E kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, te Partizani konfirmojnë situatën e pazakontë me kapitenin
Klubi i Partizanit ka bërë të ditur se mbrojtësi Marçelino Preka, është detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në Kroaci, për të zgjidhur problemet e vazhdueshme që ka vuajtur me dëmtimet në këtë edicion.

Futbollisti, kontrata e të cilit ishte rinovuar nga të kuqtë për një tjetër edicion, ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit me kryeqytetasit. Por në edicionin aktual ai ka qenë thuajse gjatë gjithë kohës jashtë fushave të lojës për shkak të dëmtimeve, duke përjetuar një situatë të pazakontë. Ndaj siç paralajmëroi “Panorama Sport”, pak ditë më parë u vendos që ai t’i nënshtrohej kësaj ndërhyrje kirurgjikale.
“Marçelino Preka ka kryer me sukses operacionin në Kroaci. Mbrojtësi ynë i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në muskulin rectus femuris te kofshës se djathtë në Zagreb me profesor doktor Sasa Jankovic.
Pas disa ditësh lojtari do të nisë edhe fazën e rikuperimit me një program të detajuar nga stafi mjekësor i ekipit”, shkruhej në njoftimin e klubit që bëri të ditur se gjithçka kishte shkuar me sukses për mbrojtësin.
PANORAMASPORT.AL













