Dinamo vijon përgatitjet, dëmtimet shqetësojnë Ilir Dajën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2026 | 22:57

Dinamo vijon përgatitjet, dëmtimet shqetësojnë Ilir Dajën

Humbja e fundit në derbi ndaj Partizanit, ka lënë një shije të hidhur te Dinamo. Blutë u mundën për herë të parë nga Partizani këtë sezon por njëkohësisht humbën edhe vendin e katërt në klasifikim duke qenë tashmë jashtë zonës që të çon në finalet e kampionatit por njëkohësisht edhe në Europë.

dinamo

Nëse Dinamo nuk arrin të rikuperojë vendin e saj për në “Final 4”, atëherë do të duhet që të fitojë me patjetër Kupën në mënyrë që të qëndrojë në Europë, ose në të kundërt do të kishte një sezon plotësisht të dështuar. Të dielën, blutë do të rikthehen në fushë për ndeshjen e javës së 28, e cila do të luhet në “Air Albania” kundër Teutës së Enkeleid Dobit.

Të besuarit e Dajës janë të detyruar të reagojnë dhe të rikthehen te fitoret për të mos humbur më shumë terren në klasifikim e njëkohësisht duke shpresuar që Partizani të ndalet dhe të rikthehen sërish të katërtit në renditjen e përgjithshme. Për takimin ndaj Teutës, skuadra ka nisur menjëherë përgatitjet dhe pas humbjes në derbi, nuk ka pasur kohë për pushim. Ekipi ka zhvilluar një seancë rikuperimi dhe menjëherë ka nisur nga puna për takimin e së dielës, takim ky që mund të vendosë shumë për sezonin e Dinamos pasi një tjetër hap i gabuar, përkthehet në një hap më shumë jashtë dhe larg “Final 4. Kampionati po shkon drejt fundit dhe çdo pikë e lënë në këtë rrugëtim, përkthehet në ulje të shanseve për të siguruar një vend mes katër skuadrave më të mira.

GJENDJA E SKUADRËS

Daja i ka nisur përgatitjet për sfidën ndaj Teutës me skuadër jo të plotë. Eridon Qardaku dhe Ledio Beqja ende nuk janë gati dhe nuk garantojnë që mund të ndihmojnë edhe këtë takim, pasi gjendja e tyre do të vlerësohet ditët në vijim. Dy lojtarët mungojnë prej disa javësh te Dinamo, duke qenë padyshim dy mungesa shumë të rëndësishme pasi ishin kthyer në titullarë, sidomos Qardaku që u duk se po përshtatej shumë mirë me rolin e ri në mesfushë. Shqetësime ka shfaqur edhe Bruno Dita i cili në takimin ndaj Partizanit, pati një përplasje me kokë me Fadeiron dhe pësoi një çarje pranë syrit.

Dita ka marrë një trajtim më të specializuar pas ndeshjes dhe nuk bëhet fjalë për dëmtim që do ta lërë jashtë, gjithsesi duhet pak kujdes në ditët e para pasi bëhet fjalë për çarje. Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë dhe në takimin ndaj Teutës, skuadra nuk do të ketë mungesa si pasojë e kartonëve, pasi asnjë nga lojtarët e Dinamos nuk është i pezulluar që të mungojë këtë takim. Sfida mes Dinamos dhe Teutës, është e katërta për këtë sezon, ku Dinamo deri më tani nuk ka arritur të fitojë asnjë prej tyre. Një takim është mbyllur me fitoren e Teutës ndërsa dy sfidat e tjera kanë përfunduar në barazim.

PANORAMASPORT.AL