendon se e ka kualitetin për të rikthyer titullin?

Unë personalisht mendoj se është favoriti kryesor për të marrë titullin kampion. Jo se Elbasani nuk ka ekip cilësor, por mendoj se Vllaznia ka më shumë eksperiencë për fitimin e trofeut. Që nga ardhja e Xhaferrit, Vllaznia ka luftuar për titullin kampion dhe për Kupën. Prandaj, duke parë këtë eksperiencë që Vllaznia ka krijuar, për mendimin tim është një armë më shumë për fitimin e titullit dhe prandaj e konsideroj skuadrën më të favorizuar.

Duke bërë një krahasim me sezonet e kaluara kur edhe ju ishit në Shqipëri, si e sheh cilësinë e kampionatit?

Për momentin mendoj se ka rënë dhe është në rënie Superiorja. Ka shumë pak interes nga klubet e jashtme për lojtarët që luajnë në Superioren shqiptare. Nuk ka ndonjë lojtar me super cilësi për shitje jashtë Shqipërisë dhe në fund të fundit, shohim Kombëtaren e Shqipërisë që nuk ka asnjë lojtar nga kampionati shqiptar. Heqim këtu Alijin që ka qenë më parë në Shqipëri, ndërsa për të tjerët nuk ka shumë cilësi dhe për këtë është në rënie.

Thuhet shpesh se ka pasur tolerime në ndeshjet e fundit. A mendon se diçka e tillë ka ndodhur apo janë rezultate të merituara?

Po këto pyetje në fakt janë për kompetentët që merren me kampionatin shqiptar. Ka rezultate të çuditshme, por të drejtosh gishtin nga dikush se kush ka faj është e vështirë. Duhet të kesh prova shumë të forta dhe kështu mund të ndalohet kjo situatë. Nuk jam kompetent të flas se çfarë do të ndodhë në kampionatin shqiptar.

Si e sheh luftën për titull në “Final 4”?

Nuk e di nëse do të ndodhë apo jo një luftë, por mendoj se Elbasani dhe Vllaznia do të luftojnë për kampion. Egnatia do të shkojë në “Final 4”, por vetëm me surpriza shumë të mëdha mendoj se mund të dalë kampion. Dinamo dhe Partizani mund të shkojnë në vendin e katërt. Partizani ka ndërruar trajnerin dhe mendoj se mund të jetë diçka pozitive për ta dhe të shohim se si do të shkojë. Por në fund mendoj se vetëm Vllaznia dhe Elbasani do të jenë realisht në luftë për titull dhe favoritë për të dalë me trofeun.

Çfarë duhet bërë ndryshe sezonin tjetër për një ligë më të fortë?

Nëse do të kisha mundësi, do të ndryshoja ligjin për lojtarët e huaj, sepse ka shumë lojtarë mediokër që vijnë nga shtete të ndryshme, nga vendet afrikane dhe fëmijët shqiptarë nuk e marrin shansin e tyre. Minimumi duhet që të marrin shansin në kampionatin e Superiores. Është një temë shumë e gjerë se si mund të ndryshojë cilësia e kampionatit: financat jo të shëndosha dhe lojtarët e huaj cilësorë nuk vijnë si më parë në Shqipëri. Ne kishim në Shqipëri lojtarë si Olainka, Pero Pejiç apo Marko Radas, që ishin të huaj por me shumë cilësi. Tani nuk po shohim më lojtarë të tillë nga jashtë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL