Egnatia synon titullin e tretë radhazi, rruga drejt kreut kalon nga klube me pretendime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2025 | 22:52

Egnatia synon titullin e tretë radhazi, rruga drejt kreut kalon nga klube me pretendime

Fitorja e arritur ndaj Vorës i solli Egnatias jo vetëm qetësinë pas një jave të trazuar, por mbi të gjitha e mbajti skuadrën rrogozhinase në rangjet e kreut. Me vetëm një pikë më pak se Elbasani kryesues, bardhëjeshilët vijojnë të qëndrojnë në garë të plotë për pozitat e para në klasifikim. Humbja në shtëpi ndaj Flamurtarit kishte lënë një shije të hidhur, veçanërisht për mënyrën si u zhvillua ajo sfidë, ndaj dueli me Vorën shihej si mundësia e duhur për t’u rikthyer në rrugën e rezultateve pozitive.

egnatia

Egnatia reagoi dhe e bëri pikërisht atë që duhej: mori tri pikë të rëndësishme që ndaluan çdo lloj presioni dhe i kthyen skuadrës besimin. Megjithatë, pushim nuk ka. Sfida e radhës e rrit ndjeshëm nivelin e vështirësisë, pasi përballë do të jetë Dinamo, një tjetër skuadër që lufton për katërshen e parë. Blutë e kryeqytetit ndodhen vetëm dy pikë pas Egnatias dhe kjo e kthen duelin në një përballje direkte, ku gabimet vlejnë dyfish dhe çdo detaj mund të bëhet vendimtar.

TRI FINALE – Fundviti ka rezervuar një kalendar aspak të lehtë për Egnatian, përkundrazi, një seri prej tri ndeshjesh direkte që përkufizojnë garën për “Final 4”. Përballja e fundjavës me Dinamon është vijim i barazimit pa gola në Rrogozhinë në fazën e parë. Dinamovitët kanë treguar rritje në lojë dhe mbetet rivale e drejtpërdrejtë për zonën e katërshes.

Një fitore kundër tyre ka vlerë të dyfishtë: mban distancën dhe ndikon psikologjikisht në garë. Më pas vjen një tjetër duel i fortë, në shtëpi ndaj Partizanit. Kryeqytetasit duken të rilindur javët e fundit dhe janë futur fuqishëm në betejën për Final 4. Në fazën e parë, në Tiranë, ndeshja u mbyll pa gola, çka tregon se sfida e radhës pritet të jetë e ngushtë dhe me presion maksimal për të dyja palët. Seria mbyllet me Teutën, një skuadër që tradicionalisht i ka shkaktuar shumë probleme Egnatias ndër vite.

Vetëm këtë sezon rrogozhinasit arritën të thyenin “tersin” e fazës së parë, duke marrë një fitore të vonë, por të merituar. Teuta është sërish rivale direkte dhe një triumf ndaj saj mund të ketë rëndësi vendimtare në objektivat afatgjata. Ndeshjet e fundit të këtij viti janë vendimtare jo vetëm për klasifikimin e momentit, por për gjithë ecurinë e sezonit.

Përballjet me rivalë direktë nënkuptojnë se një fitore nuk vlen vetëm tri pikë, por praktikisht gjashtë: përfiton vetë dhe ndalon kundërshtarin. Me kampionatin që po hyn në një fazë të ngjeshur dhe me garën që po bëhet gjithnjë e më e ashpër, Egnatia ndodhet para një prove serioze karakteri dhe vazhdimësie. Rezultatet në këtë seri do të tregojnë qartë nëse kampionët janë gati të mbajë ritmin e kreut deri në fund të sezonit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL