Egnatia kërkon historinë në Europë, tifozët janë gati për të mbushur stadiumin
Në Rrogozhinë është ndezur sërish atmosfera europiane. Fitorja e shkëlqyer 2-0 e Egnatias në transfertë ndaj Dinamos së Minskut ka ngjallur entuziazëm të jashtëzakonshëm te tifozët rrogozhinas, të cilët tashmë janë mobilizuar për të krijuar një tjetër ambient “ferri” në “Arena Egnatia”.

Ashtu si ndaj Breidablikut, edhe këtë herë pritet një stadium i mbushur plot, edhe pse klubi nuk i ka nxjerrë ende në shitje biletat. Klubi po përgatitet për një tjetër mbrëmje magjike në shtëpi, ku mbështetja nga shkallët pritet të luajë rol vendimtar për të çuar skuadrën në një tjetër fazë të Konferencë Ligë.
Fitorja në Bjellorusi jo vetëm që e afron Egnatian me kualifikimin historik, por ka zbutur ndjeshëm edhe inatin dhe zhgënjimin që kishte lënë pas humbja e rëndë 0-5 ndaj Breidablikut. Ajo disfatë e kishte tronditur tifozërinë, por reagimi i menjëhershëm i skuadrës i ka rikthyer besimin dhe krenarinë qytetit.
Tani, Egnatia është vetëm një hap larg për të shkruar historinë dhe qyteti është gati të qëndrojë përkrah saj në një tjetër natë të paharruar europiane.
PANORAMASPORT.AL













