EKSKLUZIVE/ Aleksi tregon versionin e tij pas golit kundër Vllaznisë: U keqkuptova, festova për tifozët tanë dhe jo për të ofenduar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2025 | 10:18

EKSKLUZIVE/ Aleksi tregon versionin e tij pas golit kundër Vllaznisë: U keqkuptova, festova për tifozët tanë dhe jo për të ofenduar

Në fundin e ndeshjes Egnatia-Vllaznia, që u mbyll me rezultatin 2-2, vëmendjen nuk e mori vetëm barazimi dramatik, por edhe mënyra se si Albano Aleksi zgjodhi të festonte golin e skuadrës së tij. Në momentin kur topi u ndal në rrjetë, mesfushori shkoi drejt tribunës kryesore, gjë që u interpretua nga tifozët shkodranë si një provokim ndaj tyre.bandicam 2025-11-04 17-46-38-895Reagimet nuk munguan as në stadium dhe as në rrjete sociale, duke ndezur një debat që e tejkaloi vetë rezultatin e ndeshjes. Megjithatë, për vetë Aleksin, gjithçka ka qenë një keqkuptim. Siç shpjegon ai në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, reagimi i tij ishte një shpërthim emocionesh pas një ndeshjeje të vështirë, ku tensioni dhe dëshira për rezultat ishin në maksimum.

Ai mohon me vendosmëri se ka pasur qëllim të provokojë apo të ofendojë tifozët shkodranë, duke theksuar se goli dhe festa ishin për tifozët e Egnatias dhe për presidencën e klubit. Aleksi pranon se ndonjëherë mënyra e tij e të luajturit apo reagimet spontane mund të keqkuptohen, por thekson se gjithmonë ka respekt për çdo tifoz dhe për çdo kundërshtar.

Aleksi, çfarë ndodhi në ndeshjen me Vllazninë, ku jeni akuzuar se keni provokuar dhe sharë tifozët shkodranë?

Gjatë gjithë ndeshjes ka pasur ofendime ndaj meje, por unë jam profesionist dhe nuk ndikohem nga këto gjëra. Pas golit të barazimit, shkova drejt tribunës, por goli ishte për tifozët dhe presidencën tonë, jo për provokim apo sharje ndaj tifozëve të Shkodrës. Aty ndoshta kishte edhe tifozë shkodranë, por asnjëherë nuk e kam bërë me qëllim ndaj tyre. Ishte thjesht një çlirim emocionesh pas golit, asgjë më shumë.

U pa një reagim nga tribuna në momentin e golit. Me kë e kishit konkretisht?

Siç e thashë, e kisha për presidencën dhe tifozët e Egnatias. Goli ishte për ta, për mbështetjen që na japin.

Si e shihni këtë irritim të tifozërisë shkodrane?

Keni pasur më herët ndonjë problem me ta? Jo, nuk kam pasur asnjë problem. Ndoshta lidhet me mënyrën time në fushë, sepse jam tip që kërkoj llogari, flas shumë dhe ndonjëherë mund të keqkuptohet sikur i drejtohem tifozëve kundërshtarë. Por në të vërtetë, nuk e kam asnjëherë me ta. Madje, falënderoj edhe shkodranët e vërtet, të cilët më kanë shkruar pas ndeshjes dhe më kanë uruar për golin që shënuam në fund së bashku me shokun tim të skuadrës.

Jeni ndër lojtarët që shpesh tifozët kundërshtarë ju kundërshtojnë më shumë. Pse mendoni se ndodh kjo?

Ka tifozë kundërshtarë që më respektojnë dhe madje më shkruajnë për të më pasur në ekipin e tyre. Ndoshta ndonjë reagim i shpejtë nga ana ime, ndonjë fjalë me arbitrin, mund të duket sikur e kam me ta. Por sinqerisht, nuk e bëj për t’i provokuar. Mund të ketë ndodhur dikur, kur ishim më të rinj, por tani jo, përkundrazi, i respektoj të gjithë.

Mendoni se ndonjëherë, pa vetëdije, mund të irritoni tifozët me mënyrën e festimit?

Ndoshta po. Nga emocionet e momentit mund të ndodhë. Kush ka luajtur futboll e di mirë se si ndihesh kur shënon një gol në ato minuta. Mund të reagosh me shpërthim emocionesh, por përsëris: nuk kam pasur asnjë qëllim për të provokuar tifozët shkodranë. Ishte thjesht një festë spontane. Çfarë ndodh në fushë mbetet aty dhe nuk është e nevojshme të ofendohemi apo kërcënohemi me familjarët. Këto janë gjëra që nuk i kanë hije sportit.

Sa i kënaqur jeni me barazimin ndaj Vllaznisë?

Në përgjithësi jam i kënaqur, sepse morëm një pikë të rëndësishme në një ndeshje të vështirë dhe ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Megjithatë, mendoj se mund të kishim marrë edhe më shumë nga ajo ndeshje.

Këtë javë luani në Elbasan. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Do të jetë një përballje e fortë, por ne do të futemi në fushë për fitore. Kemi besim te forca e grupit dhe do të japim maksimumin për të vazhduar ecurinë pozitive.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL