Egnatia në krye, por bllokohet me ekipet e mëdha. Analiza e kampionëve të Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2026 | 12:02

Egnatia në krye, por bllokohet me ekipet e mëdha. Analiza e kampionëve të Shqipërisë

Ecuria e Egnatias në përballjet direkte me skuadrat kryesore të kampionatit po merr gjithnjë e më shumë vëmendje. Humbja ndaj Vllaznisë ishte një tjetër episod në një seri rezultatesh që tregojnë vështirësitë e kampionëve në fuqi përballë rivalëve më të fortë. Edhe pse ndeshja në Shkodër u shoqërua me vendime të diskutueshme arbitrimi, ku rrogozhinasve iu hy disi në hak, rezultati final u shtua në një bilanc tashmë jo pozitiv ndaj kundërshtarëve direktë.

vllaznia-egnatia

Egnatia ka pasur rendiment të ulët pikërisht në përballjet që peshojnë më shumë në garën për titull. Humbja ndaj Vllaznisë nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një serie rezultatesh që konfirmojnë këtë realitet statistikor. Në këtë fazë të sezonit, janë pikërisht këto të dhëna që përkufizojnë raportin e Egnatias me rivalët kryesorë të kampionatit.

VLLAZNIA – Përballjet me Vllazninë janë shembulli më i qartë i kësaj prirjeje. Në tre takime të zhvilluara deri tani, Egnatia ka marrë vetëm një pikë: dy humbje dhe një barazim. Humbja e fundit e konfirmoi këtë raport force, pavarësisht kontekstit të lojës dhe polemikave për gjykimin. Në aspektin statistikor, këto rezultate flasin për një rivalitet ku Egnatia nuk ka arritur të marrë maksimumin, edhe kur ndeshjet kanë qenë të balancuara.

ELBASANI – Situata nuk ndryshon as në përballjet me Elbasanin, një tjetër skuadër që bën pjesë te ndjekëset më të afërta dhe te “Final 4”. Dy ndeshje të luajtura, një humbje dhe një barazim, përkthehen në vetëm një pikë të fituar. Edhe këtu, kampionët në fuqi nuk kanë arritur të imponohen në takime që kanë pasur peshë direkte për renditjen dhe për raportet e forcës mes skuadrave pretendente. Verdheblutë janë edhe kundështari i kësaj jave, një mundësi e mirë të dielën për kampionët që të rregullojnë disi bilancine rivalët direktë.

DINAMO – Bilanci më i mirë vjen ndaj Dinamos, të paktën sa i përket dueleve në kampionat. Në finalen e Kupës apo së fundmi Superkupës, tek të besuarit e Tetovës ra në sy inferioriteti me rivalët. Sa i përket kampionatit, në dy përballje të këtij sezoni, Egnatia ka regjistruar një fitore dhe një barazim, duke marrë katër pikë. Edhe pse këto rezultate janë më pozitive krahasuar me ato ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit, ato nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm tablonë e përgjithshme.

SHIFRAT – Në total, kundër tre ndjekësve më të afërt dhe pjesë e “Final 4”, Egnatia ka zhvilluar shtatë ndeshje. Nga 21 pikë të mundshme, ka arritur të marrë vetëm 6. Bilanci përbëhet nga një fitore, tre barazime dhe tre humbje. Këto shifra janë një pasqyrë e qartë e vështirësive në ndeshjet direkte dhe krijojnë një kontrast të dukshëm me statusin e kampionit në fuqi të Superiores.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL