Diferenca mes Egnatias dhe Olimpija Ljubjanës/ Në mes janë më shumë se 8.7 milionë euro
Diferencat në vlerë tregu mes Egnatias dhe Olimpija Ljubjanës janë të mëdha dhe flasin vetë. Skuadra sllovene vlerësohet në rreth 14.13 milionë euro, ku lojtari më i shtrenjtë është Dimitar Mitrovski me 1.5 milionë euro.

Në krahun tjetër, Egnatia vlerësohet në vetëm 5.43 milionë euro, me Arbenit Xhemajlin si më të shtrenjti në skuadër, me një vlerë 500 mijë euro. Në letër, përballja duket e pabarabartë. Megjithatë, Egnatia ka treguar se nuk i trembet emrave dhe shifrave.
Kjo skuadër ka fituar me meritë respektin në futbollin shqiptar dhe tani po kërkon të provojë veten edhe përballë kundërshtarëve më të fortë në Europë. Ajo që i ka dhënë sukses deri tani nuk është vlera në treg, por organizimi, dëshira dhe uniteti në fushë – elementë që shpesh bëjnë diferencën në ndeshjet me eliminim direkt.
Pavarësisht se Olimpija vjen nga një kampionat më i njohur dhe me eksperiencë më të madhe ndërkombëtare, Egnatia ka krijuar bindjen se mund të bëjë surprizën. Kualifikimi ndaj Dinamo Minskut është prova më e fundit që kjo skuadër po rritet dhe di të menaxhojë presionin.

Me entuziazmin që po rritet dita-ditës dhe me lojtarë që kanë nisur të besojnë te forcat e tyre, Egnatia nuk do të hyjë në fushë për të bërë figurë, por për të luftuar realisht për kalimin më tej.
PANORMASPORT.AL













