E rrallë pas ndeshjes, Edlir Tetova dhe Ilir Daja bëhen bashkë. Trajneri dinamovit: Kombëtarja pas 20 viteve? Në atë kohë do kem hequr dorë
Ilir Daja dhe Edlir Tetova u bënë bashkë në prononcimet pas ndeshjes. Egnatia dhe Dinamo barazuan me rezultatin 0-0 në stadiumin “Arena Egnatia”.

Nuk munguan batutat dhe po ashtu çdo gjë u mbyll me përqafim mes dy trajnerëve.
ILIR DAJA:
“Të jemi pak më të rezervuar, meqë erdhi dhe Tetova. Edhe Egnatia, pra kolegu, pavarësisht se e kam pasur futbollistin tim, ndryshoi. U përgjigjëm edhe ne me ndryshim. Nuk ndryshuan vendosje, por lojtarë që kërkuan ta nxjerrin topin nga poshtë lart. Në një pjesë tjetër loje kaloi prapë në një vendosje tjetër, që ne duhet t’i përgjigjeshim. Të gjithë këto ndryshim, prishën pak ekuilibrat e ekipeve në fushë. Dhe ne dhe Egnatia në disa raste mori kundërsulme nga ne. I dha bukuri lojës sepse ekipet u bënë me disa shkallëzime. Kur ka kaq shumë shkallëzime, ka edhe më shumë alternativa për të sulmuar”.
EDLIR TETOVA:
Tetova dakord? “Pjesërisht do jem, do i jap pak meritat te kjo pjesë. Për pjesën e dytë flasim, te 17-20 minuta. Mendoj që ishin këto më shumë superiorë. Na detyroi të zbrisnim më poshtë se duhet, te 2/3 siç e kishim përgatitur. Me ndryshimin e sistemit, e ndryshova dy herë në pjesën e dytë, morëm minutazhin tonë. Siç e tha profesori, nga të dyja anët kishte tranzicione dhe mendoj që ishte lojë shumë e bukur”.
Kush e njihte më shumë kë?
Edlir Tetova: “Besoj unë, të paktën nga ana praktike. Unë kam qenë nxënësi”.
Ilir Daja: “Do shkoj ndonjë ditë, apo javë, që ta ndjek edhe unë kështu. Meqë jemi të Dinamos, pak fshehtas te seanca stërvitore.
Çdo trajner ka filozofinë e vet. Ajo që Tetova ka ndryshuar dhe po i bën mirë edhe futbollit shqiptar është fakti që ka një lojë me manovër të konsoliduar, që tenton të mbajë në qarkullim topin dhe t’i japë një farë fleksibiliteti dhe veprimeve sulmuese. Kjo është komplet meritë e stafit, me në krye Tetovën. Nuk ia heq dot tani kolegut nën drejtimin e Egnatias”.
Kur mendoni se Kombëtarja shqiptare do ketë trajner shqiptar?
Ilir Daja: “Mos na ngatërroni, shyqyr zotit Kombëtarja po shkon mirë”.
Kur mendoni, ndoshta pas 20 vitesh?
Ilir Daja: “Besoj mund ta kapë Tetova, unë në atë kohë besoj se do kem hequr dorë nga futbolli”, e mbylli fjalën e tij për “RTSH”.
PANORAMASPORT.AL













