Dinamo cakton fatet, Europa dhe mbijetesa në dorën e bluve të Dajës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2026 | 13:38

Dinamo cakton fatet, Europa dhe mbijetesa në dorën e bluve të Dajës

Superiorja ka nisur sprintin final ku kanë mbetur edhe vetëm pak ditë deri në përfundim të sezonit të rregullt, aty ku do të vendoset gjithçka për sa i përket “Final 4” dhe rënies nga kategoria.

dinamo

Një nga skuadrat që ka më shumë peshë në këto javë të fundit të kampionatit, është skuadra e Dinamos e cila ende ka pa përmbushur objektivin e “Final 4” dhe është skuadër e cila e ka vetë në dorë fatin e saj, por jo vetëm.

Të besuarit e Dajës kanë në dorë edhe fatin e shumë skuadrave të tjera dhe në këto dy ndeshje të fundit të kampionatit, një pjesë e madhe e skuadrave bëjnë tifo për Dinamon dhe në këtë listë të gjatë, vetëm Vora dhe Partizani nuk janë tifozë të “nëndetëses”. Kjo për shkak se dy fitore të Dinamos në dy javët e mbetura, mund të çojnë qetësi te shumë skuadra e të bëjnë “katastrofë” te të tjera, ndërkohë që rezultatet negative, mund të bëjnë lëmsh kampionatit në këto dy sfida të fundit deri në fundin e sezonit të rregullt.

EUROPA- Aktualisht, vetëm 3 skuadra kanë siguruar kalimin në “Final 4” dhe me shumë gjasa, vetëm Elbasani dhe Vllaznia janë ekipet që thuajse janë kualifikuar në Europë, ku mes tyre mund të ndahet se cila fiton titullin për të shkuar në Champions, e cila në Ligën e Konferencës. Nga ana tjetër, Egnatia nuk ka asgjë të sigurt dhe të gjitha skuadrat, shpresojnë që vendin e katërt ta marrë Dinamo. Nëse diçka e tillë ndodh, atëherë automatikisht të gjitha ekipet janë të kualifikuara në Europë dhe mes tyre mbetet vetëm të ndahet se cila do të jetë kampione dhe të shkojë në Ligën e Kampioneve. Skenari ndryshon nëse në vendin e katërt e mbyll Partizani. Të kuqtë janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë dhe vetëm nëpërmjet vendit të katërt në kampionatin e rregullt, kanë shanse që të shkojnë në Kupat e Europës, gjithmonë nëse arrijnë të lënë pas një nga skuadrat e tjera. Kështu, situata do të ishte e hapur për vendin në Europë deri në fundin e majit.

MBIJETESA- Pasditen e nesërme, Dinamo do të përballet me Vorën në Superiore, ku natyrisht për ta vlen fitorja, ashtu siç edhe për Vorën, vetëm 3 pikët mund të sjellin qetësi në kamp. Për të dyja skuadrat, kjo ndeshje mund të vendosë shumë ndërkohë që sfida mes këtyre dy ekipeve, lidhet direkt edhe me ndeshjet e tjera të Superiores si në garën për Europë, ashtu edhe në atë për mbijetesë, sidomos për këtë të fundit. Fitorja e Dinamos, do të ishte një goditje e rëndë për Vorën në luftën e saj me 4 skuadrat e tjera për mbijetesë, ndërkohë që të tjerat, shpresojnë dhe urojnë që Dinamo të marrë pikë të plota në shtëpi, duke pasur “një sy e një vesh” në “Air Albania”. Vora nga ana tjetër, duhet të fitojë për të hedhur edhe një tjetër hap drejt mbijetesës ndërkohë që vetëm Partizani shpreson që Vora t’ia dalë në këtë takim, kjo për faktin se të kuqtë luajnë në Rrogozhinë dhe një humbje e Dinamos, do të linte gjithçka të hapur për ndeshjen e fundit të kampionatit në “Arenën e Demave”.

FINALJA E KUPËS- Dinamo do të mjaftohej me dy barazime në ndeshjet e radhës për të ruajtur vendin e katërt në klasifikim, ose të shpresojë që Egnatia të fitojë ndeshjen e saj ndaj Partizanit dhe në javën e fundit, Partizani duhet të fitojë me rezultat më të thellë se 3-0 për të zënë vendin e katërt karshi Dinamos. Në datën 13, Dinamo dhe Egnatia do të përballen sërish mes tyre, këtë herë në kuadër të Kupës së Shqipërisë duke ndarë mes tyre një tjetër trofe, i cili për Dinamon do të ishte i dyti sezonal ndërsa për Egnatian, i pari sezonal dhe njëkohësisht i pari nën drejtimin e trajnerit të ri, Nevil Dede.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL