Dy pikë në pesë ndeshjet e fundit, statistikat nxjerrin zbulua Partizanin! Më keq ka bërë vetëm… Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 23:13

Dy pikë në pesë ndeshjet e fundit, statistikat nxjerrin zbulua Partizanin! Më keq ka bërë vetëm… Teuta

Forma e Partizanit në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit ka qenë ndër më zhgënjyeset e sezonit dhe kjo reflektohet qartë edhe në renditjen e skuadrave për këtë periudhë, ku të kuqtë pozicionohen vetëm në vendin e nëntë, duke lënë pas vetes vetëm Teutën, që ka bërë edhe më keq. Skuadra e kuqe ka arritur të grumbullojë vetëm 2 pikë në pesë ndeshjet e fundit, një bilanc tepër i dobët për një ekip që synon pjesëmarrjen në “Final Four” dhe që deri pak javë më parë ishte në garë të fortë për vendin e katërt të kampionatit.

partizani

Në këto pesë takime, Partizani nuk ka arritur të regjistrojë asnjë fitore, duke marrë vetëm dy barazime dhe duke pësuar plot tre humbje, çka ka ndikuar ndjeshëm jo vetëm në renditje, por edhe në aspektin psikologjik të skuadrës në një moment vendimtar të sezonit. Edhe në aspektin ofensiv, shifrat nuk janë aspak pozitive, pasi Partizani ka arritur të shënojë vetëm 4 gola në pesë ndeshje, një mesatare shumë e ulët për një skuadër që ka nevojë për fitore dhe që shpesh ka vuajtur pikërisht në finalizimin e rasteve të krijuara.

Problemi më i madh, megjithatë, mbetet faza difensive, aty ku skuadra ka pësuar plot 10 gola në pesë ndeshje, duke regjistruar mbrojtjen më të dobët ndër ekipet që luftojnë për objektiva madhorë dhe një nga më të dobëtat në të gjithë kampionatin gjatë kësaj periudhe. Kjo do të thotë se Partizani ka një diferencë golash negative prej minus 6, statistikë që tregon qartë vështirësitë e skuadrës si në mbrojtje, ashtu edhe në menaxhimin e ndeshjeve, sidomos në momentet vendimtare kur ekipi ka humbur shumë pikë të rëndësishme.

Më keq se Partizani në këtë periudhë ka bërë vetëm Teuta, e cila renditet në vendin e fundit me vetëm 1 pikë të grumbulluar, 3 gola të shënuar dhe 8 gola të pësuar. Ky fakt e vendos Partizanin në një situatë alarmante, pasi për një klub me objektiva si të kuqtë, vendi i nëntë në formën e fundit është një sinjal shumë shqetësues.

Ndërkohë, rivalët kanë bërë shumë më mirë. Tirana kryeson këtë renditje me 11 pikë në pesë ndeshje, Elbasani ka 10 pikë, ndërsa edhe Flamurtari, Vllaznia, Bylis dhe Vora kanë grumbulluar më shumë se Partizani, duke treguar një stabilitet më të madh në këtë fazë vendimtare të sezonit. Kjo rënie e ndjeshme e formës ka bërë që Partizani të humbasë terren të rëndësishëm në garën për vendin e katërt, ndërsa nga një skuadër që në një moment shihej si pretendente edhe për më shumë, tashmë fokusi është vetëm te sigurimi i pjesëmarrjes në “Final Four”.

Nëse analizohen me kujdes këto pesë ndeshje, bëhet e qartë se problemi nuk është vetëm mungesa e fitoreve, por edhe mënyra si skuadra po i humbet ndeshjet, me shumë pasiguri në mbrojtje, mungesë qetësie në finalizim dhe një ngërç psikologjik që duket se ka ndikuar ndjeshëm te grupi.

STATISTIKA

Partizani ende ka mundësi për të reaguar, por statistikat e pesë ndeshjeve të fundit tregojnë se skuadra duhet të ndryshojë menjëherë ritëm nëse dëshiron të shpëtojë sezonin. Përndryshe, një kampionat që në një moment dukej premtues, rrezikon të mbyllet si një tjetër zhgënjim për klubin e kuq.

PANORAMASPORT.AL