E bujshme nga Shkodra/ Vllaznia përforcon sulmin para duelit Europian, arrin akordin me futbollistin e Skënderbeut
Te Vllaznia kanë menduar të shtojnë fuqinë në sulm për përballjet e raundit të dytë me Vikingur, teksa kanë afruar në formë huazim Çarls Bismark nga Skënderbeu.

Bëhet me dije se marrëveshja është mbyllur dhe pritet të zyrtarizohet nga klubi shkodran në orët në vijim. Sulmuesi ganez do të jetë pjesë e kuqebluve për dy ndeshjet në Kupat e Europës, duke u parë si zëvendësimi ideal për Kevin Dodajn, i cili u transferua së fundmi te CSKA Sofia.
Bismark luajti 32 ndeshje me fanellën korçare, teksa tashmë huazohet te klubi shkodran për të shtuar dinamizëm dhe përvojë në repartin ofensiv.

Vllaznia e sheh këtë lëvizje si një përforcim strategjik për të rritur konkurrencën në fazën e sulmit dhe për të përballuar me më shumë cilësi sfidën ndaj islandezëve të Vikingur. Çarls 24 vjeç, ka treguar stabilitet dhe aftësi të mira në finalizim, çka ka bindur stafin teknik shkodran për ta afruar në këtë moment kyç të sezonit.
Sulmuesi do t’i bashkohet menjëherë skuadrës në përgatitjet për ndeshjet europiane, me synimin për të dhënë një kontribut të menjëhershëm.
PANORAMASPORT.AL













