Drejtuesi i debutuesve në Superiore nuk ka dyshime për startin e kampionatit, Tragaj: Me Partizanin bëjmë surprizën
Vora mori notën 10 edhe në short, kështu që nuk do të jetë një skuadër kalimtare e pa pretendime. Kështu thotë zyrtari Bazjon Tragaj. Përballja e parë kundër Partizanit, që është dhe ndeshja e parë historike e zyrtare e Vorës në Superioren shqiptare.

“Është shumë mirë, që skuadra jonë e nis me një skuadër legjendare për futbollin shqiptar, kundër Partizanit që do të sjellë dhe një numër rekord tifozësh vorakë në stadiumin ‘Air Albania’, ku në Vorë ka dhe një grupim tifozësh të Partizanit, të cilët do të jenë sigurisht në përkrahje të Vorës.
Lidhur me kalendarin nuk është se kemi ndonjë preokupim apo preferencë, pasi ne jemi skuadër debutuese dhe për ne të gjitha skuadrat janë të vlerësueshme të forta e të vështira për t’u konkurruar, sepse edhe synimet tona do të jenë modeste.
Ne do të kërkojmë, që të jemi skuadër qëndrestare për të mbijetuar gjatë sezoni të ri e më pas kur të fitojmë dhe pak përvojë më shumë të mund të pretendojmë për më shumë. Lidhur me skemën e final 4, ne e kemi dhënë opsionin tonë dhe e përkrahim formulën e re me 6 ndeshje.
Është një minikampionat me skuadrat më të zgjedhura të sezonit, ku dhe përgjysmimi i pikëve i sjell në start pothuajse të barabarta të 4 skuadrat finaliste. Lidhur me merkaton, skuadra jonë ka mundur të afrojë elementë mjaft cilësorë për ta ngritur edhe në një nivel më të lartë cilësinë dhe efikasitetin e ekipit”, tha Tragaj.
PANORAMASPORT.AL













