Dy liderët e Elbasanit jashtë, alarm në qendër të mbrojtjes ndaj Dinamos
Elbasani do të përballet këtë të diel me Dinamon me synimin e qartë për të marrë maksimumin nga ndeshja, duke tentuar të thyejë tabunë e rezultateve ndaj këtij kundërshtari dhe njëkohësisht të ruajë vendin e parë në renditje. Ekipi shkon në këtë përballje i fokusuar për të dalë me më të mirën e mundshme, edhe pse përpara i pret një duel jo i lehtë. Mungesat për shkak kartonësh dhe dëmtimesh, e bëjnë me “dhimbje koke” Gvozdenoviçin, që duhet të gjejë zgjidhje të menjëhershme.

MBROJTJA “ZBULUAR” – Elbasani shkon të dielën në ndeshjen ndaj Dinamos me probleme të qarta në qendrën e mbrojtjes. Kapiteni Bruno Lulaj mungon për shkak të kartonëve të grumbulluar, ndërsa Sigitas Olberkis ende nuk ka rikuperuar nga dëmtimi. Ky çift titullarësh përbënte shtyllën e mbrojtjes së verdhebluve dhe mungesa e tyre lë ekipin të ekspozuar ndaj presionit në qendër. Përballë kanë një kundërshtar të fortë dhe me përvojë, i cili shfrytëzon hapësirat në qendër dhe posedimin e topit për të krijuar raste. Si për ironi, pikërisht ndaj kundërshtarit që konsiderohet si “mace e zezë”, verdheblutë do të vuajnë nga mungesa të rëndësishme.
VARIANTET – Për momentin, alternativa e parë është aktivizimi i Emir Azemoviç, një qendërmbrojtës tipik me eksperiencë, i cili pritet të marrë rolin e Lulajt. Malazezi ishte titullar edhe ndaj rrogozhinasve dhe mbulon kështu të paktën mungesën e një futbollisti në këtë repart. Opsioni tjetër është aktivizimi i Emiljano Mustës, duke lënë të lirë vendin në të majtë të mbrojtjes për Klevis Kasën, i cili do të mbulojë hapësirat anësore.
Musta, sezonin e kaluar ka luajtur shpesh si qendërmbrojtës dhe e njeh mirë këtë pozicion delikat, ndaj pritet që Gvozdenoviç, së bashku me shiritin e kapitenit në krah, t’i japë edhe rolin e Lulajt për shkak të mungesës. Një variant i tretë është spostimi i Arsen Kasës nga mesfusha para mbrojtjes drejt qendrës së mbrojtjes, një zgjidhje që përdorur më parë në Rrogozhinë pas daljes me të kuqe të Lulajt. Këto variante janë duke u studiuar gjatë kësaj periudhe nga tekniku serb, në mënyrë që të mbyllë sa më shumë hapësirat për dinamovitët në qendër të prapavijës së skuadrës së tij.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













