Dilemat e Bellajt e Kërnajës, Vora dhe Partizani projektojnë formacionet
Oltijon Kërnaja nuk do e ketë aspak të lehtë, për titullarët që do hedhë në fushë. Sfida ndaj Dinamos u humb me rezultatin e pastër 2-0 dhe tashmë presioni po ndihet. Kërnaja ka provuar ta rreshtojë ekipin nga minuta e parë me tre skema të ndryshme deri tani.

Bëhet fjalë për 4-4-2, 4-1-4-1 dhe 4-3-3. Me interes mbetet për t’u parë si do të hidhet ekipi në fushë ndaj Vorës. Në mbrojtje akoma nuk është rikuperuar Sembene, për këtë Bytyçi ose Janjeva do e nisin nga minuta e parë. Në portë Qirko, ndërsa Marku, Preka dhe Atanaskoski duken të paprekshëm tashmë në mbrojtje.
Partizani kërkon ta gjejë sërish qetësinë, pikërisht nga prapavijë. Dilemat e mëdha fillojnë nga mesfusha ku ndryshimet kanë ardhur pa kursim. Kote si titullar ndaj Dinamos ishte risi, ndërsa nuk do të jetë çudi nëse ulet sërish në stol. Interesante shfaqet edhe situate me Hjumen, lojtarin më të vlerësuar në Superiore sipas “transfermarkt”. Garsia, Skuka dhe Isgandarli janë emrat, që njëjtë si në derbi, pritet të udhëheqin ekipin në “Arena e Demave”. Sulmit i mungon sërish Bintsuka për shkak të shqetësimeve që shfaqi ndaj Egnatias, njësoj si Sembene.

PANORAMASPORT.AL













