Egnatia në pikën kyç të sezonit, dy ndeshjet e radhës me ekipet që i kanë bërë “zbor” në këtë edicion
Skuadra e Egnatias hyn në një moment vendimtar të sezonit, aty ku do të përcaktohen shumë nga fatet e garës për titull. Pas një ecurie që e ka mbajtur vazhdimisht në zonën e skuadrave pretendente, tani për rrogozhinasit nis faza më e rëndësishme e kampionatit.

Dy javët e ardhshme premtojnë të jenë të zjarrta, sepse përballë do të jenë dy rivalët direkt në krye të renditjes. Fillimisht Egnatia do të presë në shtëpi Vllazninë, skuadrën që aktualisht kryeson kampionatin, ndërsa një javë më pas do të udhëtojë për t’u përballur me Elbasanin, që ndodhet në vendin e dytë. Dy përballje që mund të kenë peshë të madhe në luftën për titullin, pasi rezultatet e tyre mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen dhe në moralin e skuadrave pretendente.
Në një kampionat ku diferencat mes ekipeve të kreut janë shumë të vogla, çdo hap i gabuar mund të kushtojë shtrenjtë. Për këtë arsye, dy ndeshjet e ardhshme për Egnatian konsiderohen si një provë e madhe force. Fitoret do ta mbanin skuadrën plotësisht në garë për titullin dhe do të forconin besimin se rrogozhinasit mund të shkojnë deri në fund të sezonit me ambicie të mëdha. Nga ana tjetër, rezultatet negative mund të krijojnë një distancë që do të ishte e vështirë për t’u rikuperuar në javët e mbetura.
NGERÇI – Megjithatë, një fakt që bie në sy në këtë sezon është se Egnatia nuk ka arritur ende të fitojë përballë këtyre dy rivalëve direkt. Pikërisht këto dy skuadra kanë qenë “pengesa” e madhe për rrogozhinasit gjatë këtij kampionati. Bilanci ndaj Vllaznisë është jo shumë pozitiv. Në tre përballjet e deritanishme të sezonit, shkodranët kanë arritur të marrin dy fitore, ndërsa një takim ka përfunduar në barazim. Kjo do të thotë se Egnatia nuk ka arritur asnjëherë të marrë tri pikët përballë kryesuesve, një statistikë që e bën edhe më interesante sfidën e radhës mes tyre.
Edhe përballë Elbasanit situata nuk është shumë ndryshe. Verdheblutë kanë marrë një fitore, ndërsa dy ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim. Pra, edhe ndaj ekipit elbasanas Egnatia nuk ka mundur të marrë ende një triumf gjatë këtij sezoni. Kjo statistikë e bën edhe më të qartë rëndësinë e dy ndeshjeve të ardhshme. Pikërisht përballë këtyre dy kundërshtarëve pritet të shihet forca e vërtetë e Egnatias në garën për titull. Nëse skuadra arrin të thyejë këtë “tabu” dhe të marrë rezultate pozitive, atëherë rrogozhinasit do të japin një sinjal të fortë për të gjithë rivalët.
PROVA E MADHE – Në këtë pikë të sezonit, ndeshjet ndaj rivalëve direkt kanë gjithmonë një peshë të veçantë. Ato nuk ndikojnë vetëm në renditje, por edhe në aspektin psikologjik. Një fitore ndaj një kundërshtari që lufton për të njëjtin objektiv shpeshherë vlen më shumë sesa tri pikë të zakonshme. Për Egnatian, përballja me Vllazninë dhe më pas udhëtimi në fushën e Elbasanit përfaqësojnë një test të rëndësishëm për ambiciet e klubit.
Nëse Egnatia do të arrijë të dalë me rezultate pozitive nga këto dy sfida, atëherë gara për titull mund të marrë një tjetër drejtim. Në të kundërt, çdo hap fals mund ta komplikojë ndjeshëm rrugën drejt objektivit madhor të sezonit. Për këtë arsye, dy javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për rrogozhinasit. Në fushë do të jetë jo vetëm lufta për pikë, por edhe prova reale për të treguar nëse Egnatia ka forcën dhe qëndrueshmërinë për të qenë pretendente serioze deri në fund të kampionatit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













