Dueli ndaj Dinamos, Stavrion Lako inkurajon Skënderbeun: Pse të mos kualifikohet
Një tjetër sfidë e rëndësishme vjen për Skënderbeun pas fitores me Egnatian në kampionat. Korçarët kërkojë kalimin në gjysmëfinale të Kupës dhe për këtë mjafton të administrojnë si duhet fitoren 0-2 të ndeshjes së parë.

Kjo ndeshje shtëpie kërkon impenjim maksimal, sepse Dinamo është një kundërshtar vërtet i fortë. Fitorja me Egnatian ka rritur moralin për skuadrën e Gjokës, që këtë moment të mirë synon ta shfrytëzojë edhe nesër ndaj Dinamos.
LAKO – Ish-kapiteni Stavrion Lako shprehet për “Panorama Sport” se fitorja me rrogozhinasit erdhi në një moment shumë të rëndësishëm për Skënderbeun. Ai gjykon se fati i sezonit ndahet brenda muajit mars. “Shumëkush mendoi se ndaj Egnatias do të ishte humbja e radhës për Skënderbeun, që kishte disa ndeshje që nuk po tregonte lojë dhe rezultat.
Por me këtë fitore të fundit Skënderbeu dha sinjale se është ende në garë. Për mendimin tim, ekipi ishte shumë kërkues dhe në fund arriti qëllimin. Kjo të bën optimist të mendosh se Skënderbeu ka potencial dhe ka mundësi reale të bëjë mirë në pikën më të vështirë dhe delikate të sezonit. Fitorja në një ndeshje të rëndësishme është një shtysë më shumë për ndeshjet që vijnë”, tha Lako.
DINAMO – I ndalur më pas te përballja e nesërme me Dinamon në Kupë, ish-mbrojtësi u shpreh: “Kupa është një kompeticion, që për Skënderbeun ka rëndësi të veçantë, pasi është një trofe që mund të shpëtojë sezonin.
Megjithatë, impenjimi në dy kompeticione e vështirëson më shumë sezonin, kjo dihet. Por, nëse ke arritur në këtë pikë dhe nëse ke në favor një fitore 0-2 në transfertë, pse të mos shkosh deri në fund. Skënderbeu ka mundësi të mëdha ta kalojë Dinamon dhe më pas të mendojë për kampionin”.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













