E premtja, dita e provimit të madh për “demat e kuq”. Ndaj Elbasanit si pikë kthese për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2025 | 17:11

E premtja, dita e provimit të madh për “demat e kuq”. Ndaj Elbasanit si pikë kthese për Partizanin

E premtja mund të ndezë gjithçka te “demat e kuq” të kryeqytetit. Partizani hyn në sfidën e së premtes ndaj Elbasanit jo thjesht për tre pikë, por për të shpëtuar fytyrën, projektin dhe ndoshta edhe sezonin.

partizani

Në kampin e kuq, në vend të qetësisë së zakonshme para ndeshjes, ndihen tension, dyshime dhe nervozizëm, një atmosferë që nuk mbahet mend prej kohësh. Skuadra që nisi kampionatin si pretendente, sot kërkon të gjejë identitetin. Pas javësh luhatjesh, kritikash dhe rezultateve nën pritshmëritë e tifozëve, Partizani është kthyer në ekipin më të paparashikueshëm të Superiores. Shkëndijat që tifozët panë verën e kaluar duken të fikura. Loja e skuadrës është shpesh pa ritëm, pa fantazi dhe pa lider të vërtetë në fushë. Dhe kur nuk ke lojë, presioni rritet. Rritet shumë.

STOLI NËN PRESION, GABON NJË HERË, TË DJEGIN DY HERË
Në tribunat e “Arena e Demave”, murmurimat janë kthyer në zëra të hapur pakënaqësie. Kritikohen vendimet taktike, ndryshimet e shpeshta të skemave dhe sidomos mungesa e rezultateve bindëse. Në klub flitet për “proces”, por tifozët duan rezultate, jo justifikime. Të kuqtë nuk mund ta përballojnë dot një tjetër hap fals. Jo në këtë moment. Jo në këtë atmosferë. Situata mund të prevalojë pa ardhur derbi me Tiranën, pasi dihet se kjo ndeshje është e tipit përvëlues për stolin drejtues, ashtu siç rezultoi edhe në fazën e parë me Mladen Milinkoviç.

TRANSFERTA E ELBASANIT
Elbasani vjen në këtë sfidë i qetë, pa presion, me moral dhe me lojë të thjeshtë, por të rrezikshme. Pikërisht ekipet e tilla krijojnë më shumë telashe. Ata hyjnë në fushë për të marrë gjithçka që u jepet dhe për ta kthyer presionin kundër kundërshtarit. Nëse Partizani gabon, nëse hyn i mpirë ose i trembur, atëherë historia mund të marrë drejtim të rrezikshëm. Të premten mbaron çdo justifikim. Ndeshja me Elbasanin nuk është thjesht një takim i radhës. Është pikë kthese. Është vendimtar për të parë nëse Partizani ringrihet, apo fundoset akoma më thellë në krizë. Të kuqtë janë në provim. Dhe këtë herë, askush nuk ka durim për nota kaluese me zor.

PANORAMASPORT.AL