Dueli ndaj Tiranës/ Llogaritë, në Korçë nuk shohin më shumë se ndeshja e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2025 | 15:19

Dueli ndaj Tiranës/ Llogaritë, në Korçë nuk shohin më shumë se ndeshja e radhës

Tri ndeshje për të siguruar mbijetesën, kjo është prova e fundit e korçarëve në këtë finale të sezonit. Pasi kanë lënë vendin e fundit në klasifikim, vend në të cilin qëndronin prej më shumë se dy fazash, bardhekuqtë po bëjnë bilancin dhe llogaritë e ndeshjeve të mbetura për të parë se cilat janë mundësitë që ekipi të shpëtojë nga rënia në një kategori më poshtë.

skenderbeu

Natyrshëm që në një situatë të tillë gjithçka varet nga kombinimet e rezultateve edhe me ekipet e tjera, por, duke parë që korçarët kanë një avantazh pasi përballen direkt me dy kundërshtarë për mbijetesë në tri ndeshjet e fundit, mund të thuhet se gjithçka varet nga këmbët e tyre. Bardhekuqtë do të duhet të përballen me Egnatian në transfertë dhe të presin në shtëpi Tiranën e Bylisin.

Në kushte të tilla, me një llogari të thjeshtë, do të duhet që të mos humbin as me Tiranën e as me Bylisin. Pra, nëse Skënderbeu fiton ndeshjet e shtëpisë dhe merr të paktën një pikë në ndeshjen e transfertës, mund të rrezikojë vetëm zonën e “play out”-it, duke u renditur në vendin e tetë në klasifikim. Kjo gjë është një avantazh i madh për korçarët, pasi duhet të bëjnë vetëm detyrën në shtëpinë e tyre, për të shmangur rënien nga kategoria në një sezon që ka treguar qartazi se ekipi ka pasur një rendiment jo të mirë, sidomos në fazën e dytë dhe të tretë të kampionatit.

EKIPI: Por ndryshe nga llogaritë që bëhen nga klubi apo edhe opinioni sportiv me laps dhe letër, në kampin korçar nuk kanë ndërmend të llogarisin asgjë. Këtë kusht ka vendosur trajneri i Skënderbeut Ernest Gjoka karshi ekipit të tij. Kur kemi hyrë në javët më të nxehta të sezonit, numri një i pankinës korçare ka kërkuar nga të tijët që të mos shohin më larg se ndeshja e radhës.

Për Gjokën, i gjithë përqëndrimi i ekipit të tij duhet të jetë vetëm te ndeshja e radhës ndaj Tiranës me qëllim që skuadra të jetë e fokusuar vetëm te ky takim dhe të mos shpërqëndrohet në situata të tjera. Kjo për të marrë maksimumin nga ndeshja e radhës në Korçë.

Vështirësia e këtij takimi është e madhe, por kaq i madh është edhe besimi se Skënderbeu mund të bëjë mirë dhe të dalë me pikë të plota, pavarësisht se Tirana vjen nga një fitore në derbi me Partizanin. Trajneri ka kërkuar nga lojtarët e tij që të japin maksimumin në një ndeshje delikate dhe më pas të bëjnë bilancin se çfarë kanë marrë nga ky takim dhe sa i vlefshëm do të jetë ky rezultat për dy ndeshjet e mbetura të sezonit.

LL.SARO – PANORAMASPORT.AL