Dinamo pret kthesën, kampionët fatsjellës. Blutë i kanë mundur në dy finale radhazi brenda 6 muajve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2026 | 9:58

Dinamo pret kthesën, kampionët fatsjellës. Blutë i kanë mundur në dy finale radhazi brenda 6 muajve

Sot do të nisë java e 25- të e Superiores, ku Egnatia do të presë në shtëpi skuadrën e Dinamos. Dy ekipet kanë pasur një sezon me oshilacione, megjithatë mbeten mes katër më të mirave dhe formula e “Final 4”, iu lejon që të besojnë te titulli kampion deri në fund.

dinamo

Mes dy skuadrave, kjo do të jetë përballja e tretë për këtë sezon në Superiore si edhe e katërta nëse përfshijmë edhe Superkupën, sfidë kjo e zhvilluar pak ditë para Vitit të Ri. Bilanci mes dy skuadrave është i barabartë këtë sezon me të dyja ekipet që kanë nga një fitore si edhe një sfidë tjetër mes tyre është mbyllur në barazim. Takimi i sotëm, mund të shërbejë jo pak për dy skuadrat, duke qenë se nuk janë në momentin e tyre më të mirë dhe fitorja ndaj një rivali direkt, do të ishte më shumë se vetëm “3 pikë”, sidomos për të besuarit e Dajës që këtë vit kalendarik, ende nuk e kanë shijuar fitoren në kampionat.

DËMTIMET- Dinamo ka pasur probleme të shumta në këtë sezon me dëmtimet apo edhe kartonët e kuq që janë dhënë në mënyrë të vazhdueshme nga gjyqtarët. Megjithatë, Daja beson se me rikthimin e lojtarëve që ishin të dëmtuar, skuadra do të rikthehet te rezultatet pozitive dhe në fakt, viti 2026 ka rezultuar të jetë një vit pa fat për të besuarit e Dajës. Që nga ndeshja e parë në Kupë e deri më tani, Dinamo ka parë lojtarë të shumtë që të dëmtohen, duke krijuar boshllëk në skuadër. Që në takimin ndaj Besës, Bekim Maliqi këputi ligamentin duke mbyllur sezonin e natyrisht që një dëmtim i tillë, e rëndoi jo pak situatën në kampin blu pasi mbrojtësi i djathtë kishte arritur të zinte një vend titullari në skuadër. Sikur të mos mjaftonte dëmtimi i Maliqit, Dinamos iu shty edhe rikthimi i Naser Alijit duke shtuar telashet për trajnerin Daja. Gjatë janarit, Dinamo pati probleme të shumta me dëmtimet dhe shpesh herë mbetën jashtë skuadrës edhe lojtarë si Lorran, Dita, Neziri, Beqja apo edhe Guindo që është detyruar që të luajë në disa ndeshje i dëmtuar për shkak të mungesës së alternativave. Por, me kalimin e ditëve gjërat kanë ndryshuar dhe Daja tashmë ka luksin që të zgjedhë lojtarë për t’i besuar ndeshjen ndaj kampionëve. Naser Aliji është rikthyer dhe ka marrë minuta në sfidat e fundit dhe pritet që edhe ndaj Egnatias, të zbresë sërish në fushë, edhe pse jo nga minuta e parë. E njëjta situatë është edhe me lojtarët e tjerë të cilët janë rikthyer të gjithë nga dëmtimet e tyre dhe i vetmi që mbetet jashtë aktualisht, është Qardaku pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të vihet në shërbim të skuadrës vetëm pas ndeshjes ndaj Egnatias, kur shlyen edhe pezullimin.

GJYKIMI- Dinamo ka pasur pakënaqësi të shumta edhe me gjykimin, ku nga java në javë, pakënaqësitë kanë qenë të shumta. Si trajneri Daja, ashtu edhe stafi teknik shpesh herë kanë pasur rezerva për gjyqtarët të cilët kanë ndikuar jo pak në rezultatet e skuadrës dhe jo më kot, Dinamo është një nga ekipet me më shumë kartonë të kuq të marrë gjatë këtij sezoni. Drejtuesit e klubit kanë ruajtur qetësinë ashtu si edhe stafi teknik dhe daljet publike për të “sulmuar” gjyqtarët kanë qenë me pikatore, megjithëse “Panorama Sport” ka mësuar se në drejtim të sektorit të arbitrimit, ka pasur edhe shkresa zyrtare për të kërkuar që të rishihen vendimet apo edhe për të kërkuar kujdes në vazhdimësi.

RIKTHIMI- Jo vetëm Daja, por të gjithë në kampin e Dinamos janë të bindur se situata negative ka kaluar. Natyrisht që këto faktorë të jashtëm kanë ndikuar jo pak në skuadër duke rritur shumë edhe presionin kundrejt lojtarëve, gjë e cila është parë edhe në fushë ku veç kërkesës për të luajtur më shumë si rasti i Berishës, ka pasur edhe shumë ndeshje ku Dinamo e ka humbur qetësinë për të dominuar. Duke i pasur tashmë të gjithë në dispozicion dhe duke besuar që gjyqtarët nuk do të ndikojnë në rezultat, te Dinamo janë të bindur se ndaj Egnatias mund të vijë kthesa e shumëpritur e pse jo për të rikuperuar pikët e lëna në këtë fazë gjatë javëve në vijim.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL