Dominim i lojtarëve nga Italia dhe të Partizanit, Fatjon Tafaj zbulon listën me 21 futbollistët e ftuar te Kombëtarja U-17
Kombëtarja U-17 ka publikuar listën me 21 lojtarët e ftuar nga Fatjon Tafaj në prag të sfidave miqësore me Slloveninë. Çfarë bie në sy është se dominojnë futbollistët që luajnë në Itali dhe te Partizani. Të kuqtë kujtojmë se janë kampionë për grupmoshën U-17 në Shqipëri.

Nga Italia janë 9 futbollistë, teksa vetëm Partizani ka 5 lojtarë të ftuar në Shqipëri. Ndër ata janë edhe Elson Himallari me Dion Vatën, që kanë luajtur këtë sezon me Partizanin në Europë.
Njoftimi i FSHF-së:
Edhe Kombëtarja U-17 do të nisë sot grumbullimin për dy sfidat miqësore kundër Sllovenisë, që do të luhen në vendin tonë më 9 dhe 11 tetor.
Trajneri i kuqezinjve U-17, Fatjon Tafaj ka publikuar edhe listën me futbollistët e grumbulluar për këto dy teste të rëndësishme për skuadrën tonë. Tekniku shqiptar ka grumbulluar 21 lojtarë, 9 prej të cilëve aktivizohen në ekipet e moshave në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër janë pjesë e skuadrave të moshave në Europë.
Të dyja ndeshjet do të luhen në të njëjtin vend dhe orar, në “Shtëpinë e Futbollit” në ora 11:00.
Edhe për ekipin kombëtar U-17, këto janë ndeshjet e fundit miqësore në kuadër të përgatitjeve për kualifikueset e raundit të parë të Europianit U-17.

PANORAMASPORT.AL













