Dinamo kërkon të thyejë një tabu, asnjëherë nuk ka luajtur në një tur të tretë
Dinamo, nëse kalon skuadrën Atletik D’Eskaldes të Andorrës, do të thyejë edhe një tabu. Për herë të parë, blutë do të kalojnë në turin e tretë të një kompeticioni europian. Në 16 paraqitjet e tyre të mëparshme, blutë nuk kanë shkuar më shumë se raundi i dytë. Po kështu, Dinamo luajti për herë të parë në një ndeshje të Ligës së Konferencës. Më parë kishte provuar Champions, UEFA dhe Kupën e Kupave.

STATISTIKAT – Skuadra e Dinamos regjistroi një fitore shumë të rëndësishme në Ligën e Konferencës, me shifrat 2-1 në një ndeshje ku siguruan rezultatin falë përmbysjes në pjesën e dytë. Kjo është hera e dytë në historinë e skuadrës kryeqytetase që arrin të fitojë në Europë në fushën kundërshtare. Hera e parë ishte në Ligën e Kampioneve, në vitin e largët 2002, kur ekipi kampion i Shqipërisë luante ndaj lituanezëve të FBK Kaunas. Asokohe, dinamovitët fituan 3-2 në fushën kundërshtare po me përmbysje, pasi ishin gjetur në disavantazh të dy golave. Ahmataj, Pisha dhe Qorri vulosën në pjesën e dytë përmbysjen e bluve, që rezultoi vendimtare për kalimin në turin e dytë të turneut. Ajo ishte hera e fundit që Dinamo kalonte turin në një kompeticion ndërkombëtar.

Para së enjtes, hera e fundit që kryeqytetasit luanin në kompeticionet e kontinentit të vjetër ishte sezoni 2010-2011, kur eliminoheshin nga moldavët e Sherif Tiraspol në raundin e parë të Champions League. Më pas, bluve iu desh të mbijetonin në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar për vite të tëra, derisa presidenti Bardhi vendosi të investonte në klub dhe në harkun e pak viteve e ktheu në situatën e sotme, duke fituar trofe, duke pretenduar titullin dhe nxjerrë lojtarë si Mandela apo Zabërgja, që pritet të shiten për shifra rekord.
Ashtu si shumica e klubeve shqiptare, edhe Dinamo nuk ka ndonjë bilanc mbresëlënës në kompeticionet europiane, teksa në total, sipas arkivave, ka arritur të ekzekutojë vetëm dy kualifikime. Një në 2002-shin, kundër Kaunas në Champions, dhe një tjetër më 1989, në Kupën e Kupave kundër Çernomorets. Siç shihet në tabelë, në të gjitha rastet e tjera blutë kanë dështuar të kalojnë raundin e parë.
PANORAMASPORT.AL













