Derbi i tretë i “play off” vishet i kuq në basketboll për femra, Partizani mbetet në lojë
Kampionati kombëtar i basketbollit për femra ka zhvilluar dje gjysmëfinalet e treta të “play off”- it, takime që dhuruan rezultate interesante. Pasi kishte humbur dy derbet e para kundër Tiranës, Partizani mbetet në lojë, duke marrë përballjen e tretë, për ta ngushtuar serinë në 2-1. Kështu, të kuqet triumfuan dje me rezultatin 65-69 (11-31, 18-6, 17-15, 19- 17) në një takim ku ishin në avantazh nga fillimi e deri në fund.

Partizani u shkëput që në periodën e parë, duke shkuar në +20 pikë, për të administruar më pas, me Tiranën që në fund arrit të afrohej deri në -4 pikë. Dasia Evans me 23 pikë e 6 kërcime, Lauren Carter me 21 pikë e 7 kërcime si dhe Ornela Lalaj me 10 pikë, 13 kërcime e 3 asistime ishin lojtarët që bënë diferencën në suksesin e skuadrës që drejtohet nga Eliverta Bujari. Në kampin bardheblu të trajneres Mirza Alibegaj më e mira ishte Kieara Baughman, autore e 24 pikëve, e 6 kërcimeve dhe e 4 asistimeve.
Rendiment shumë i ulët nga dyshja vendore, me dy Enisat që shënuan së bashku 6 pikë gjithsej, 4 nga Semanjaku dhe 2 nga Qosja. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të ditës së djeshme, siç pritej, Flamurtari kaloi me lehtësi edhe takimin e tretë kundër Studentit, duke fituar 41-69 (14-20, 8-21, 7-14, 12-14) në “Asllan Rusi”. Vlonjatet e mbyllën kështu serinë 3-0, duke u bërë finalistet e para të kampionatit kombëtar 2025-2026. MVP u shpall Adia Brisker, autore e 22 pikëve dhe e 7 kërcimeve për kampionet në fuqi.


PANORAMASPORT.AL













