Dy javë pa gol, te Partizani kthehen hijet e 2025-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2026 | 15:13

Dy javë pa gol, te Partizani kthehen hijet e 2025-ës

Partizani po përjeton një moment delikat në repartin ofensiv, teksa skuadra nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit. Një statistikë e tillë nuk ishte regjistruar prej shumë muajsh në ekipin e drejtuar nga Oltijon Kërnaja dhe rikthen në vëmendje një periudhë të ngjashme të vitit të kaluar, kur të kuqtë mbetën pa shënuar në tre takime radhazi ndaj Egnatias, Dinamos dhe Vorës mes tetorit dhe nëntorit.

partizani

Për një skuadër që gjatë sezonit është mbështetur shpesh te forca e repartit ofensiv për të marrë pikë vendimtare, ky ngërç në momentin më të rëndësishëm të kampionatit paraqet një sinjal alarmi që nuk mund të anashkalohet.

MUNGESA E KONKRETIZIMIT- Në sfidën ndaj Vllaznisë, Partizani pati mundësi për të ndryshuar fatin e takimit, por nuk arriti të konkretizonte rastet që iu paraqitën. E njëjta panoramë u përsërit edhe në transfertën ndaj Elbasanit, ku pavarësisht dominimit në pjesën më të madhe të fraksionit të parë dhe rasteve të krijuara, skuadra nuk mundi të shfrytëzonte momentet e saj më të mira. Në fund, mungesa e efikasitetit para portës rezultoi një nga faktorët kryesorë që ndikoi në humbjen 3-0 dhe në thellimin e krizës së rezultateve.

MOMENTI “JO”- Një tjetër aspekt që bie në sy është fakti se sulmuesit kryesorë të ekipit nuk po kalojnë momentin më të mirë të sezonit. Xhuliano Skuka ka qenë i kufizuar nga problemet fizike në javët e fundit dhe nuk ka mundur të japë kontributin maksimal, ndërsa Seku Sidibe, pas një nisjeje të shkëlqyer me fanellën e Partizanit, duket se ka humbur disi shkëlqimin e javëve të para. Edhe alternativa të tjera në repartin ofensiv si Toma, Kontreras nuk kanë sjellë impaktin e pritur, duke bërë që pesha e sulmit të mbetet e shpërndarë dhe jo gjithmonë efikase.

Megjithatë, shqetësimi nuk lidhet vetëm me mungesën e golit si statistikë, por me momentin kur kjo seri negative po ndodh. Partizani ndodhet në fazën më vendimtare të sezonit, në një periudhë ku çdo pikë ka peshë të jashtëzakonshme në garën për “Final Four”. Pikërisht në këtë moment, të kuqtë kanë nevojë më shumë se kurrë për rikthimin e efikasitetit ofensiv dhe për reagimin e emrave që mbajnë peshën kryesore në repartin sulmues.

REAGIMI- Nëse skuadra nuk arrin të rikthejë shpejt instinktin e golit, rreziku për të humbur terren në renditje bëhet edhe më i madh. Dinamo tashmë ka barazuar Partizanin me pikë, ndërsa kalendari në vijim nuk premton sfida të lehta për kryeqytetasit. Për këtë arsye, rikthimi te goli është kthyer në një domosdoshmëri absolute për ekipin e Kërnajas.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse ndeshja e radhës do të shërbejë si momenti i kthesës për repartin ofensiv të Partizanit, apo nëse seria pa gol do të zgjatet edhe më tej. Ajo që është e sigurt është se, për të ruajtur objektivat sezonale, të kuqtë duhet të gjejnë sa më shpejt zgjidhje në repartin që deri pak javë më parë ishte një nga armët më të forta të skuadrës.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL