Dinamo kërkon konfirmimin, “prova e së vërtetës” ndaj kampionëve
Dinamo do të luajë të shtunën ndeshjen e javë së shtatë të Superiores ku përballë do të ketë kampionët e Egnatias. Blutë e kryeqytetit e kanë kaluar momentin e vështirë që kishin në javët e shkuara, duke marrë dy fitore radhazi për të hyrë në “vallen” e pretendentëve.

Për të konfirmuar edhe një herë tjetër se janë skuadra që pretendojnë realisht titullin, Dinamo e di mirë se duhet që të mundë kampionët e Shqipërisë. Ndeshja ndaj Egnatias, do t’i jepte mundësinë skuadrës së Dinamos për të vazhduar ngjitjen në klasifikim, gjë të cilën në javët e fundit ka nisur ta bëjë.
NDESHJET DIREKTE- Dy skuadrat do të përballen për herë të parë këtë sezon, teksa përballjet mes dy skuadrave kanë qenë të shumta në vitet e fundit, duke u përballur edhe në finale Kupe, apo edhe Superkupën e pas pak javëve në “Air Albania”. Që nga ngjitja e Egnatias në Superiore, dy skuadrat janë përballur mes tyre 12 herë, nga të cilat Egnatia ka marrë 6 fitore, teksa Dinamo ka vetëm 1 fitore. 5 sfidat e tjera mes dy skuadrave, janë mbyllur në barazime, ndërkohë që Dinamo është eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë nga Egnatia para dy sezonesh. Megjithatë, Dinamo mund të krenohet me finalen e Kupës, në të cilën kryeqytetasit fituan ndaj Egnatias pak muaj më parë.
NDESHJA- Takimi mes dy skuadrave, do të zhvillohet pasditen e nesërme në stadiumin “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 17:00. Aktualisht, Dinamo renditet në vendin e gjashtë me 10 pikë, 3 më pak se Egnatia që ndan vendin e parë me Vllazninë.
PANORAMASPORT.AL













