Dueli me Elbasanin, trajneri Shkëmbi: Dhurata nga të tjerët? Mënyra e vetme që Tirana të kalojë krizën është…
Bledi Shkëmbi ka folur para ndeshjes që Tirana do të luajë ndaj Elbasanit. Trajneri i bardhebluve tregon gjendjen e ekipit ndër të tjera, ndërsa ndeshja do të nisë nesër në orën 18:00.

Një duel delikat, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” dhe Tiranës i bën punë vetëm fitorja.
Si është gjendja e ekipit? Nuk është se po kalojmë një moment të mirë, të paktën psikologjik, jemi munduar të flasim me skuadrën, të rikuperojmë disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar. Të shikojmë edhe sfidën e fundit dhe të vendosim, por shpresojmë dhe mendoj që do të jemi ok.
Çfarë të presim kundër Elbasanit? Shpirti luftarak duhet të jetë në maksimum. Duhet të jemi cinikë, kemi bërë shumë gabime në momentet që kalojmë në avantazh. Tregohemi ndonjëherë të vegjël për momentet pasi shënojmë gol. Ato momente që duhet të na japin qetësi, na japin më shumë nervozizëm dhe paqartësi, taktikisht apo dhe në mënyrën si duhet të zgjidhim gjërat kur të kemi topin në këmbë. Kemi folur, shpresoj që nesër të mos përsëriten këto gabime.
Prisni dhurata nga skuadrat pretendente që luajnë ndaj rivalëve tuaj? Mendoj ndeshjen tonë, e di se çfarëdo të ndodhë, duhet të marrim pikët tona dhe të fitojmë ndeshjet tona. Është mënyra e vetme që të kalojmë këtë moment të vështirë dhe krizë.
PANORAMASPORT.AL













