Egnatia dominon Shqipërinë, nuk kalon dot një tur europian/ Në tri paraqitje rresht, skuadra është eliminuar
Egnatia e Rrogozhinës është kthyer në një emër të rregullt në futbollin ndërkombëtar shqiptar, duke qenë pjesë e Kupave të Europës në dy sezonet e fundit.

Për një klub që vetëm pak vite më parë ishte larg këtyre niveleve, pjesëmarrja e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare përfaqëson një hap të madh përpara. Megjithatë, statistikat flasin qartë: pavarësisht disa fitoreve të rëndësishme në ndeshje të veçanta, Egnatia nuk ka arritur ende të kalojë asnjë tur eliminator.
CHAMPIONS, FITORE PA HISTORI – Në Ligën e Kampionëve, Egnatia ka marrë pjesë në dy edicione radhazi, por pa mundur të shkruajë faqe të reja në historinë e klubit. Sezonin e kaluar, rrogozhinasit përballuan Boracin e Banjallukës, duke pësuar humbje 1-0 në transfertë. Në takimin e kthimit në stadiumin “Elbasan Arena”, shpresat u rindezën me një paraqitje të guximshme dhe fitore 2-1, por fati nuk ishte në anën e tyre.
Gjuajtjet nga pika e bardhë u dhanë fund shpresave, duke i eliminuar në mënyrë dramatike. Sezonin aktual, në përballjen ndaj islandezëve të Breidablik, Egnatia e nisi mirë me një fitore 1-0 në ndeshjen e parë në Shqipëri. Por kthimi në Islandë rezultoi katastrofik: një humbje e rëndë 5-0 që fshiu çdo iluzion. Edhe pse fituan ndeshjen e parë, rrogozhinasit nuk kishin forcën dhe përvojën për të ruajtur epërsinë jashtë fushe.
KONFERENCË LIGË, E NJËJTA MELODI – E njëjta histori u përsërit edhe në Conference League, ku Egnatia ka zhvilluar dy duele dramatike. Kundër Araratit të Armenisë, ekipi shqiptar barazoi 1-1 në ndeshjen e parë dhe realizoi një tjetër barazim epik 4-4 në Elbasan, në një ndeshje me gola, emocione dhe përmbysje. Megjithatë, siç ka ndodhur disa herë tashmë, gjithçka u vendos nga penalltitë dhe Egnatia u eliminua sërish nga pika e bardhë.
Një tjetër rast për t’u kujtuar ishte dueli ndaj Vikingurit, rivalit të Breidablikut në kampionatin islandez. Në sfidën e parë në transfertë, rrogozhinasit fituan 0-1, duke treguar organizim të fortë dhe disiplinë taktike. Por në takimin e kthimit, Egnatia u mund 0-2 dhe rrugëtimi në Europë përfundoi që në turin e parë.

BILANCI: 8 NDESHJE, 0 KUALIFIKIME – Në total, Egnatia ka zhvilluar tetë ndeshje europiane në tri sezone, përballë katër kundërshtarëve nga Bosnje-Hercegovina, Islanda, Armenia dhe sërish Islanda. Ka marrë katër fitore, një barazim dhe tri humbje, por asnjë tur të kaluar. Dy eliminime kanë ardhur pas penalltive (Borac, Ararat), dy të tjera pas rikthimesh të forta në ndeshjet e kthimit (Breidablik, Vikingur). Ky është një bilanc që, ndonëse nuk është negativ në aspektin e rezultateve të drejtpërdrejta, mbetet i varfër në kontekstin historik. Egnatia nuk ka arritur ende të shënojë kualifikimin e parë në Europë, diçka që do ta çonte klubin në një nivel tjetër në futbollin kontinental dhe do të sillte përfitime të mëdha financiare e sportive.
PËRVOJA PO RRITET, SFIDA VAZHDON – Ajo që vlen të theksohet është se Egnatia po rritet, edhe kur turpërohet siç ndodhi mbrëmjen e së martës në Islandë. Të fitosh ndaj ekipeve si Vikingur apo Breidablik në ndeshje të para, tregon se klubi ka potencial, organizim dhe frymë gare. Por nëse dëshiron të ecë përpara dhe të bëhet një emër serioz në Kupat e Europës, duhet të ndërtojë më shumë qëndrueshmëri, të fitojë përvojë në sfidat me presion të lartë dhe të ketë një organikë më të thellë për t’u përballur me ritmin dhe intensitetin e garës.
Rrogozhinasit për momentin janë një skuadër që thjesht “vjen e ikën” nga Europa. Ata luftojnë, sfidojnë dhe fituan disa në skenën ndërkombëtare. Por në futbollin e këtij niveli, nuk mjafton të fitosh një ndeshje, duhet të kalosh një tur. Kualifikimi i parë mbetet një objektiv i qartë tani në Konferencë Ligë dhe për sezonet që vijnë, ndoshta edhe një mision për të hyrë në histori.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













