Dinamon e “mbyt” goli, mundet kur pëson dhe përmbysja e një ndeshje është ende makth
Dinamo u mund mbrëmjen e së dielës nga Egnatia në stadiumin “Air Albania”, aty ku rrogozhinasit arritën të triumfonin me rezultatin e ngushtë 1-2.
Nga një gol në secilën pjesë, i mjaftuan skuadrës së Tetovës për të dalë me pikë të plota, ndërkohë që për Dinamon duket sikur është bërë mallkim fitorja e tretë radhazi. Blutë e kryeqytetit kanë pasur luhatje të konsiderueshme këtë sezon dhe pavarësisht se kanë ditur të marrin edhe fitore historike me goleada, ende nuk është provuar që të merren 3 fitore radhazi.
Fitorja ndaj Tiranës me rezultatin 6-2 dhe ajo në Vlorë me rezultatin 0-3, dha idenë se Dinamo kishte momentin për të bërë 3 fitore të një pas njëshme, megjithatë në “Air Albania” u desh të mjaftohej me një supergol të Qefalisë që shërbeu vetëm për statistikë duke qenë se pikët i morën miqtë.
PËRMBYSJA- Por, 3 fitoret radhazi nuk janë problemi i vetëm i Dinamos këtë sezon. Pavarësisht se kryeqytetasit janë skuadra që kanë shënuar më shumë këtë sezon, të përmbysë një ndeshje është ende makth dhe asnjëherë nuk ka ndodhur. Dinamo ka pësuar për herë të dytë 2 gola në 16 javët e para, ku pas Tiranës që realizoi dy herë, ka qenë edhe radha e Egnatias për të provuar 2 herë portën e Dinamos. Kryeqytetasit kishin raste të shumta dhe goditën disa herë portën e Dajsinanit, por ky i fundit ishte në një mbrëmje të mirë dhe ka bërë një nga ndeshjet më të mira të sezonit.
Por, kjo nuk është hera e parë që Dinamo pëson gol këtë sezon dhe nuk arrin të përmbysë ndeshjen, ose më saktë, asnjëherë nuk ka arritur ta bëjë diçka të tillë. I vetmi rast kur Dinamo ka marrë pikë pasi ka pësuar gol, ka qenë barazimi në stadiumin “Air Albania” kundër Elbasanit, me verdheblutë që kaluan të parët në avantazh me anë të Tsague, por pak sekonda para fundit të së parës, Bregu konvertoi në gol një penallti dhe bëri që ndeshja të mbyllej me rezultatin 1-1. Në rastet e tjera kur Dinamo ka kaluar në disavantazh, është mundur dhe kjo ka ndodhur katër herë këtë sezon. E para që kalonte në epërsi, ka qenë Elbasani në fazën e parë dhe ka fituar 1-0, ndërkohë që me të njëjtin rezultat ka fituar edhe Teuta pak ditë më vonë. Me shifrat 1-0, Dinamo u mund në Shkodër nga Vllaznia dhe sërish u mund nga Egnatia këtë fundjavë, pasi kaloi në disavantazh. Ndryshe nga 3 sfidat e shkuara, këtë herë Dinamo e pa veten në disavantazhin e dy golave, hera e parë për këtë sezon.
KALENDARI- Dinamo do të luajë edhe 3 ndeshje këtë vit kalendarik, nga të cilat dy do të jenë të Superiores dhe në fund, do të ketë finalen e Superkupës së Shqipërisë ku përballë do të ketë sërish Egnatian. Finalja që organizohet nga FSHF, sjell Egnatian si skuadra kampione dhe Dinamon si fituese të Kupës së Shqipërisë, që do të ndajnë mes tyre fituesin e trofeut të parë sezonal. Aktualisht, Egnatia është edhe fituese në fuqi e trofeut pasi ka arritur që të fitojë sezonin e shkuar ndaj Kukësit. Javën e ardhshme, Dinamo do të përballet me Vorën në Superiore dhe pak ditë më vonë, do të luajë me Partizanin.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













