Dy faza bindëse, Dinamos i mjafton “kopja” për rekordin/ “Nëndetësja” shënon më pak se vjet, por blindon mbrojtjen
Sezonin e shkuar, Dinamo e ka mbyllur në vendin e tretë në klasifikim me 55 pikë të grumbulluara duke qenë në “Final 4”, aty ku Vllaznia e eliminoi që në gjysmëfinale, mes shumë polemikave për gjykimin. Këtë sezon, natyrisht që ndeshjet janë të shumta deri në fund të sezonit dhe Dinamo mund të ketë shansin që të grumbullojë më shumë pikë se sezonin e shkuar, gjithmonë nëse merr të njëjtën sasi pikësh si në dy fazat e para.

Në 18 ndeshjet e para që janë edhe gjysma e kampionatit, Dinamo kishte 32 pikë ndërkohë që mund të kalojë rekordin e vjetshëm. Nëse Dinamo merr 32 pikë edhe në 18 ndeshjet e fazës së dytë të kampionatit, atëherë do të shkonte në kuotën e 64 pikëve dhe do të kishte një total prej 9 pikësh më shumë se sezonin e shkuar.
Me 64 pikë që janë të mundshme nëse asgjë nuk ndryshon në formën dhe paraqitjen e bluve, shanset për të marrë vendin e parë në kampionat janë reale duke qenë se sezonin e shkuar, vendi i parë kishte një total prej 59 pikësh, 5 më pak se projeksioni i mundshëm që mund të arrijë Dinamo, duke përfshirë, fitoret, humbjet apo edhe barazimet, me pak fjalë në një kampionat me “oshilacione”.
Ditët e ardhshme, në kampin blu pritet të ketë afrime në merkato dhe nëse lojtarët që vijnë ambientohen shpejt me lojën e Dajës, atëherë garantohet edhe vazhdimësi duke qenë se Dinamo ka vuajtur për ta pasur këtë sezon. Në Superiore, “nëndetësja” ende nuk ka mundur të bëjë 3 fitore radhazi duke shfaqur shpesh herë luhatje.
STATISTIKA- Dinamo e këtij sezoni ka pasur paraqitje të ndryshme dhe shpesh herë ka shfaqur oshilacione, megjithatë blutë nuk kanë humbur terren dhe janë në katërshen më të mirë të kampionatit. Për të gjitha skuadrat e Superiores, natyrisht që objektivi fillestar është që të jetë në “Final 4” për të pasur mundësinë e titullit, ndërkohë që këtë vit ndryshon formula dhe natyrisht që ccdo pikë e grumbulluar në kampionat, do të ndihmojë më shumë në fund të sezonit kur pikët të përgjysmohen dhe skuadrat të nisin “minikampionatin” mes tyre.
SEZONI AKTUAL- Në 20 javët e para, Dinamo ka arritur të grumbullojë 33 pikë dhe e sheh veten në vendin e katërt. Aktualisht, blutë janë 5 pikë më pak se vendi i parë, teksa ka arritur të krijojë një diferencë prej 7 pikësh nga Teuta e vendit të pestë që në fakt është në një moment krize dhe nuk është duke arritur që të shqetësojë skuadrat e kreut. Javën e ardhshme, Dinamo ka një përballje direkte me Elbasanin e më pas, do të ketë disa ndeshje më të lehta në letër, pasi nuk ka më përballje direkte, deri para fundit të fazës së tretë kur do të ketë Egnatian rival të “Final 4”.
Deri atë ndeshje, Dinamo do të ketë mundësi të grumbullojë pikë e më pas të kërkojë konfirmim ndaj kampionëve në fuqi, megjithëse këtë sezon të gjitha skuadrat kanë treguar se janë të gjendje të marrin fitore ndaj cilësdo skuadër, pa pasur parasysh emrin e kundërshtarit apo pozitat në klasifikim.
SEZONI I SHKUAR- Nëse hedhim një sy nga sezoni i shkuar, Dinamo është thuajse në të njëjtat kushte, por i vetmi ndryshim është klasifikimi. Pas 20 javëve të sezonit të shkuar, Dinamo ishte në vendin e dytë me 34 pikë, vetëm një pikë më shumë se këtë sezon por diferenca me vendin e parë ishte vetëm te golaverazhi. Partizani ishte kryesues asokohe me 34 pikë, por me më pak gola të shënuar. Nëse krahasojmë paraqitjet e skuadrave, Dinamo këtë sezon ka shënuar më pak se sezonin e shkuar pasi pas 20 javëve, kishte 30 gola kundrejt 27 të tillëve që ka shënuar këtë sezon.
Por, trajneri Daja ka konsoliduar repartin e mbrojtjes edhe pse mungesat janë të shumta në atë repart. Dinamo ka pësuar plot 8 gola më pak se një vit më parë, duke qenë se aktualisht janë vetëm 14 gola të pësuar ndërkohë që sezonin e shkuar kishte të pësuar 22 gola në këtë pikë të kampionatit. Ashtu si në fazën e dytë, edhe këtë fazë Dinamo ka pasur të njëjtin start në kampionat.
Blutë e drejtuar nga Daja barazuan pa gola në sfidën e parë ndaj Teutës dhe e humbën të dytën ndaj Vllaznisë. Ndryshe nga java e 11 ku Dinamo u mund 0-1 në Shkodër, këtë herë ishte një humbje në shtëpi me rezultatin 0-2, që solli pakënaqësi të shumta edhe për shkak të paraqitjes që Dinamo bëri. Ndërkohë, problem mbeten mungesat e shumta për shkak dëmtimi dhe te blutë shpresojnë që me rikthimin e lojtarëve, do të kthehet edhe loja bindëse dhe rezultatet pozitive.
PANORAMASPORT.AL













