Alarmi i legjendës së Tomorit: Qëndrimi pasiv po dëmton klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2026 | 13:44

Alarmi i legjendës së Tomorit: Qëndrimi pasiv po dëmton klubin

Në Berat vazhdon të mbizotërojë heshtja rreth së ardhmes së Tomorit. Ndonëse sportdashësit presin me interes zhvillimet për sezonin e ri, deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për organizimin e klubit, emërimin e stafit teknik apo projektin me të cilin skuadra do të përfaqësohet në kampionatin e ardhshëm.

Screenshot 2026-07-12 134357

Kjo situatë po krijon shqetësim të madh në opinionin sportiv beratas, i cili prej javësh pret përgjigje nga drejtuesit e klubit dhe Bashkia Berat. Futbollistët vendas vazhdojnë të stërviten individualisht, ndërsa stadiumi “Tomori” ndodhet në një gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Edhe pse në bashki flitet për një projekt të ri, deri tani nuk ka asnjë zhvillim konkret.

Sipas burimeve të besueshme të “Panorama Sport”, procesi i privatizimit të klubit nuk duket se është afër realizimit. Kryebashkiaku Ceca synon gjetjen e një zgjidhjeje për situatën, duke kërkuar një staf teknik që të gëzojë besimin e tifozëve dhe të ketë nivelin e duhur profesional, por deri më tani ende nuk është marrë asnjë vendim. Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe një nga figurat më të njohura të futbollit beratas, ish-kapiteni Petrit Çilingiri, i cili nuk i kurseu kritikat në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”:

“Më shqetëson fakti që nuk po shohim asnjë lëvizje për riorganizimin e skuadrës. Jemi në një periudhë vendimtare, ndërsa mbizotëron heshtja e plotë dhe mungon çdo informacion zyrtar. Nuk e kuptoj këtë qëndrim pasiv të Bashkisë. Pikërisht tani drejtuesit duhet të jenë në krye të punës dhe jo të mendojnë se ka ende kohë, vetëm sepse kampionati nis në shtator”.

Privatizimi- Çilingiri thekson se situata aktuale është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. “Për mua, kryebashkiaku duhet të lëvizë sa më shpejt dhe t’i japë drejtim punëve, duke riorganizuar klubin dhe strukturat drejtuese.

Gjendja skandaloze e stadiumit dhe fakti që ende nuk kemi një staf teknik janë sinjale shumë negative për të ardhmen e Tomorit. Nuk ka transparencë për atë që po ndodh me privatizimin e klubit. Nëse Tomori nuk privatizohet dhe do të vazhdojë të funksionojë si ekip i Bashkisë, atëherë duhet të bëhet një reformim i thellë në çdo hallkë të klubit. Duhet t’u jepet besimi njerëzve të rinj, profesionistëve që kanë vizion, energji dhe mbi të gjitha dashuri për Tomorin”, përfundoi Çilingiri.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL